Qeveria miraton ngritjen e 6 parqeve industriale në vend
Këshilli i Ministrave miratoi sot, në mbledhjen e tij të radhës, ngritjen e 6 parqeve industriale në disa zona të rëndësishme të vendit. Vendimet përcaktojnë si autoritet kontraktues Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për ngritjen e parqeve industriale në Shëngjin, Koplik, Spitallë në Durrës, Shkodër, Elbasan dhe Vlorë.
Kryeministri Berisha tha se këto parqe do të menaxhohen mbi baza private, e provuar si forma më e suksesshme e administrimit.
“Në mbledhjen e sotme do të veçoja si shumë të rëndësishëm vendimin për të përcaktuar autoritetin kontraktues për ngritjen e 6 parqeve industriale mbi baza private në Shëngjinin, Koplik, Shkodër, Spitallë në Durrës, Elbasan dhe Vlorë. Pas një pune intensive, arrihet shpallja e tyre dhe hapja e procedurave për kompanitë private që të marrin në dorë menaxhimin si forma më e suksesshme të këtyre zonave, e provuar nga praktika e vendeve të tjera,” u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha e konsideroi ngritjen e parqeve industriale një hap shumë të rëndësishëm në drejtim të lehtësimit të infrastrukturës për zhvillimin e bizneseve në këto zona.
“Vendimi do të jetë një shtysë e re e madhe për zhvillimin e bizneseve në Shqipëri. Ai krijon të gjitha lehtësirat infrastrukturore për bizneset në këto zona. Shteti është i gatshëm të investojë në të gjithë infrastrukturën, por menaxhimin do t’ua japë kompanive private,", u shpreh Kryeministri, duke theksuar se kompanitë private janë të gatshme dhe të interesuara për secilin prej këtyre parqeve.