Kryeministri Berisha: Shqipëria ka hyrë në një stad të ri dhe duhet zhvillohet një koncept i ri për çështjet e sigurisë
Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, u zhvillua sot mbledhja e Komitetit të Politikave të Sigurisë. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Berisha kërkoi më shumë bashkëpunim dhe koordinim ndërmjet Shërbimit Informativ Shtetëror dhe institucioneve të ndryshme, përfshi këtu disa ministri dhe disa inspektorate, për të arritur shkallën më të lartë të sigurisë në vend. Kryeministri tha se tashmë Shqipëria ka hyrë në një stad të ri dhe duhet të zhvillohet një koncept i ri sa i përket çështjes së sigurisë. Të pranishëm në këtë takim ishin të pranishëm ministra të qeverisë, Kryeprokurorja znj. Ina Rama, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit z.Ahmet Prenci, shefi i Shërbimit Informativ Shtetëror z.Bahri Shaqiri, Koordinatori për NATO-n z.Glori Husi, etj..
Ndër të tjera, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari dëshiroj t’ju përshëndes. E kam thirrur këtë mbledhje, në të cilën sipas ligjit të Strategjisë për Sigurinë Kombëtare një pjesë e juaja jane anëtarë, ndërsa të tjerët janë të ftuar pasi problemet e sigurisë janë të një rëndësie shumë të madhe.
Ne kemi hyrë në një stad të ri, në të cilin duhet të rishqyrtojmë të gjithë institucionet e sigurisë së vendit dhe duhet të arrimë që këto institucione të zhvillojnë një koncept të ri sigurie, dhe jo ta mendojnë atë vetëm si atribut të shërbimeve inteligjente dhe policisë. Koncepti i sigurisë është shumë më i gjerë. Problemet e sigurisë kanë një spektër të gjerë ku përfshihen disa ministri dhe agjenci, të cilat mund të them se janë dytësore apo tretësore. Ky kapitull duhet mbyllur dhe një tjetër nis kur çështja e sigurisë bëhet çështje e parë në resurse, në burime njerëzore, në burime financiare dhe në të gjitha burimet e domosdoshme për të arritur shkallën më të lartë të sigurisë në vend.
Ajo që ndodhi në Gërdec është një ngjarje tepër e hidhur, është një tragjedi e tmerrshme dhe dramatike, por shumë herë më e tmerrshme, më e pafalshme dhe më e papranueshme do të jetë që ne të mos shqyrtojmë sigurinë në të gjitha dimensionet e saj. Kjo duhet të nisë nga digat e rezervuarit, standardet e ushqimeve, vendvendosja e depove, transporti i mallrave me rrezik, etj.. Ky është vetëm një aspekt, ndërsa një tjetër aspekt shumë i rëndësishëm është bashkërendimi i punës së këtyre institucioneve. Taksapaguesit shqiptarë nuk paguajnë pak për nëpunësit që merren me sigurinë e tyre, ndoshta paguajnë më shumë se për çdo sektor tjetër. Ata paguajnë për Shërbimin Informativ Shtetëror, për Shërbimin Ushtarak, doganat, tatimet si dhe për 23 inspektorate. Paratë e taksapaguesve shqiptarë shkojnë në këto drejtime, por efiçensa e tyre është ende larg. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të ndryshojmë konceptin. Një ditë një zyrtar me tha se depozitat janë ndërtuar në vend të mirë por janë afruar shtëpitë pranë tyre.
Për mua më të rëndësishme janë jetët e qytetarëve. Çfarëdo që të ndodhë, ne nuk mund të kemi qëndrim tjetër përveçse garantimin e jetës tyre pasi ata janë afruar se i kemi lejuar ne, sepse po të rrinim ne në gatishmëri nuk do të ishin afruar. Unë e mora këtë si shembull sepse dramat nga pasiguria mund të jenë të përmasave dhe llojeve nga më të ndryshmet.
Së dyti dua të ndalem në bashkëpunimin ndërmjet institucioneve. Pa diskutim që në thelbin e sigurisë shërbimet inteligjente kanë një rol të veçantë. Por, ndoshta do të jetë i domosdoshëm rishqyrtimi i ligjit të këtyre shërbimeve dhe kjo duhet të bëhet në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme. Vërehen mospërputhje ndërmjet informacioneve të shumta që sjell shërbimi inteligjent, pasi shërbimi sjell të dhëna por ky informacion verifikohet nga policia apo struktura të tjera, dhe unë e kam shumë të vështirë të gjejë një të mesme në këtë rast.
