Kryeministri Berisha merr pjesë në pritjen e organizuar nga Fondi Shqiptaro - Amerikan i Ndërmarrjeve dhe Fondacioni Shqiptaro - Amerikan i Zhvillimit

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në mbrëmje në pritjen e organizuar nga Bordi i Drejtorëve të Fondit Shqiptaro - Amerikan të Ndërrmarjeve dhe Fondacionit Shqiptaro - Amerikan të Zhvillimit, në mjediset e Pallatit të Brigadave, në Tiranë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohje dhe nderim për punën e shkëlqyer dhe suksesin e Fondit Shqiptaro - Amerikan të Ndërmarrjeve, sukses i cili ka kontribuar në një ndryshim thelbësor të vendit tonë.
Duke u shprehur se projektet e tyre janë një histori e vërtetë suksesi, Kryeministri Berisha vlerësoi veçanërisht kontributin e Fondit në këshillat tejet të çmuara që ka dhënë për qeveritë shqiptare në përpjekjet e tyre për të ndërtuar këtu tregun e lirë. “Së bashku do të punojmë për reforma dhe projekte që do të bëjnë të mundur suksesin e biznesit në projektet e tij”, tha Kryeministri.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm drejtues e anëtarë të Fondit Shqiptaro - Amerikan të Ndërmarrjeve dhe Fondacionit Shqiptaro - Amerikan të Zhvillimit, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare në vend, ministra të kabinetit qeveritar, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të biznesit, etj.
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari dëshiroj t’ju përshëndes shumë përzemërsisht ju, zoti Michael Granoff, Bordin e Fondacionit Shqiptaro - Amerikan, miq të çmuar dhe të shquar të Shqipërisë e shqiptarëve. Por unë dua të përshëndes, gjithashtu, të gjithë të pranishmit këtu, bashkëpunëtorët tuaj që në një udhëtim pesëmbëdhjetë vjeçar ia dolën të realizojnë në Shqipëri një nga historitë më të shkëlqyera të suksesit të fondacioneve që u krijuan nga mesi i viteve ’90 nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, z. Klinton, me vendet që sapo dolën nga diktaturat komuniste.
Shqipëria që ju gjetët pesëmbëdhjetë vjet më parë nuk është më. Çdo njeri që do të kishte fjetur pesëmbëdhjetë vjet e do të zgjohej tani nuk do e kish njohur më këtë vend. Në gjithë këtë ndryshim ju, të dashur miq, keni luajtur një rol dhe keni dhënë një kontribut parësor. Ju nisët punën me një Fondacion Shqiptaro - Amerikan modest, do të thosha, për nga shuma që kishte, por më e madhe ishte dashuria juaj dhe përkushtimi për këtë vend. Ndaj, ju guxuat dhe hapët në Shqipëri bankën e parë private. Ju shtritë bashkëpunimin tuaj në sektorin privat dhe me qeverinë në të gjitha fushat. Ju u bëtë katalistë të reformave të mëdha të tregut në këtë vend. Në qindra projekte ju frymëzuar biznesmenët dhe sektorin privat shqiptar me shembullin tuaj.
Banka që do të themelohej me 6 - 7 milionë dollarë do të sillte në Shqipëri një nga gjigantët e Evropës, Intesa Sanpaolo. Do të meritonte blerjen e më pas shkrirjen me të. Projekte të tjera janë bashkëpunimi me kompaninë ‘HOCHTIEF’ për ndërtimin e aeroportit, bashkëpunimi me ‘Sagem’ për prodhimin e pasaportave biometrike dhe kartat e identitetit. Projektet tuaja në fushën e arsimit dhe në të gjitha fushat janë një histori e vërtetë suksesi. Por ekziston edhe një kontribut i juaji që nuk mund të shprehet me banka apo koncesione, këshillat tuaja tejet të çmuara për qeveritë shqiptare në përpjekjet e tyre për të ndërtuar këtu tregun e lirë. Gjatë këtyre kohëve të fundit ne kemi firmosur marrëveshje me ju dhe ju me sektorin privat. Por bashkëpunimi me ju është inkurajim i madh për ne. Është kënaqësi e veçantë që të qëndrojmë në të njëjtën valë, në të njëjtin vizion, në këtë stad ku kemi arritur. Shqipëria mezi pret të bëhet Shqipëri dixhitale. Shqipëria mezi pret të bëhet Shqipëri jeshile. Ajo ka nevojë jetike për zhvillim të qëndrueshëm. Në të gjitha takimet dhe diskutimet qe kemi bërë së bashku kemi rënë dakord që të punojmë me shumë përkushtim në realizimin e objektivave. Ky është një frymëzim për ne. Unë besoj shumë në suksesin tuaj. Ju falënderoj për këtë, por ju falënderoj edhe për lidhjet e shumta që keni angazhuar në mbështetje të këtij vendi dhe të këtij kombi. Pak minuta më parë ne folëm së bashku dhe ishim dakord që kohërat nuk janë më të mirat për ekonominë evropiane dhe botërore. Për Shqipërinë ka vetëm një alternativë: të bëjë gjithçka për të lehtësuar, për të përmirësuar, për të inkurajuar biznesin në këtë vend dhe klimën e tij. Së bashku do të punojmë për reforma dhe projekte që do të bëjnë të mundur suksesin e biznesit në projektet e tij.
Këtu u ndala tek projektet e mëdha, por nuk përmenda ato më të njerëzishmet, më të ndjeshmet. Ka qenë një veprimtari konstante e Fondacionit dhe anëtarëve të Bordit të tij. Domenick Scaglione vite më parë themeloi fondacionin e fëmijëve shqiptarë që sot mban emrin e tij të nderuar (Fondacioni i Fëmijëve Shqiptarë “Domenick Scaglione”). Fondacion që ndihmoi në diagnozë, në mjekim, fëmijë në gjendje shumë të veçantë dhe ndryshoi jetët e tyre. Ky është njëri aspekt i pamjes sociale të veprimtarive tuaja në Shqipëri. Të tjerat janë të shumta dhe shqiptarët ju janë shumë mirënjohës.
Edhe një herë me shumë mirënjohje dua t’ju falënderoj ju dhe të shpreh admirimin tim për suksesin tuaj të madh, sukses i cili ka kontribuar në një ndryshim thelbësor të këtij vendi. Dua t’ju siguroj ju dhe të gjithë të pranishmit këtu se Shqipëria do të bëjë gjithçka për të krijuar në vend kushtet më miqësore e më të përshtatshme për investimet, investitorët dhe biznesin.
Faleminderit!”
25/10/2011