Kapet "Xupi" i Selitës, vrau një fierak për hakmarrje
Kreu i bandës së Selitës, i ashtuquajtur "Xupi", ka rënë në prangat e policisë kryeqytetase. Ashtu siç policia ka pasur dyshimet e saj se i kërkuari Fatmir Avdillari nuk ka dalë jashtë Tiranws, ka qenë edhe rezultati i djeshëm, kur ai është kapur në një bunker te Kodrat e Yzberishtit. Burimet e policisë shpjeguan se ai është kapur gjatë një operacioni të organizuar për disa orë në vendin e lartpërmendur, ku punonjësit e policisë janë maskuar si banorë të zonës, deri sa kanë rrethuar të dyshuarin për vrasjen e Ardian Tahirit. Sipas policisë, para dy ditësh, ishte marrë informacion se ai fshihej te Kodrat e Yzberishtit dhe dje në mesditë, të dhënat janë konkretizuar, duke rrethuar zonën, ku "Xupi" mund të ishte. Forcat e operacioneve speciale të Tiranës janë maskuar si fshatarë dhe pasi kanë rrethuar zonën, kanë ndërhyrë brenda bunkerit, ku fshihej i kërkuari. Në ato momente, ai nuk ka kundërshtuar dhe me shpejtësi është transportuar drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Aty është marrë në pyetje nga oficeri i policisë gjyqësore dhe pas një sërë përpjekjesh, ka pranuar vrasjen. Ai ka deklaruar se e kishte kryer këtë krim për hakmarrje, pasi Ardian Tahiri i ka vrarë dhe djegur vëllain në Greqi, Fiqiriun, ngjarje e ndodhur në janar të vitit 2008. Më pas, ai ka treguar edhe armën e krimit. Me këto të dhëna, policia ka plotësuar dosjen dhe e ka dorëzuar në prokurori. Siç dihet, "Xupi" ka qenë një ndër anëtarët kryesorë të Bandës së Selitës dhe sapo kishte dalë nga burgu për një sërë vrasjesh në vitet ‘90. Ai ka kryer një dënim prej 12 vjetësh heqje lirie, por vetëm dy muaj më vonë, kreu një tjetër vrasje. Rreth orës 23:00 të mbrëmjes së të shtunës, forcat policore të Komisariatit Nr. 2 dhe specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit morën njoftim se në hyrje të zonës së Selitës kishte ndodhur një plagosje e dyfishtë. Të mbërritur në vendin e ngjarjes, agjentët transportuan për në spital të dëmtuarin Ardian Tahiri, emigrant i sapokthyer nga shteti grek dhe Roland Cakën, dhe nisën këqyrjet dhe hetimet në vendin e ngjarjes. Nga të dhënat paraprake të mbledhura në zonën ku ndodhi plagosja, rezultoi se Tahiri ishte qëlluar me një plumb në kokë ndërsa Caka në pjesën e gjoksit. Afro dy orë pas ngjarjes, 39-vjeçari Tahiri gjeti vdekjen në Spitalin Ushtarak, ndërsa Caka mundi të mbijetonte.