Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha dhe Kryetarit të Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi
Kryeministri Berisha dhe Kryetari i Kuvendit te Kosovës Jakup Krasniqi, pas takimit mes tyre, dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, në të cilën fillimisht bënë këto deklarata:
Kryeministri Berisha: Sapo përfunduam një takim vëllazëror me Kryetarin e Parlamentit të Kosovës, zotin Jakup Krasniqi dhe me dy nënkryetarët e këtij parlamenti, zotin Sabri Hamiti dhe zotin Xhavit Halili.
Në këtë takim, shfrytëzova rastin si shqiptar, si Kryeministër, të shpreh mirënjohjen time më të thellë ndaj qytetarëve të Kosovës, të përulem me nderim të madh para veprës së tyre, që kulmoi me pavarësinë e Kosovës.
Askush më shumë, asnjë territor, asnjë popull, nuk ka bërë një qëndresë gjigante e të gjithanshme në histori, për liri e dinjitet. Në fillimet e shekullit të kaluar, Kosova organizoi kryengritjet më të mëdha të Evropës, që bënë të mundur shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Viti 1912 ishte viti që përcaktoi ekzistencën tonë, sepse pa të, fati i kombit shqiptar nuk do të mund të parashikohej. Por data 17 shkurt i vitit 2008 i bëri shqiptarët të lirë.
Liria kombëtare është një dhe e pandarë për çdo qytetar që e konsideron veten anëtar të një kombi. Ndaj ne duhet të përulemi me mirënjohje të thellë para tyre, sepse ata i kthyen kombit lirinë dhe dinjitetin, si dhe krijuan vlera të jashtëzakonshme kombëtare. Burra si Ibrahim Rugova do të mbeten të ndritur përjetë në historinë e kombit. Ky personalitet i jashtëzakonshëm, - për të cilin shpesh pyes veten dhe ende nuk kam gjetur fjalën e përshtatshme për të - me një rrugë jo tipike shqiptare, e çoi Kosovën deri në Shtëpinë e Bardhë, në zyrën ovale të Bill Klintonit, e formësoi dhe i dha asaj fytyrën europiane. Ky komb krijoi vlera të jashtëzakonshme me trimërinë dhe gjakun që derdhi. Ne, shqiptarët, kemi ekzaltuar për një shekull trimërinë e Oso Kukës. Po Adem Jashari, me 54 anëtarë të familjes së tij, në Drenicë, dëshmoi se jo vetëm shqiptarët, por se të rrallë janë edhe kombet që kanë një hero të tillë legjendar. Dhjetëra e mijëra të rinj e të reja, qytetarë të Kosovës apo nga diaspora, rrëmbyen armët për të mbrojtur nderin e dinjitetin kombëtar dhe e mbrojtën atë me sakrificat më të mëdha. Kosova u mbush me varreza masive, me të zhdukur, por luftëtarët e lirisë qëndruan.
Ne u shprehim shumë mirënjohje politikanëve të Kosovës për mënyrën se si ndërtuan në Kosovë bashkëpunimin me komunitetin ndërkombëtar, shtetin ligjor dhe shoqërinë e lirë. 17 shkurti ishte ngjarje kulmore, por ai erdhi pas një pune të jashtëzakonshme, përmes të cilës udhëheqja politike e Kosovës, e cila në Grupin e Kontaktit nuk kishte dallime qeveri-opozitë, udhëhoqi me sukses të plotë një nga proceset më të vështira të negociatave. Natyrisht, Beogradin nuk mund ta shkëpusim dot nga mitet, por Kosova fitoi mbështetjen e madhe të të gjitha vendeve të lira dhe kjo ishte një meritë e jashtëzakonshme e tyre.
Mënyra se si qytetarët e Kosovës festuan në 17 shkurt, ka bërë krenarë jo vetëm shqiptarët, por të gjithë miqtë e shumtë e të panumërt që Kosova ka në botë, në të gjitha nivelet. Të gjithë janë ndier krenar me ta. E them me bindje se Kosova ka miq të mëdhenj e të panumërt kudo në botë, në SHBA, në Gjermani, në Francë, në Britaninë e Madhe e kudo tjetër. Ata festuan me dinjitet të plotë, duke u dhënë fqinjëve të tyre serbë kudo që ishin, në fshatra apo qytete, mesazhin më të shkëlqyer, se ne duam të vetëm të festojmë dhe jemi të vendosur të shohim vetëm para. E vërteta është se edhe ata, datën 17 shkurt e përjetuan me dinjitet, gjë për të cilën meritojnë të lavdërohen.
