Kryeministri Berisha pret përfaqësuesit e Kompanisë Italcement Group
Kryeministri Berisha priti sot përfaqësuesit e Kompanisë Italcement Group, që operon prej disa vitesh në Shqipëri përmes Eurotech Cement.
Italcement Group konkludoi punën e tij me nje projekt për ndërtimin e një impianti të prodhimit të çimentos nga klinkeri.
Investimi kap vlerën 25 milionë euro dhe përbën fazën e parë të një investimi më të madh që pritet të bëhet për të mbyllur ciklin e mëvonshëm të prodhimit të çimentos në Salmon, Durrës.
Menaxheri i Eurotech Cement, Stefano Gallini, tha se ky projekt finalizohet në Shqipëri për faktin se është bërë vend shumë tërheqës për investime dhe konsiderohet si një pikë e rëndësishme strategjike për Mesdheun.
Kryeministri Berisha i falënderoi përfaqësuesit e kompanisë për projektin e paraqitur, procedurat e të cilit kanë filluar tashmë dhe i siguroi ata se administrata e tij do të kontribuojë në suksesin e këtij investimi.