E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Në mandatin e dytë në Tepelenë do të investohet 15 herë më shumë se në mandatin e parë

Kryeministri Berisha takoi pasditen e sotme qytetarë të Tepelenës. Në fjalën e tij , Kryeministri u shpreh:

“Qytetare dhe qytetarë të Tepelenës,

Vëllezër dhe motra,

Zonja dhe zotërinj,

Përshëndetje vëllazërore, me këtë rast dua t’ju përshëndes të gjithë ju, në Tepelenë dhe kudo që ndodheni. Të shpreh kënaqësinë që sot takohemi në këtë shesh si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s. Takohemi në këtë shesh si qytetarë të një vendi që shndërroi në realitet ëndrrën atlantiste të tij, si qytetarë të një vendi që nxori Shqipërinë në krye të rritjes ekonomike në kohën e krizës më të thellë ekonomike, që dyfishoi pensionet për mbi 200 mijë pensionistë shqiptarë dhe rriti pensionet e tjera me 50 - 70 për qind, dyfishoi rrogat për mësuesit, infermierët,mjekët dhe e shndërroi Shqipërinë në një kantier të vërtetë pune.

Qytetare dhe qytetarë të Tepelenës,

Jam sot tek ju për të kërkuar votën tuaj dhe besimin tuaj në mënyrë që bashkërisht të ndërtojmë Tepelenën europiane, Shqipërinë evropiane. Tepelena europiane, Shqipëria europiane, nënkupton mbi të gjitha që Tepelena  të jetë një nga epiqendrat kryesore të transportit në jugun e Shqipërisë.

Unë jam sot këtu për t’ju garantuar se boshti i jugut do të jetë projekti numër një i  qeverisë time dhe se gjatë këtij mandati distanca juaj me Tiranën do të shkurtohet së paku gjysmë për gjysmë. Sikundër dua të garantojë të gjithë banorët e këtij rrethi, që të gjitha komunat e tij do të lidhen me rrugët kombëtare me rrugë të asfaltuara dhe të gjithë fshatrat e komunës do të lidhen me qendrën e saj me rrugë të asfaltuara. Gjatë mandatit që vjen përfundon jo vetëm boshti i jugut por edhe autostrada Tepelenë –Levan.

Qytetare dhe qytetarë të Tepelenës,

Kjo zonë në projektin e saj europian ka gjithashtu ndërtimin e së paku tetë hidrocentraleve në kaskadën e Vjosës. Përmetarët e tepelenasit do të jenë të parët që do të përftojnë nga ndërtimi i tyre. Gjithçka është bërë gati, kompanitë më serioze të botës kanë përfunduar të gjitha studimet. Janë me dhjetëra kompani të mëdha botërore, që kanë treguar interesin maksimal për kaskadën e Vjosës. Menjëherë pas zgjedhjeve, kjo kaskadë e mrekullueshme do t’i ofrohet tregut botëror. Tepelena dhe tepelenasit në projektin europian do të kenë zhvillimin e potencialeve turistike në të gjitha zonat e saj, sikundër dua t’ju premtoj të gjitha komunave malore se përveç boshtit të jugut ne do të asfaltojmë të 70 kilometrat e rrugës Berat – Këlcyrë.

Qytetare dhe qytetarë të Tepelenës,

Praktika e qeverisë sime është dhe do të mbetet: rrugët e reja do t’i ndërtojmë, të vjetrat do t’i braktisim. Të gjitha do ti rindërtojmë në mënyrë që ta bëjmë këtë vend, vendin me infrastrukturën më moderne. Brenda vitit 2010 mbaron edhe rruga Kardhiq – Delvinë, në të cilën po punohet edhe më shpejtë, daljen në Sarandë do ta keni shumë më të shkurtër.

Jam sot këtu për tu zotuar para fermerëve dhe blegtorëve të Tepelenës, se gjatë mandatit të dytë do të financojmë absolutisht çdo projekt të tyre në blegtori apo bujqësi, kudo që do të ndodhen. Në këtë mandat ne kemi investuar në Tepelenë rreth 11 miliardë lekë, kundrejt 2.5 miliardë që kanë investuar socialistët në tetë vitet e qeverisjes së tyre. Por unë jam këtu për tu zotuar përpara jush se në mandatin që vjen, që në Tepelenë do të investohen jo 5 herë më shumë se në mandatin e tyre, por 15 herë më shumë se në mandatin tim të parë.  Fermerëve dh qytetarëve të Tepelenës ju premtoj se gjatë mandatit të dytë pensionet e tyre do të rriten me shumë dhe do të parakalojnë pensionet e 6 vendeve anëtarë te Bashkimit Europian, po kështu edhe pagat.

Unë kam një thirrje vëllazërore për të gjithë qytetarët e Tepelenës, pavarësisht bindjeve të tyre: le të bashkohemi në ëndrrën tonë europiane, të gjithë ne pavarësisht nga bindjet politike, të bashkohemi në ëndrrën më të bukur. Për veten, për fëmijët, për qytetin dhe vendin tonë kemi ëndrrën evropiane. Le të bashkohemi në këtë ëndërr sepse realitetin e saj e meritojmë të gjithë. Ne që shndërruam në realitet ëndrrën atlantiste, ne do të shndërrojmë në realitet edhe ëndrrën evropiane. Vota për Tepelenën europiane, për Shqipërinë evropiane, është para të gjithash votë për rroga dhe pensione më të larta, për  ujë 24 orë në shtëpitë tuaja, për infrastrukturën më moderne, është votë për fermerët e zhvilluar, është votë për të ardhmen më të mirë më të bukur, tuajën dhe të fëmijëve tuaj. Ndaj ju ftoj në 28 qershor të votoni të gjithë 10-ën. 10-a jeni ju, 10-a është Tepelena, 10-a është Shqipëria, 10-a është Europa blu, 10-a është Partia Demokratike.

Në 26 qershor të gjithë jeni të ftuar në Sheshin Skënderbe për të kënduar fitoren, për të firmosur fitoren.

Rrofshi ju!
Rroftë Tepelena!
Rroftë fitorja!
Rroftë Shqipëria!”


19/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›