E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit, zotin Francesco Frangialli.

Kryeministri Berisha pati sot një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit, zotin Francesco Frangialli.

Zoti Frangialli, pasi falënderoi Kryeministrin Berisha për takimin e rezervuar, u shpreh mjaft i impresionuar nga progreset e Shqipërisë në shumë fusha të zhvillimit, si dhe nga risorset natyrore, shumë prej tyre ende të pashfrytëzuara, që e bëjnë Shqipërinë një vend mjaft tërheqës për investimet e huaja në këtë fushë.

Më tej, ai u shpreh me optimizëm për forcimin e një bashkëpunimi të frytshëm mes Shqipërisë dhe Organizatës Botërore të Turizmit me qëllim zhvillimin më të madh të turizmit shqiptar, si dhe shkëmbimin e eksperiencave me vende të tjera të botës që kanë arritur suksese në një turizëm profesional dhe me perspektivë.

Gjithashtu, zoti Frangialli u shpreh se ky bashkëpunim i gjerë do të çojë në shfrytëzimin sa më mirë nga ana e vendit tonë të potencialeve logjistike dhe ekonomike që Organizata Botërore e Turizmit ofron.

Kryeministri Berisha, duke i uruar Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit, zotit Francesco Frangialli, mirëseardhjen në Shqipëri, u shpreh se vendi ynë mbart potenciale të mëdha për turizmin, vija bregdetare shqiptare është rreth 400 km, një pjesë e saj endet e pashfrytëzuar.

Një master plan për turizmin është përgatitur nga një grup ekspertësh, vijoi më tej Kryeministri Berisha dhe kjo do të krijojë mundësinë e zbatimin me objektivitet dhe vizion të qartë të projekteve për zhvillimin turistik të bregdetit shqiptar.

Në një kuadër më të gjerë, Kryeministri Berisha e njohu zotin Frangialli edhe me investimet dhe projektet që po ndërmerr qeveria shqiptare për ndërtimin apo ristrukturimin e rrugëve rurale për turizmin dhe për agrikulturën, projekte këto që do të ndihmojnë zhvillimin e turizmit në vend.

Gjatë bisëdës u diskutua edhe për turizmin malor dhe atë kulturor dhe potencialet e Shqipërisë, si vend me lartësi të mëdha dhe me pasuri kulturore të çmuara.

Sekretari i Përgjithshëm i OBT-së, zoit Frangialli ndodhet për një vizitë në Shqipëri me ftesë të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, zoti Ylli Pango, në kuadër të promovimit dhe njohjes së potencialeve të turizmit të vendit tonë në mbarë botën.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›