Unë e kam ndjekur pandërprerë festën në Kosovë, nëpërmjet mediave. Ajo ç’ka ma ka bërë zemrën mal ishte fakti që në rrugët dhe sheshet e Kosovës u brohorit me shumë “USA” sesa “Kosova”, u brohorit më shumë për Britaninë e Madhe, Francën dhe vendet e tjera të mëdha, sesa për veten. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse në moralin njerëzor nuk ka shtyllë më të bukur dhe fisnike sesa mirënjohja. Ky ishte një perceptim i vërtetë. Të gjithë duhet ta kemi shumë të qartë se pa ndërhyrjen e NATO-s, udhëheqjen e saj nga President Klinton, pa mbështetjen e fuqishme paraprake, që nga fundi i viteve ’80, të Kongresit Amerikan, duke filluar nga heroi i madh i kombit amerikan Bob Doll, kongresmenë e senatorë të tjerë, si dhe pa vendosmërinë dhe kthjelltësinë e kristaltë të Presidentit amerikan Xhorxh Bush, procesi mund të mos ecte në këtë mënyrë. Këtë gjë qytetarët e Kosovës e ndjenin dhe e dinin, ndaj atë ditë, ata brohorisnin në atë mënyrë, për të nderuar veten e tyre, për të nderuar kudo shqiptarët, të cilët ndanin me ta të njëjtin mendim.
Sot, ne diskutuam gjithashtu për bashkëpunimin dypalësh.
Më lejoni të theksoj se këto dy shtete shqiptare do të bëjnë përpjekje të përbashkëta për t’u dëshmuar miqësi dhe bashkëpunim të gjithë fqinjëve, për t’u dëshmuar si miqtë më të mirë të tyre. Ne do të bëjmë përpjekje të përbashkëta për të shkruar një kapitull të ri edhe me Serbinë. Ne duhet të jemi realistë se është në interesin më të mirë të shqiptarëve dhe serbëve të nisin të shkruajnë një kapitull të ri në historinë e tyre, në emër të së ardhmes. Grupi i Unitetit paraqiti dokumentin përkatës për këtë bashkëpunim, por Beogradi nuk u tregua i gatshëm. Ky dokument është i vlefshëm. Si Kosova edhe Shqipëria janë të gatshme të ofrojnë bashkëpunim, mirëkuptim, miqësi dhe pajtim. Pajtimi duhet të ofrohet patjetër, sepse të gjitha vuajtjet dhe sakrificat mbinjerëzore u shndërruan në monumentin e pavarësisë, u shndërruan në pavarësinë e Kosovës. Nuk ekziston asnjë tendence hakmarrëse, urrejtjeje apo gjë tjetër, veç ndërtimit të kësaj pavarësie. Shpresoj që këtë mesazh, gradualisht, ta kuptojë edhe Beogradi, ndërsa fqinjët e tjerë janë të vetëdijshëm se Ballkani sot është më i lirë dhe më i drejtë se kurrë në historinë e tij.
Edhe një herë ju falënderoj për këtë vizitë dhe kërkoj t’i përcillni përshëndetjet më të përzemërta Kryeministrit Hashim Thaçi, Presidentit Fatmir Sejdiu, bashkëpunëtorëve tuaj, anëtarëve të parlamentit dhe dua të shpreh dëshirën t’i takoj sa më shpejt në Shqipëri.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi: Faleminderit Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, zoti Sali Berisha. Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës është sot, këtu, për të shprehur falënderimet për gjithçka që ka bërë populli shqiptar i Shqipërisë dhe i të gjitha trojeve shqiptare për ditën e 17 shkurtit 2008. Ne duam të shprehim falënderimet tona për angazhimin që ka pasur qeveria dhe diplomacia shqiptare për të ardhur deri te kjo datë historike e popullit tonë.
