Deklaratë e Kryeministrit Berisha për ratifikimin e Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, nga Senati i SHBA
Kryeministri Berisha: “Dita e djeshme shënon një ngjarje historike për Shqipërinë dhe shqiptarët, në procesin e integrimit të tyre në NATO, si dhe në marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dje, Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendi lider i Aleancës së Atlantikut të Veriut, votoi dhe ratifikoi me unanimitet të plotë Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Ky votim u bë me rekomandimin personal të Presidentit të Shteteve të Bashkuara Xhorxh W. Bush dhe vetëm dy ditë pasi Komisioni i Jashtëm i Senatit të Shteteve të Bashkuara votoi në unanimitet të plotë Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.
Votimi i djeshëm në Senatin e SHBA është një ngjarje e jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe për kombin tonë, kjo sepse anëtarësimi në NATO është i një rëndësie të jashtëzakonshme dhe se Presidenti Bush, qeveria e tij, senati i Shteteve të Bashkuara, me mbështetjen e tyre të fuqishme, bënë që Protokolli i Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë të votohet dhe ratifikohet nga vendi i tyre, lider i NATO-s, me një shpejtësi rekord, në një hark kohor rekord, po të kemi parasysh që firma në këtë protokoll, në Bruksel, është vendosur vetëm në datën 9 korrik, po të kemi parasysh se Shtetet e Bashkuara janë gjithashtu në kulmin e garës elektorale, jo vetëm presidenciale, por edhe për Kongresin Amerikan.
Në këtë rast, në emër të qeverisë shqiptare, dua të shpreh mirënjohjen më të thellë Presidentit Xhorxh W. Bush, mikut më të madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve, qeverisë së tij, Departamentit të Shtetit, Pentagonit, Komisionit të Jashtëm të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, miqve të shquar të kombit shqiptar në këtë komision, Kryetarit të tij Josephf Biden dhe Senatorit Richard Lugar, si dhe të gjithë anëtarëve të tjerë të Komisionit të Jashtëm të Senatit të SHBA, të gjithë senatit, senatorëve të SHBA, ambasadorit dhe ambasadës së SHBA në Tiranë, ambasadorit dhe ambasadës së SHBA në Bruksel, për mbështetjen e madhe, përmes të cilës po shndërrohet në realitet ëndrra euroatlantike e kombit dhe vendit tone.
Edhe njëherë, dua të shpreh mirënjohjen më të thellë”.
Në përgjigje të interesimit të gazetarëve, Kryeministri u shpreh:
Pyetje: Zoti Kryeministër, a do të sjellë ky ratifikim përshpejtimin e procesit të ratifikimit të Protokollit për Anëtarësim në NATO edhe nga vende të tjera?
Kryeministri Berisha: Ngjarja e djeshme është një ngjarje e jashtëzakonshme, sepse u bë në një kohë rekord dhe nuk ka diskutim se është një inkurajim i madh për të gjitha vendet e tjera. Shfrytëzoj rastin të shpreh falënderimin tim më të madh për qeverinë e Hungarisë, parlamentin hungarez, qeverinë e Letonisë, parlamentin letonez, Komisionin e Jashtëm të Bundestagut dhe një sërë vendesh, të cilat kanë ndërmarrë këtë proces, në mënyrë që samiti i ardhshëm i Aleancës, pranvera e ardhshme, të jetë pranvera e anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO. Faleminderit!