E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha në Gjirokastër fton emigrantët të vijnë dhe të votojnë më 28 qershor

Sot në mbrëmje, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me banorë të Gjirokastrës. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh;

“Të nderuar qytetare dhe qytetarë të Gjirokastrës,

Ju shpreh përshëndetjet më vëllazërore nga Tirana dhe mbarë Shqipëria. Shpreh kënaqësinë time që takohemi sot në këtë shesh si qytetarë të një qyteti dhe një vendi anëtar të Aleancës më të fuqishme të lirisë që kohërat kanë njohur. Takohemi sot në këtë shesh pas një përpjekjeje të madhe katër vjeçare, në të cilën ne i’a dolëm të lartësojmë emrin e Shqipërisë, të nxjerrim Shqipërinë në krye listës për rritjen ekonomike në Evropë, të nxjerrim Shqipërinë në vend të dytë në botë për klimën e biznesit, ta rendisim atë më të mirën në rajon në luftën kundër korrupsionit. Por, para të gjithash, të dyfishojmë pensionet dhe rrogat e ulëta të mbi 250 mijë shqiptarëve, të dyfishojmë rrogat e mësueseve të fëmijëve tanë, të infermierëve dhe mjekëve, të investojmë në rrugët dhe sheshet e këtij vendi në 5900 kilometra rrugë, në 720 ujësjellës, 1012 shkolla të ndërtuara apo të rindërtuara.

Qytetare dhe qytetarë të Gjirokastrës,

Në rrethin tuaj janë investuar në këto katër vite njëzet herë më shumë se sa në tetë vitet pararendëse, janë investuar 6.2 miliardë lekë kundrejt gjithsej 800 milionë lekëve të investuara në tetë vitet pararendëse. Në Gjirokastër dhe në komunat e saj u ndërtuan 23 ujësjellës dhe 34 rrugë. Qendra historike e Gjirokastrës po ripërtërihet me shpejtësi në kuadrin e shpalljes së saj trashëgimin botërore kulturore. Në bashkëpunim me UNESCO-n qeveria shqiptare ka investuar rreth 200 milionë lekë dhe ju garantoj se do t’i rikthejmë të gjithë gjallërinë që ka pasur dhe meriton të ketë. 120 milionë lekë u investuan në nënstacionin dhe linjën 20 kilovolt, duke i siguruar Gjirokastrës në këtë mënyrë një furnizim stabël me energji elektrike. Fermerët e Gjirokastrës janë subvencionuar nga qeveria ime 33 herë më shumë se nga qeveritë e mëparshme. Autostrada Gjirokastër – Tepelenë, një investim prej 20 milionë euro është një nga rrugët më të bukura të Shqipërisë. Autostrada Kardhiq - Delvinë, një investim prej 1.5 miliardë lekë po ikën me shpejtësi.

Unë kam ardhur sot tek ju për marrëveshjen e re, për kontratën e re të Gjirokastrës evropiane, të Shqipërisë evropiane. Gjirokastra evropiane dhe Shqipëria evropiane, për mua dhe për ju do të thotë që ne të kemi rrugë të standardeve evropiane. Ndaj, ju jap fjalën që Boshti i Jugut është projekti i të gjitha projekteve të mandatit që vjen. Brenda këtij mandati distanca Gjirokastër - Tiranë do të shkurtohet me së paku 80 deri 100 kilometër. Ju do të arrini në Tiranë në një kohë dy herë më të shkurtër sesa sot. Gjirokastra evropiane dhe Shqipëria evropiane, për mua dhe për ju do të thotë të keni ujë 24 orë, jo vetëm në qytet, por në çdo fshat të Gjirokastrës dhe të Shqipërisë.

Unë zotohem përpara jush se ashtu siç përmbushëm zotimin tonë për të lënë mbrapa terrin dhe errësirën, me ndërprerjet e energjisë elektrike, do të lemë mbrapa njëherë e përgjithmonë ndërprerjet e ujit në shtëpitë tona. Gjirokastër evropiane dhe Shqipëri evropiane do të thotë që qytetarët e Gjirokastrës dhe të mbarë Shqipërisë të shpërblehen me pensionet dhe projekti është ky: pensione më të mëdha se pensionet e gjashtë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe paga më të mëdha se ato të gjashtë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Gjirokastra evropiane dhe Shqipëria evropiane do të thotë që fermerët e Gjirokastrës të subvencionohen. Unë ju jap fjalën atyre se do të financoj çdo projekt të tyre pa asnjë kufizim, në kultura bujqësore, në frutikulturë dhe blegtori.

