Kryeministri Berisha në Përmet: Qeveria ime do të financojë çdo projekt që fermerët e Përmetit paraqesin për nxitjen dhe përpunimin e prodhimeve të tyre
Pasditen e sotme, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me banorë të Përmetit. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh;
“Të nderuar qytetare dhe qytetarë të Përmetit,
Ju përshëndes vëllazërisht, ju shpreh kënaqësinë dhe krenarinë e madhe që sot takohemi së bashku pasi me përkushtimin, mundin dhe djersën tonë, ne i’a dolëm të bëjmë realitet ëndrrën e madhe të shqiptarëve, ëndrrën e Sami Frashrit, ta vendosim Shqipërinë në gjirin e kombeve të më të lira dhe më të fuqishme të botës, në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Shqipëria Zonjë ishte ëndrra e rilindasve tanë. Shqipëria sot është anëtare e NATO-s.
Qytetare dhe qytetarë të Përmetit,
Shpreh kënaqësinë time të takohemi së bashku pasi në këto katër vite ne ia dolëm të dalim në krye të rritjes ekonomike në Evropë, duke qenë një vend me trashëgiminë më të madhe të varfërisë dhe të mjerimit. Ne ia dolëm të rrisim të ardhurat për frymë nga 2500 në 4200 dollarë, ia dolëm të rrisim rrogat dhe pensionet në vend më shumë se në çdo vend tjetër të kontinentit, ia dolëm të ndërtojmë 6000 kilometra autostrada dhe rrugë në mbarë Shqipërinë, ia dolëm të ndërtojmë apo rindërtojmë gjysmën ose 1012 shkolla të vendit, të shtrijmë internetin në të gjitha shkollat për fëmijët tanë.
Këto katër vite ne dëshmuam se në jo pak raste të pamundurën e bëmë të mundshme. Për shumë e shumë dyfishimi i pensioneve për të gjithë fermerët në mbarë vendin ka qenë i pamundur, por sot është realitet, për shumë e shumë dyfishimi i rrogave të mësuesve ka qenë i pamundur, por sot është realitet, për shumë e shumë anëtarësimi në NATO ka qenë i pamundur, sot është realitet, korridori i kombit ka qenë i pamundur, sot është realitet.
Unë jam sot këtu tek ju për t’ju ftuar juve dhe për t’i bërë thirrje të gjithë përmetarëve, që të vazhdojmë së bashku këtë ndryshim, të vazhdojmë së bashku përpjekjen tonë për Përmetin evropian, për Shqipërinë evropiane. Projekti i qeverisë time për Përmetin evropian është ky që vijon. Së pari, infrastrukturë moderne për rrethin tuaj në të gjitha drejtimet nga Tre Urat, në Çarshovë e tek Ura e Leklit. Ju garantoj se projekti i kësaj rruge është në përfundim dhe sapo të përfundojë do të fillojë ndërtimi i saj në disa lot-e, për ta përfunduar në kohë sa më të shkurtër dhe për ta bërë atë një nga arteriet më të rëndësishme të juglindjes së vendit tonë. Së dyti, banorë të Përmetit, të Këlcyrës, të Ballabanit dhe të gjithë kësaj zone ju jap fjalën në këtë shesh se rruga Këlcyrë-Berat, pavarësisht nga ndërtimi Boshtit të Jugut do të asfaltohet e tëra. Një vit më parë, unë kam pritur një përfaqësi të qeveritarëve tuaj dhe në atë takim u thash se boshti i jugut ka përparësi. Por tani, ne jemi në gjende ti bëjmë të dyja, të bëjmë Boshtin e Jugut, por njëkohësisht të asfaltojmë dhe rrugën Këlcyrë - Berat. Ndërtimi i saj ka filluar nga Berati dhe po bëjmë projektin për të filluar edhe nga Këlcyra. Përmeti evropian është Përmeti një kantier i vërtetë ndërtimi.
