E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha niset për një vizitë zyrtare në Japoni

Kryeministri Sali Berisha u nis sot, për një vizitë zyrtare, 4 ditore, në Japoni, gjatë së cilës do të pritet nga autoritetet më të larta të vendit Madhëria e Tij Imperiale Perandori Akihito, Kryeministri Fukuda, zyrtarë të tjerë të lartë si dhe përfaqësues të biznesit dhe botës akademike të këtij vendi.

Më datë 5 shkurt Kryeministri Berisha do të pritet në takim dhe do  zhvillojë bisedime me Kryeministrin e Japonisë Yasuo Fukuda. Gjatë këtij takimi Kryeministri Berisha do të shprehë falënderimet e tij për ndihmën dhe mbështetjen e madhe që Japonia ka treguar për zhvillimin e Shqipërisë në fushën ekonomike dhe në fusha të tjera, si dhe do të diskutohet për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të frytshëm midis dy vendeve.

Kryeministri Berisha do të zhvillojë takime me Ministrin e Financave zotin Fukushiro Nakaga, me Ministrin e Ekonomisë dhe Tregtisë zotin Amari, Kryetarin e Parlamentit zotin Yohei Kono, anëtarë të Parlamentit dhe Senatit të Japonisë, si dhe Presidenten e Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit zonjën Sadako Ogata.

Ndër të tjera, Kryeministri Berisha do të zhvillojë takime me Kryetarin e Organizatës Japoneze të Tregtisë së Jashtme zotin Yasuo Hayashi, Guvernatorin e Bankës Japoneze për Zhvillim, zotin Koji Tanami, si dhe do të zhvillojë një seri takimesh me përfaqësues të biznesit dhe medias japoneze. Kryeministri Berisha do të zhvillojë gjithashtu dhe një konferencë shtypi për median japoneze.

Gjatë takimeve të nivelit të lartë, Kryeministri Berisha do të diskutojë mbi zgjerimin e mundësive të tërheqjes së investimeve japoneze në Shqipëri, për zhvillimin  e projekteve në fushën e arsimit, në fushën ekonomike, të turizmit, etj

Gjithashtu, gjatë takimeve do të diskutohet edhe për proceset integruese të Shqipërisë, si dhe për situatën në Kosovë dhe më gjerë.

Më datë 8 shkurt, Kryeministri Berisha do të pritet në një audiencë të veçantë nga Madhëria e Tij Imperiale Perandori Akihito, në rezidencën e tij perandorake. 

Në këtë vizitë Kryeministri Berisha shoqërohet nga Ministri i Punëve të Jashtme z.Lulzim Basha, Ministri i Financave z. Ridvan Bode, ministri i Ekonomisë z.Genc Ruli dhe zyrtarë të lartë të Kryeministrisë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›