E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lejet e ndërtimit, gjyq ish-kryetarit

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor të Lushnjës ka dërguar drejt gjykatës së këtij rrethi dosjen në ngarkim të ish-kryetarit të bashkisë Kadri Gega, ish-shefes së Urbanistikës, Juliana Petani, si dhe dy vartësve të tyre. Këta ish-zyrtarë të lartë të Bashkisë së Lushnjës akuzohen për dhënie të paligjshme të shesheve dhe lejeve të ndërtimit.

Kreu i organit të akuzës në Rrethin e Lushnjës, prokurori Petrit Çano, sqaroi për "Shqip" se Prokuroria e Lushnjës ka përfunduar së hetuari dosjen në ngarkim të katër ish-zyrtarëve të lartë të bashkisë dhe pret fillimin e shpejtë të gjyqit.

"Bëhet fjalë për ish-kryetarin Kadri Gega, ish-shefen e Urbanistikës, Juliana Petani, si dhe dy vartësve të tyre. Këta zyrtarë, nga hetimet e kryera prej prokurorisë, dyshohet se kanë përvetësuar veprën penale të dhënies në kundërshtim me ligjin të shesheve dhe lejeve të ndërtimit, si dhe për shpërdorim detyre", u shpreh prokurori Petrit Çano.

Ka qenë Kontrolli i Lartë i Shtetit ai që ka gjetur shkeljet e regjistruara nga ish-kryetari i bashkisë dhe ish-shefja e Urbanistikës. KLSH-ja ka kontrolluar veprimtarinë financiare të Bashkisë së Lushnjës në fund të vitit 2007. Gjatë kontrollit janë konstatuar shkelje administrative dhe financiare, ndërkohë që observacioni i bërë ka theksuar edhe një herë këto shkelje. Raporti përfundimtar i KLSH-së ka detyruar Prokurorinë e Rrethit të Lushnjës që në fillim të vitit 2008 të nisë hetimin dhe të marrë në shqyrtim të gjitha shkeljet. Jo vetëm KLSH-ja, por edhe shumë banorë të qytetit të Lushnjës kanë deponuar në prokurori akuzat për dhënie sheshesh dhe lejesh ndërtimi në kundërshtim me ligjin nga ana e ish-kryetarit të bashkisë Kadri Gega, si dhe ish-shefes së Urbanistikës, Juliana Petani.

Të dy ish-zyrtarëve dhe dy vartësve të tyre, prokuroria u ka bërë të ditur akuzën dhe mësohet se ata janë marrë në pyetje. Nuk bëhet e ditur mbrojtja që ata kanë bërë, por ajo që theksohet nga organi i akuzës wshtw se rastet për të cilat ata janë hetuar janë të shumta. Ajo që deklarojnë zyrtarisht burimet e Prokurorisë së Lushnjës ka të bëjë me faktin se Kadri Gega, Juliana Petani dhe dy zyrtarët e tjerë do të gjykohen për dhënien në kundërshtim me ligjin të më shumë se dhjetë lejeve e shesheve të ndërtimit.

Kadri Gega ka drejtuar Bashkinë e Lushnjës deri në shkurt të vitit 2007, atëherë kur në krye të saj u zgjodh Albert Sanxhaku. Ky i fundit, pak ditë pas marrjes së drejtimit të bashkisë, u përball me protestat e shumë qytetarëve, të cilët kundërshtonin lejet e ndërtimit që ishin dhënë nga drejtuesit e mëparshëm. Kadri Gega ishte zgjedhur në krye të bashkisë si përfaqësuesi i PD-së dhe për disa kohë ka jetuar në Amerikë, ku mendohet se do të shkojë edhe pas nisjes së gjykimit. Masa e sigurisë për katër të akuzuarit do të merret vetëm pas pak ditësh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›