E Diel, 1 Nëntor 2026

Zëvendëskryeministri Oketa pret ambasadorin e ri të Kinës në Shqipëri, zotin Wang Junling

Zëvendëskryeministri Gazmend Oketa priti sot në një takim Ambasadorin e ri të Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, zotin Wang Junling.

Zëvendëskryeministri Oketa i uroi zotit Junling suksese në misionin e tij diplomatik në vendin tonë dhe shprehu sigurinë se puna e tij do të kontribuojë në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin vullnet për nxitjen e bashkëpunimit në të gjitha fushat, politike, ekonomike, diplomatike, etj.

Zëvendëskryeministri vlerësoi faktin që marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë miqësore, gjë që lehtëson rrugën e bashkëpunimit reciprok dhe na angazhon për zhvillimin e mëtejshëm të tyre. Gjithashtu, zoti Oketa theksoi se marrëdhëniet në nivelin politik janë shumë të mira dhe për këtë ndihmojnë shumë vizitat e shpeshta reciproke.   

Zëvendëskryeministri Oketa falënderoi qeverinë kineze për grantet e dhëna për projekte të ndryshme në shumë fusha. Në planin ekonomik, nënvizoi Zëvendëskryeministri, për sa i përket shkëmbimeve tregtare, Kina zë një vend kryesor në ekonominë shqiptare, veçanërisht në importe. Ai vuri në dukje se qeveria shqiptare po bën përpjekje për krijimin e një klime mbështetëse për biznesin, duke theksuar se të dy palët duhet të vazhdojnë të punojnë për krijimin e lehtësive në shkëmbimet dypalëshe.

Gjithashtu, Zëvendëskryeministri Oketa nënvizoi faktin se qëndrimet e qeverisë shqiptare dhe asaj kineze në organizata të ndryshme ndërkombëtare, si në OKB, kanë qenë në të njëjtin kah.  Zoti Oketa  falënderoi ambasadorin Junling për qëndrimin e qeverisë kineze në çështjen e Kosovës, duke shprehur besimin se ajo do të marrë zgjidhje të shpejtë, në mënyrë që gjithë rajoni të punojë  për integrimin në Bashkimin Europian. Mbështetja  e Kinës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së do të ishte shumë e vlerësuar dhe e mirëpritur, si nga qeveria shqiptare, edhe nga ajo e Kosovës, nënvizoi Zëvendëskryeministri.

Nga ana e tij, ambasadori kinez Junling e falënderoi Zëvendëskryeministrin për pritjen dhe u shpreh i gatshëm për të punuar në funksion të forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe zhvillimit të tyre.   

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›