Arrestohet për armëmbajtje anëtari i Këshillit Bashkiak
Policia e Vlorës ka arrestuar dje në mbrëmje një anëtar të këshillit bashkiak të qytetit. Morand Hoxha, 43 vjeç, lindur dhe banues në lagjen "Pavarësia" të Vlorës u arrestua të martën në mbrëmje, pasi rreth orës 22:00, gjatë një kontrolli personal të ushtruar nga ana e policisë, i është gjetur një armë zjarri pistoletë TT, model 54, të cilën e mbante në brez, si dhe gjashtë fishekë të kalibrit 7.62 mm. Hoxha është kapur në flagrancë në vendin e quajtur Rrethi i Skelës, në lagjen "Pavarësia", në momentin që po hipte në makinën e tij tip "Mercedes Benz" me targa VL 4532 A, me ngjyrë të bardhë, e cila u sekuestrua me cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale në ngarkim të këtij shtetasi do t‘i kalojnë Prokurorisë së Rrethit të Vlorës për veprën penale të "prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake, parashikuar nga neni 278/2 i Kodit Penal". Hoxha është anëtar i Këshillit Bashkiak të Vlorës që nga shkurti i vitit 2007. Ai e fitoi këtë post nën siglën e LSI-së, por para disa javësh, u është bashkuar socialistëve në këtë këshill.