Unë ia kam thënë policisë që sapo ata nisin të verifikojnë një informacionin të caktuar, neve na vjen një raport tjetër. Kjo ndodh sepse shërbimi inteligjent ka kufizimet e tij. Ne kemi lejuar që shërbimi inteligjent të mbajë armë, pasi këtë e lejojnë në të gjithë botën, atëherë le ti lejojmë dhe një apo dy kompetenca më tepër që ti dalë për zot plotësisht asaj që konstaton. Ne e lejojmë shërbimin inteligjent të kontrollojë telekomunikacionin, dhe korrespondentin kur është e nevojshme, por unë mendoj se mund ti shtojmë dhe dy apo tre kontrolle të tjera për hir të përmbushjes së këtij funksioni.
Nga ligjet shërbimet sekrete që kam lexuar, konstatoj se Shërbimet Inteligjente në vende të tjera i kanë këto kompetenca, por natyrisht që i janë në respekt të plotë të legjislacionit dhe në kontroll të plotë nga ana e Prokurorisë. Mendoj se në interes të sigurisë së vendit shërbimi ynë inteligjent ka nevojë për disa ridimensionime të ligjit të tij, duke pasur parasysh vetëm ligjet e vendeve më demokratike. Ligji më i fundit që ka nxjerrë Holanda për shërbimin inteligjent i jepte atij tre herë më shumë kompetenca nga sa ka sot. Holanda është vend me një nga demokracitë më liberale dhe më të standardizuara.
Sa i përket bashkëveprimit me shërbimin ushtarak duhet të diskutohet nëse do të ketë dy zbulime apo një zbulim dhe dy kundërzbulime, natyrisht që të gjithë kanë dy kundërzbulime, një për sektorin civil dhe një për sektorin ushtarak. Ky përcaktim është i domosdoshëm dhe jashtëzakonisht i rëndësishëm, por ky problem duhet të shqyrtohet nga Ministria e Mbrojtjes dhe të arrihet në një konkluzion.
Një tjetër bashkërendim i domosdoshëm duhet të jetë me shërbimin e policisë. Duhet të kuptojmë që kur themi se Shërbimi Informativ nuk shtrin veprimin e tij në fushën ushtarake, kjo nuk do të thotë se çdo të dhënë që ai mbledh nuk e bën të vlefshme dhe nuk thotë që nuk e mbledh sepse është i këtij sektori. Këtë koncept duhet ta heqim. Është e vërtetë që shërbimi informativ nuk shtrin veprimin e tij në fushën e ushtrisë, por çfarëdo që ai konstaton e ka tagrin për ta ndjekur. Ne duhet të përcaktojmë marrëveshje dhe bazën ligjore që t’i krijojmë Shërbimi Informativ mundësitë e bashkëpunimit si me shërbimin e ushtrisë dhe me shërbimin e policisë për të ndjekur problemin.
Ministria e Financave i ka pothuajse inegzistente shërbimet inteligjente të doganave dhe tatimeve. Fatmirësisht, ligjit i ri për procedurat tatimore e heq policinë tatimore dhe kjo është një arritje e madhe. Por, duhet te ngremë shërbimet inteligjente të tatimeve që duhen për qëllime investiguese, i cili do të përdoret me mjetet dhe metodat e shërbimeve inteligjente, natyrisht me kontroll nga ana e Prokurorisë. Po kështu dhe shërbimi i doganave. Këto struktura kanë dhe funksione të mirëfillta profesionale por duhet të kenë dhe funksione inteligjente. Të dy këto shërbime janë rudimentare, për të mos thënë inegzistente.
Pa shërbime inteligjente, pa zhvillimin dhe konsolidimin e tyre nuk ka dhe nuk mund të ketë siguri. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë qytetarët e këtij vendi dhe për të gjitha autoritetet zyrtare të këtij vendi. Ndaj, bashkëpunimi me ta është detyrim ligjor, moral, shoqëror dhe i gjithanshëm. Për qëllime sigurie duhet të ketë akses të plotë në të dhëna. Të gjitha këto janë për të siguruar ata që ne e kemi për detyrë ti sigurojmë.