Gjirokastra evropiane dhe Shqipëria evropiane nuk mund të jetë kurrë e tillë pa një fshat evropian. Ndaj dhe ne do të vendosim nën ujë Gjirokastrën dhe mbarë Shqipërinë. Garantoj fermerët e kësaj zone dhe të gjithë fermerët shqiptarë, se projektet më gjigante të ujitjes do të realizohen në katër vitet që do të vijnë. U kërkoj të gjithë qeveritarëve vendor që ashtu siç punuam bashkë për rrugët dhe do të asfaltojmë çdo rrugë, ne do të punojmë së bashku për të garantuar vaditjen e të gjithë tokave shqiptare kudo që janë.

Një thirrje vëllazërore dhe të përzemërt dua t’i drejtojë sot socialistëve të Gjirokastrës. Le të bashkohemi në ëndrrën tonë evropiane, sepse për mua, për të gjithë ju që jeni këtu, për shqiptar, ky është projekti më i mirë, ky është projekti më madhështor i jetës sonë. Le të ndajmë së bashku përpjekjet për këtë projekt, ky është projekti më i mirë për fëmijët tanë. Ndaj dhe ne ashtu siç realizuam projektin e anëtarësimit tonë në NATO, le të realizojmë edhe projektin e Gjirokastrës dhe Shqipërisë evropiane.

U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të minoritetit të votojnë Partinë Demokratike. U garantojë se investimet në katër vitet që vijnë do të jenë së paku 15 herë më të mëdha se ato të katër viteve që shkuan. Unë ju jap fjalën se nuk do të jetë e largët dita kur bijtë tuaj, bijtë e Gjirokastrës dhe të mbarë Shqipërisë që punojnë sot në tokat e vendeve të tjera, të vijnë në Shqipëri,  të punojnë në shtëpitë e tyre, të mbrothësojnë në shtëpinë e tyre. 

Në emrin tuaj le t’i drejtojmë një thirrje të gjithë emigrantëve shqiptarë kudo që janë. Sot është një rast i madh për ne për të shprehur një mirënjohje të shumë të thellë, se në të gjitha këto ndryshime të mëdha është dhe djersa, mundi dhe kontributi juaj. Por, sot aty ku jeni, jeni qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s, brenda vitit të parë të mandatit tonë të dytë ju dhe njerëzit tuaj do të lëvizni të lirë pa viza në mbarë Evropën. Ju bëj thirrje që të vini më 28 qershor për të votuar për Shqipërinë evropiane, për Gjirokastrën evropiane. Ju bëj thirrje juve, qytetarëve të Gjirokastrës dhe mbarë Shqipërisë u dërgoni letra, u telefononi, i ftoni të vijnë edhe të çmalleni me ta edhe të kontribuojnë me votën e tyre të lirë për një Shqipëri Evropiane.

I ftoj emigrantët të vijnë në këtë vend dhe të votojnë, sepse katër vitet që vijnë do ta bëjmë Shqipërinë krejtësisht tjetër. Në këtë vend nuk do të ketë rrugë të paasfaltuara, në këtë vend do të ketë ujë 24 orë dhe Shqipëria do të jetë vend lider për investimet e huaja në rajon. Vetëm Vjosa me 8 hidrocentralet e saj dhe hidrocentralet e tjera do të punësojnë dhjetëra mijëra punonjës të Gjirokastrës dhe të mbarë Shqipërisë.

28 qershori është një takim i madh. Së pari takohemi me 10-ën,10-a është secili prej nesh, asnjë nga ne nuk është më pak se 10-ë. 10-a janë familjet tona, janë fëmijët tanë, është Gjirokastra, është projekti ynë evropianë, është Shqipëria evropiane, është Partia Demokratike, është Evropa blu që po pret me padurim Shqipërinë blu në 28 qershor.

Rrofshi ju!

Rroftë Gjirokastra!

Rroftë Shqipëria!”


19/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›