Zonja dhe zotërinj,
Qeveria ime ka përfunduar të gjitha studimet dhe së shpejti do të nxjerrë në treg kaskadën e Vjosës për tetë hidrocentrale, ndër më të rëndësishmit për Shqipërinë. Kaskada e Vjosës është kasakada më e lakmueshme në biznesin botëror për hidrocentralet. Janë me dhjetëra kompani botërore që kanë treguar interes për të. Unë ju garantoj se do të ndërtojmë tetë hidrocentrale, Përmetin do ta ruajmë dhe do të respektojmë të gjithë mjedisin e Vjosës. Projekti ynë për Përmetin evropian është respektimi i madh i vetes tuaj, çka do të thotë se jam këtu për t’u zotuar se në rrethin tuaj qeveria ime do të financojë çdo projekt, pa kufizim, që fermerët e Përmetit do të paraqesin për vreshta dhe për të gjithë kulturat e tjera, çdo projekt për nxitjen dhe përpunimin e prodhimeve. Përmeti evropian dhe Shqipëria evropian është për mua dhe për ju, qyteti dhe vendi i qytetarëve dhe pensionistëve që neve paguajmë. Kam ardhur sot këtu dhe në mbarë Shqipërinë për t’ju premtuar se pensionet tuaja do të rriten më shumë dhe do të dalin para pensioneve të qytetarëve të gjashtë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Ne ju garantojmë ju, banorëve të Përmetit dhe të fshatrave të tij se çdo komunë e këtij rrethi do të lidhet me rrugën kombëtare me rrugë të asfaltuara dhe çdo fshat do të lidhet me qendrën e komunës.
Përqendrimi i madh i qeverisë time për turizmin në katër vitet që shkuan ka qenë në ultësirën bregdetare. Shqipëria pati ‘boom’-in më të madh turistik në historinë e saj. Ju garantoj se përfundimi brenda vitit 2010-të i të gjithë infrastrukturës moderne në ultësirën bregdetare do të bëjë që ne t’u kthehemi zonave turistike malore, ti kthehemi Bredhit të Hotovës, Nemërçkës, Tomorit, Çajupit, Alpeve. Qeveria do të bëjë që malet tona të flasin për ne në mbarë Evropën dhe botën. Këtu përpara kam një listë të gjatë investimesh që janë bërë në këtë rreth, të cilat tregojnë se janë bërë shtatë herë më shumë investime se sa në tetë vitet e qeverive socialiste. Ju garantoj se në katër vitet që vijnë, investimet në këtë rreth do të jenë së paku njëzet herë më shumë se këto që bëmë ne në këto katër vite që shkuan.
Dua të shfrytëzoj rastin nga ky shesh t’u bëjë thirrje të gjithë qytetarëve të Përmetit, t’u bëjë thirrje socialistëve të Përmetit, një thirrje miqësore, bashkohuni me ne. Bashkohuni me ne në projektin e përbashkët për Përmetin evropian, për Shqipërinë evropiane. Bashkohuni me ne në këtë projekt se ky është projekti i zhvillimeve të papara ndonjëherë për Përmetin dhe Shqipërinë, i Vjosës me tetë hidrocentrale, i infrastrukturës më moderne të turizmit malor, i pensioneve më të larta se në gjashtë vende anëtare të Bashkimit Evropian. Bashkohuni me ne, sepse ne duam që këtë të mirë ta ndajmë me secilin prej jush. Ne e meritojmë të gjithë projektin evropian. Ne meritojmë ta shohim realitet ëndrrën evropiane. Ndaj le të bashkohemi dhe më 28 qershor të votojmë me maturi, të votojmë si qytetarë të lirë, të votojmë me letërnjoftimet e reja, të trokasim në dyert e Evropës, të inaugurojmë projektin tonë me votën tonë të lirë.
Më 28 qershor votoni të gjithë 10-ën, 10-a jeni ju, 10-a është Shqipëria Zonjë në Evropë, 10-a është Përmeti, 10-a është më e mira, janë fëmijë tuaj, familjet tuaja. 10-a është Evropa blu, është Partia Demokratike.
Rrofshi ju!
Rroftë Përmeti!
Rroftë Shqipëria!”
19/06/2009