Qeveria miraton disa vendime të rëndësishme

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u miratuan disa vendime të rëndësishme si ai “ Për përcaktimin e formës dhe të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë “ALBPETROL”, sh.a, Patos.
Duke u ndalur në këtë vendim, kryeministri u shpreh se ky privatizim do të bëhet në përputhjen më të plotë me ligjin e miratuar në vitin 1998, për privatizimin strategjik. “Në mbledhjen e sotme ka një seri vendimesh, por unë do të veçoja vendime të rëndësishme, vendimin për privatizimin e ALBPETROL-it, privatizim, i cili do të bëhet në përputhjen më të plotë me ligjin e miratuara në vitin 1998 për privatizimin strategjik” tha kryeministri.
Gjithashtu, u miratuan vendimet: “Për përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion të hidrocentraleve mbi kaskadën e lumit Vjosa, si propozim i kërkuar.” si dhe vendimi “për përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion të HEC-ve “Vokopola 1” e “Vokopola 2” dhe miratimin e bonusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese që i jepet shoqërisë.
Duke folur për këto vendime, kryeministri u shpreh:
“Sërish në përpjekjen tonë për Shqipërinë jeshile, Shqipërinë superfuqi të energjisë së rinovueshme në rajon, ne sot vendosim për të paraqitur në treg, si propozim të kërkuar Kaskadën e Vjosës, nja nga kaskadat më të mrekullueshme të Shqipërisë. Kompanitë më serioze evropiane kanë bërë studimin e Vjosës në të gjithë rrjedhën e saj në territorin e Shqipërisë. Ata parashikojnë se në këtë kaskadë mund të ndërtohen një seri HEC, natyrisht seria e tyre do të përcaktohet nga zgjidhje përfundimtare e e projektit dhe të konstratës, por një gjë është e sigurtë që ne jemi të vendosur që çdo litër ujë që buron apo që rrjedh në këtë tokë të bëjmë gjithçka që para se të shkojë në det, apo në liqenet e vendit e pastaj në det, të shndërrohet në energji elektrike.
Është edhe vendimi “për përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion të HEC-ve “Vokopola 1” e “Vokopola 2” dhe miratimin e bonusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese që i jepet shoqërisë, pra një mbledhje kjo shumë e rëndësishme për çështjet për të cilat qeveria vendos sot.
26/10/2011