Kryeministri Berisha: Rruga Delvinë-Kardhiq nevralgjike për të gjithë Shqipërinë

Sot, kryeministri Berisha zhvilloi një takim me banorët e Delvinës. Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:
Të dashur qytetarë dhe qytetare të Delvinës!
Vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj. Mirëmbrëma dhe përshëndetje vëllazërore.
Erdha t’ju përshëndes dhe me mirënjohje t’ju falenderoj për mbështetjen e çmuar që na keni dhënë. Erdha t’ju shpreh kënaqësinë time që takohemi sot së bashku si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s. Takohemi sëbashku si qytetarë të një vendi, që në 4 vite me mund, me djersë, me punë dhe përkushtim ia doli të shndërrojë në realitet ëndrrën atlantiste të kombit shqiptar; ia doli që Shqipërinë ta ngjisë në krye të rritjes ekonomike në Europë; ia doli që ta rendisë atë të dytën në botë për klimën e biznesit; ta rendisë më të mirën në rajon për luftën kundër korrupsionit. Por mbi të gjitha ia dolëm që të dyfishojmë pensionet për të gjithë fermerët e Delvinës dhe të mbarë Shqipërisë, të dyfishojmë rrogat e mësuesve, të infermierëve dhe mjekëve, të modernizojmë shkollat, të ndërtojmë dhe rindërtojmë më shumë se gjysmën e shkollave të të gjithë vendit, të shtrijmë internetin në të gjitha shkollat e Shqipërisë; të ndërtojmë mbi 720 ujësjellësa dhe rreth 6 mijë kilometra rrugë, autostrada, rrugë rurale, rrugë të qyteteve, të fshatrave të vendit.
Kam kënaqësi të madhe, që sot vij tek ju dhe kryetari i bashkisë të Delvinës më informoi se në qytetin tuaj janë asfaltuar 14 hektarë sheshe të këtij qyteti, më informoi se në komunat e bashkitë janë sistemuar dhe asfaltuar 13 qendra arsimore dhe kulturore, 7 qendra shëndetsore. Ne kemi financuar projektet e fermerëve të Delvinës. Delvina po shndërrohet në një nga qendrat e fuqishme të vendit. Rruga e re që lidh Delvinën me Kardhiqin, do j’u afrojë gjithashtu me 100 kilometra me Tiranën.
Qytetarë dhe qytetare të Delvinës!
Unë kam ardhur këtu t’ju bëj thirrje që të vazhdojmë së bashku ndryshimin e madh. Unë kërkoj besimin e të gjithë atyre, të cilët anëtarësimin e Shqipërisë në NATO e konsiderojnë ndryshim të madh, dyfshimin e rrogave dhe të pensioneve e konsiderojnë ndryshim të madh, infrastrukturën e re në Shqipëri e konsiderojnë ndryshim të madh.
Jam sot këtu për t’ju bërë thirrje: Le të bashkohemi në projektin tonë të ri, në projektin e Delvinës europiane, e Shqipërisë europiane!
Në këtë projekt ne synojmë që bashkarisht, në çdo territor të Shqipërisë, të kemi kushte të njëjta me qytetarët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, pra të kemi rrugë të standarteve evropiane. Jam këtu për t’ju garantuar juve se në katër vitet që vijnë, çdo rrugë dhe rrugicë e këtij qyteti, të gjitha rrugët e komunave të këtij rrethi, të gjitha fshatrat e këtij rrethi, do të kenë rrugë të asfaltuara.
Kushte europiane për qytetarët e Delvinës do të thotë furnizim me ujë 24 orë. Ne qe lamë prapa terrin energjetik, ju garantoj se në 4 vjet do të lemë prapa të gjitha ndërprerjet e ujit dhe unë ju garantoj ujë 24 orë në çdo familje shqiptare.
Delvinjotë europianë, shqiptarë europianë do të thotë që ju të paguheni me rroga dhe pensione europiane. Po vij këtu për t’u zotuar se në krye të 4 viteve, rrogat dhe pensionet e shqiptarëve do të jenë më të larta se të 6 vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Delvinjotë dhe shqiptarë europianë do të thotë që ju të udhëtoni në rrugë të standarteve europiane. Ne po ndërtojmë në Shqipëri rrjetin rrugor më të ri dhe më modern në Europë. Po ndërtojmë të gjitha akset e shkurtra, të cilat mund të kushtojnë, por ato kushtojnë shumë më pak se koha juaj e çmuar.
