E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Raporti i BB-së, dëshmi e qartë e suksesit të filozofisë dhe platformës ekonomike të qeverisë

Kryeministri Berisha përshëndeti sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, raportin e Bankës Botërore për klimën e biznesit, që e rendit Shqipërinë ndër vendet e para në rajon, duke e konsideruar atë një dëshmi të qartë të suksesit të filozofisë dhe platformës ekonomike të qeverisë.

“Në mbledhjen e sotme, dua të paraqes një dokument që dëshmon qartë dhe përfundimisht suksesin e filozofisë dhe platformës sonë ekonomike, sukses i cili, së shpejti, do të jetë më spektakolar,” u shpreh Kryeministri, duke paraqitur rezultatet e raportit të Bankës Botërore “Të  bësh Biznes në Evropën Juglindore”.

Kryeministri i vlerësoi rezultatet e këtij raporti dëshminë e radhës të përpjekjeve të qeverisë për ta shndërruar Shqipërinë në vendin më atraktiv për biznesin, rezultate që vijnë pas faktimit të arritjeve të saj në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë.   

“Rezultatet e studimit më të ri të BB-së për rajonin, lidhur me klimën e biznesit dalin pas të dhënave që faktuan qartë dhe katërcipërisht rritjen me 30 për qind të prodhimit industrial, me 40 për qind të vëllimit të ndërtimeve, me 30 për qind të shërbimeve, rritjen e madhe të prodhimit bujqësor dhe, mbi të gjitha, rritjen me 41 për qind të eksporteve “Made in Albania, në 3 mujorin e parë të këtij viti, krahasuar të njëjtën periudhë të vitit 2007 (jo të vitit 2005 apo 2003),” u shpreh Kryeministri.

Duke saktësuar se të dhënat e raportit të BB-së në tërësi nuk janë të këtij viti, por të vitit 2007, Kryeministri citoi vlerësimet e raportit: “Një sipërmarrës, i cili nis një biznes në Vlorë apo Shkodër, në Shqipëri, ka nevojë vetëm për 7 ditë për të regjistruar biznesin e tij, njësoj si në Paris apo Lisbonë”. Në vërtetë, - theksoi Kryeministri - po t’i referohemi “One stop shop”, ai ka nevojë vetëm për një ditë.

Për sa i përket ditëve që nevojiten për hapjen e një biznesi, Kryeministri theksoi si impresionues faktin se studimi e rendit Shkodrën dhe Vlorën të parat, në të gjithë rajonin. Në rast se do t’i referohemi klasifikimit ndër 178 vende,  Shkodra e Vlora do të renditeshin në vendin e 12-të në botë, për ditët e hapjes së biznesit.

Ndërsa për sa i përket procedurave për të filluar biznesin, sipas studimit, Shkodra dhe Vlora renditen në vendin e 6-të në rajon dhe në vendin e 24-t në botë. “Këto tregues, - u shpreh Kryeministri - janë para vendimeve tona për të hequr mbi 100 leje dhe licenca. Ato janë konkretizim i një pune intensive të Task Force-s dhe ministrive të linjës të 3 muajve të fundit”.

Raporti i Bankës Botërore “Të bësh Biznes në Evropën Juglindore 2008” krahason 22 qytete  në rajon lidhur me lehtësimin e të bërit biznes.

Rezultatet e studimit të BB-së

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›