Ne jemi sot, këtu, për të kërkuar edhe mbështetje të reja nga qeveria e Shqipërisë dhe diplomacia shqiptare, për të përshpejtuar njohjen e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.
Njëkohësisht, jemi këtu për të treguar gatishmërinë tonë për të ndërtuar Republikën e Kosovës si shtet të pavarur, demokratik e sovran, ku të gjithë qytetarët e saj, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, të jenë qytetarë të barabartë.
Nuk kemi si të mos falënderojmë të gjithë miqtë që na ndihmuan në këtë rrugë. Faktikisht, 17 shkurti i vitit 2008 erdhi me një bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian. Natyrisht, Shqipëria, në gjithë rrugën tonë, nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e deri në 17 shkurt, ka rolin e vet dhe rëndësinë e saj të madhe. Ne jemi edukuar, arsimuar dhe i kemi hyrë rrugës së lirisë dhe të çlirimit, duke mësuar nga historia jonë, nga historia e Shqipërisë.
Rruga e bashkëpunimit tani e tutje mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës do të jetë në një nivel të ri, më të mirë, për të integruar të gjitha segmentet e mundshme mes popullit shqiptar të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës.
Pyetje: A shihni ndonjë problem në planin e sigurisë, për shkak të ndërhyrjes, kohët e fundit, të disa qarqeve pro qeverisë serbe në qendra të caktuara të vendeve të rajonit? Kjo dhe për shkak të hezitimit të tyre për njohjen e pavarësisë së Kosovës. A mendoni se Beogradi do të vazhdojë të manipulojë komunitetin serb atje, pikërisht për të krijuar probleme në rrafshin e sigurisë?
Kryeministri Berisha: Së pari, Kosova dhe i gjithë Ballkani sot janë më të sigurt se kurrë. Forcat e NATO-s janë shtylla kryesore e garancisë dhe sigurisë jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin. NATO është e vendosur në Kosovë, por ajo është për sigurinë e të gjithë rajonit. Në këtë kontekst, jam i bindur se paqja dhe stabiliteti është i sigurt.
Unë, personalisht, kam një vlerësim pozitiv për qëndrimin e serbëve të Kosovës. Në Kosovë ka më shumë serbë në pjesën e poshtme të lumit Ibër, sesa në pjesën e sipërme. Se cilët janë ata që vijnë mbi lumin Ibër, vijnë nga Merdari apo nga zona të tjera, kjo mbetet për t’u qartësuar. Një gjë është e sigurt, se ata që dogjën pikat kufitare nuk ishin serbët e zonës mbi lumin Ibër, apo serbët e Mitrovicës së veriut. Pikat kufitare i dogjën të ardhurit, ata që dogjën dyqanet dhe ambasadat në Beograd. Ndaj nuk duhet t’i shohim serbët e Kosovës si qytetarë që nuk kanë nxjerrë mësimet e tyre nga manipulimet. Unë gjykoj dhe dëshiroj të besoj, se ata kanë nxjerrë mësime, pasi shoh reagimet e tyre. Në këtë kontekst, jam optimist.
Nga njëra anë Beogradi deklaron se është i pushtuar nga miti dhe mitet. Mitet kanë vendin e tyre në kulturë, në letërsi, ndërsa në politikë mitet janë absolutisht gjëja më e pa vyer dhe më e pavlerë. Por, shpresoj që këto mite të demitizohen në politikë dhe ata t’i ruajnë në folklorin e tyre. E kam thënë dhe herë të tjera dhe po e përsëris edhe këtu, serbët thonë që Kosova është djepi i tyre, ndërkohë që të gjithë librat e botës thonë se ata kanë ardhur në shekullin e VI-të. Nëse e morën djepin andej nga erdhën, apo e gjetën djepin aty, këtë nuk e dimë, por ky fakt nuk ka asnjë rëndësi të madhe. Tani ne të gjithë duhet të kemi një djep tjetër, Europën. Por, se si mund të jetë djepi në shtëpi të tjetrit, kjo është tjetër gjë.