Unë ju garantoj juve, që do të përshpejtojmë të gjitha ritmet e punës dhe së shpejti do të përfundohet e kurohet e gjithë trajektorja Delvinë –Kardhiq, sikundër po rindërtohet rruga Delvinë - Qafë Muzinë. Ne do të ndërtojmë rrugë të reja, rrugët më të shkurtra, por nuk do t’i braktisimin asnjëherë rrugët e vjetra. Para se të vija këtu, u takova me presidentin e kompanisë që po ndërton rrugën Delvinë - Kardhiq. I thashë atij se kjo rrugë është nevralgjike për Delvinën dhe mbarë Shqipërinë. Eshtë nevralgjike, sepse është segment jashtëzakonisht i rëndësishëm i boshtit të Jugut, se afron Sarandën dhe Delvinën me mbi 100 kilometra me Tiranën. Eshtë nevralgjike sepse lidh portin e Vlorës nëpërmjet rrugës Levan Tepelenë dhe Sarandë-Konispol me veriun e Greqisë, me Igumenicën. Kjo rrugë është nevralgjike edhe për faktin se është segmenti më fundor në unazën e Shqipërisë, e cila fillon në Tropojë-Kukës-Peshkopi-Shupenzë-Librazhd-Kolonjë-Leskovik-Përmet- Ura e Leklit-Kardhiq-Delvinë.
Atje ku do të jenë qytetarët shqiptarë ne do të çojmë rrugët. Kjo është për Delvinën europiane për Shqipërinë europiane.
Delvinjotë europianë dhe qytetarë europianë do të thotë fermerë që do të mbështeten fuqimisht nga shteti.
Cilat janë projektet tona për fermerët shqiptarë?
Së pari ju jap fjalën se do të financoj çdo projekt tuajin për mbjelljen e ullirit, si dhe për blegtorinë, për rritjen e prodhimit. Sikundër do të subvencionojmë produktet, akcizën e naftës për sipërfaqen e mbjellë.
Së dyti, pensione të barabarta me qytetin.
Së treti, katër vitet që vijnë do të jenë vitet me moton “Shqipëria nën ujë”.
Ju siguroj ju fermerë të Delvinës dhe të mbarë Shqipërisë se do të ndërtojmë dhe rindërtojmë vepra më të mëdha për vaditjen, do të vendosim tokat e tuaja plotësisht nën ujë.
Unë kam një thirrje miqësore për të gjithë qytetarët e Delvinës, për të gjithë qytetarët shqiptarë, pavarësisht nga bindjet e tyre: Le të bashkohemi dhe të votojmë së bashku. E bëj këtë thirrje sepse, projekti i Delvinës europiane, i Shqipërisë europiane, është projekti më i shkëlqyer për gjithësecilin prej nesh, është projekti më i mirë për çdo shqiptar, për të gjitha familjet e tyre.
Ju që do të votoni projektin e Shqipërisë europiane, pavarësisht nga bindjet tuaja politike, do të votoni para së gjithash për lëvizjen e lirë brenda vitit të parë të mandatit të dytë; do të votoni për asfaltimin e të gjitha rrugëve, për ujësjellësat e kanalizimet, e të gjitha fshatrave të Delvinës dhe të gjithë Shqipërisë; do të votoni për një rrjet rrugor më modernin në rajon; do të votoni për rrogat dhe pensionet tuaja më të larta se ato të 6 vendeve të Bashkimit Europian; do të votoni për Delvinën dhe Shqipërin turististike.
Në vitin 2008 Shqipëria priti 2.7 milionë vizitorë, kundrejt vetëm 300 mijë që priti në vitin 2004. Le të punojmë ne për të pritur 5.7 milionë që do të jenë në 4 vjeçarin që vjen.
Ndaj ju ftoj më 28 qershor të votoni 10-ën. 10-ta jeni ju, janë fëmijët tuaj, është Delvina europiane, është Shqipëria europiane, është horizonti që do të kapim së bashku, është Partia Demokratike, është Europa blu, që mezi pret Shqipërinë blu.
Edhe një herë më 28 qershor të gjithë në votime.
Rrofshi ju!
Rroftë Delvina!
Rroftë Shqipëria!
20/06/2009