Zoti Shaqiri, sikundër është bërë punë për statusin e punonjësve, duhet të përgatitet dhe statusi i informatorëve. Ata e meritojnë plotësisht statusin dhe nuk kanë asgjë të përbashkët statusin e dikurshëm por punojnë ditë e natë duke kontribuar në sigurinë e vendit. Në këtë kontekst, statusi i tyre duhet të ketë të gjitha atributet e një statusi. Shërbimi Informativ Shtetëror duhet të përgatitet me shpejtësi me të gjitha mjetet për kontrollin elektronik. Shërbimi Informativ Shtetëror duhet të ketë të gjitha mundësitë për të monitoruar trafikun, atëherë kur duhet, por natyrisht me lejen e Prokurorisë. Por, nuk mund të mungojë asgjë për kontrollin më të plotë të trafikut kombëtar dhe ndërkombëtar në përputhje me interesin e sigurisë. Këtë e bën çdo vend. Zoti Shaqiri, të publikohen në faqen e internetit ligjet të gjitha ligjet për mënyrën e funksionimit të shërbimeve të huaja. Të bëhen publike dhe ti shohin se si janë sepse janë vetëm për çështje sigurie. Terrorizmi është ndërkombëtar dhe është jashtëzakonisht i specializuar në komunikim ndërkombëtar. Dhe, duhet të harrojmë se mund ta zbulojmë pa pasur mundësi të kontrollojmë. Natyrisht që çdo gjë duhet bërë në mënyrë legale.
Pranë Këshillit të Ministrave do të krijohet një departament që do të koordinojnë punën e të gjithë agjencive që merren me problemin e sigurisë, ku përfshihen SHISH, Garda e Republikës, Policia, tatimet, doganat, Shërbimi i Ushtrisë, Policia Ushtarake dhe inspektorate të tjera. Ky model ekziston në shumë vende dhe mundet që ky komitet, i cili përcaktohet me ligj, të marrë atributet e një kolegjiumi që të shqyrtojë periodikisht problemet e sigurisë së vendit. Ndaj, gjykoj se problematika është e madhe por dhe mundësitë janë të mëdha për ta përballuar me shumë eficensë.
Sa i përket problemit të klasifikimit (rating). Ne po shkojmë drejt anëtarësimit me të drejta të plota në NATO dhe klasifikimi është i pashmangshëm. Ne e kemi ligjin dhe do e amendojmë, nëse nuk e pranon klasifikimin nuk e merr detyrën. Kjo kërkohet dhe do të jetë kusht për të zënë vendin e punës. Natyrisht që do të vendoset për të gjitha fushat, por ligji do të fillojë të amendohet dhe klasifikimi do të jetë i detyrueshëm. Në këtë mënyrë do të përcaktohen postet e punës. Ky është një standard i NATO, por është dhe një standard i çdo administrate, dhe ne do ta vendosim. Të gjitha vendet e kanë ligjin për klasifikimin, edhe ne e kemi por, ligji ynë e ka lënë mënyrë fakultative. Por, dhe ne do ta vendosim me ligj kriterin e klasifikimit dhe nëse e do atë vend pune duhet të pranosh klasifikimin, nëse nuk e pranon nuk mund ta kesh vendin e punës.
Në këtë takim solla në vëmendjen tuaj këto çështje, të cilat do të ndiqen me vëmendje gjatë javëve në vazhdim për ti konkretizuar me ndryshimet e domosdoshme ligjore aty ku janë të nevojshme, në mënyrë që çështjet e sigurisë të jenë çështje të parat.
Së dyti, duhet të mobilizojmë të gjitha burimet e domosdoshme, financiare dhe jo financiare, që ato të përparësohen. Kam shumë besim në realizimin e këtyre objektivave sepse një eksperiencë pozitive ekziston.
Unë, dhe në rastin e Gërdecit e kam theksuar se në qoftë se dështuat në një rast, dhe shumë të hidhur, është jashtëzakonisht e papranueshme që të nxihet puna e këtyre institucioneve në tërësi. Janë këto institucione që kanë bërë që Shqipëria sot të jetë shumë më e sigurt se më parë, kanë bërë që në Shqipëri ligjet të funksionojnë shumë më mirë sesa më parë. Këto institucione me punën e tyre kanë bërë që Shqipëria të konsiderohet vend i sigurt nga partnerët e NATO-s.
Pra, nuk duhet ti shohim gjërat në një cliche bardh e zi, por natyrisht duhet të nxjerrim mësime dhe kjo është shumë e rëndësishme. Çështjet e sigurisë ne duhet ti vendosim në një rëndësi shumë më të madhe sesa i kemi parë deri më sot”.