Mitet janë mite dhe realitetet janë realitete. Është fat i madh që kombi ynë është i çliruar nga mitet dhe fat i madh që shqiptarët janë realistë. Sa më realistë të bëhemi, aq më shpejt do të ecim. Ne do të insistojmë dhe do të punojmë duke arsyetuar me të gjitha vendet për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Por siguria do të jetë e paprekshme, e palëkundur.
Zoti Krasniqi: Kosova kurrë nuk ka qenë më e sigurt. Aty janë trupat e NATO-s, Shërbimi Policor i Kosovës, shërbimi i ri policor që do të vijë nga Bashkimi Europian, janë Trupat Mbrojtëse të Kosovës, janë qytetarët e Kosovës. Një arsye tjetër është se Kosova nuk ka pasur kurrë më shumë miq, sesa ajo ka sot. Të gjithë ata po e njohin shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Garanci më të madhe, Kosova dhe qytetarët e saj nuk kanë pasur kurrë më parë.
Pyetje: Për sa i përket çështjes së diplomacisë duket se Shqipëria ka dhënë mbështetjen e saj, por a janë identifikuar deri më tani nevoja konkrete urgjente nga qeveria e Kosovës apo nga qeveria shqiptare. Dhe në rast se ka të tilla, cilat janë ato konkretisht?
Kryeministri Berisha: Procesi i njohjes është një proces negociatash dhe dialogu, për të cilin diplomacia e Kosovës do të angazhohet me të gjithë potencialin, po kështu dhe diplomacia e Shqipërisë. Ne do të arsyetojmë me miqtë, me partnerët dhe me vendet e tjera, duke treguar durim dhe mirëkuptim, aty ku është e nevojshme. Unë e quaj këtë një proces të pandalshëm. Të gjithë do të donim që ky proces të kompletohej sa më shpejt dhe për këtë do të punojmë. Por më i rëndësishëm është fakti që ky proces është i pandalshëm dhe i sigurt. Ky është një proces që do të eci.
Zoti Krasniqi: Kosova është duke përgatitur kuadrin ligjor për Ministrinë e Punëve të Jashtme. Është duke u përgatitur dhe është miratuar diçka rreth imunitetit të diplomatëve, si për diplomatët e Kosovës, ashtu dhe për diplomatët e huaj në Kosovë. Ne jemi duke identifikuar të gjitha nevojat. Por Shqipëria ka një traditë dhe përvojë dhe ajo, me të gjithë faktorët profesionalë dhe ekspertë, do të vendosë kontakte dhe do të na ndihmojë shumë në këtë rrafsh.
Pyetje: Zoti Berisha, a ka parashikuar Tirana zyrtare një ndihmë financiare për Kosovën, tashmë që pritet të organizohet një Konferencë Ndërkombëtare donatorësh për shtetin e ri të pavarur? Së dyti, a keni planifikuar së shpejti ndonjë vizitë zyrtare në Kosovë?
Kryeministri Berisha: Së pari, qeveria shqiptare parashikon dhe ka shpallur prej kohës që të jetë një aksionere jo e parëndësishme në termocentralet që do të ndërtohen në Kosovë. Së dyti, qeveria shqiptare do të shqyrtojë të gjitha projektet e përbashkëta me qeverinë e Kosovës dhe do të japë të gjithë kontributet e mundshme. Do të përfundojmë në afatin më të shkurtër të mundshëm të gjitha rrugët, si rrugën Durrës-Kukës-Prishtinë, rrugën e Arbrit, rrugën Koman-Fierzë, përgjatë bregut të Drinit. Komunikimi mes dy vendeve tona do të jetë një komunikim europian. Qeveria e Kosovës do të bëjë pjesën e vet. Nëse këto projekte do ishin bërë, ne do të merreshim tani me gjera të tjera, por ato mungojnë dhe neve na duhet t’i realizojmë.
Për sa i përket pyetjes lidhur me vizitën time në Kosovë, unë jam çdo ditë atje. Shpirtin e kam këtu, zemrën e kam atje, apo zemrën e kam atje dhe shpirtin këtu. Unë do të shkoj në Kosovë, por do të pres njëherë, sepse ata kanë gjëra shumë të mëdha dhe shumë të rëndësishme për të bërë tani. Kanë miratimin e paketës ligjore dhe do të presim ta votojnë atë. Më pas, do të shkojmë.