Patriotizmi si strehë e fundit e horrave
Pata durimin dhe dëgjova dje Lulzim Bashën. Dëgjova se si qarqe serbo-greke në Ballkan kishin luftuar me vite kundër ndërtimit të kësaj rruge. Dëgjova se si ky sabotim ishte bërë që Kosova të mbetej e izoluar dhe pa Shqipërinë në krah. Dëgjova se komploti i madh kundër rrugës kishte nisur që nga viti 1994 dhe ishte shpartalluar më 2006. Dëgjova se “rruga nuk duhej të ndërtohej, sepse Kosova nuk duhet të kishte akses të lirë në det dhe Evropë”. Dëgjova se “rruga nuk duhet të ndërtohej, sepse portet shqiptare nuk duhet të bëheshin portet më të rëndësishme të rajonit”. Dëgjova se “rruga nuk duhet të ndërtohej, sepse rrugët e Kosovës për në Evropë duhet të kalonin nëpër Serbi”. “Rruga nuk duhet të ndërtohej, sepse tregu i trevave shqiptare nuk duhej të unifikohej”...
Të gjitha këto i nxirrte nga goja një djalë i ri, që ndokush përpiqet ta shesë si kostumi i ri i PD, si një mendjehapur dhe properëndimor. Njeriu që ka thënë këto fjali aktualisht është ministër i Jashtëm i Shqipërisë. Le ta përjashtojmë një moment nga çdo faj dhe përgjegjësi për kiametin që ka bërë duke shkelur çdo rregull, çdo ligj dhe çdo procedurë administrative në këtë histori. Pas atij fjalimi ai duhet të japë së paku dorëheqjen si ministër i Jashtëm. Ai duhet të japë dorëheqjen, pasi ministria që ai drejton, nuk i ka në objektiva politike ato që tha ministri i Jashtëm publikisht. Nuk e kemi ditur ose së paku nuk e kemi dëgjuar më parë që ne kemi aspirata të tilla gjeostrategjike në rajon, që mua më bëjnë të ndjehem mirë si shqiptar. Në detyrën si ministër i Jashtëm, zoti Basha ose paska dështuar, ose po punon ilegalisht për këtë çështje. I vetmi unifikim i tregjeve në rajon që ka bërë zoti Basha, është prania e biznesit ish-jugosllav në Shqipëri, madje e atij më të dyshimtit dhe e qarqeve më nacionaliste antishqiptare. I pari kontribut real i Lulzim Bashës është dhënia prej tij e tre tenderave një biznesmeni nga Banja Luka, i quajtur Sllobodan Markoviç, nën emrin e një kompanie perëndimore që ka fituar rrugën Vlorë-Levan, Levan-Tepelenë dhe mbikalimin në hyrje të Tiranës. Ky serb i Bosnjës ka marrë së paku mbi 110 milionë euro nga buxheti i shtetit tonë. Pastaj, i dyti në radhë, vjen Damir Fazlliç, një nga miqtë personalë dhe familjarë më të ngushtë të Bashës dhe Berishës, i cili, përveçse ka fituar tenderat e energjisë, kompjuterëve dhe disa bizneseve në telekomunikacion, po tenton të jetë pronari i Parkut të ardhshëm Energjitik të Shqipërisë. Damir Fazlliç, siç vetë ka pranuar, është partner me njerëzit më antishqiptarë të rajonit, si Lazareviçi, që ka udhëhequr partinë më antishqiptare të Malit të Zi, bashkëpunëtor i ngushtë i Arkanit, apo kompanive serbe të familjes Millosheviç që kanë përfaqësinë e “Altaria Research Limited” nga Qipro. Shqipëria është kthyer në një parajsë fiskale me lehtësira të paimagjinueshme për biznesin e fqinjëve tanë veriorë, përveç kosovarëve. Të gjitha privilegjet e biznesit pas vitit 2005 i kanë fituar ata, ish-jugosllavët, ndërsa deri më 2005 mund të themi pa frikë se i kanë patur grekët. Unë nuk e dija që ministri ynë i Jashtëm ishte kaq patriot dhe kaq i përkushtuar në vepra të unifikimit kombëtar. Ai qenka sabotuar çdo orë dhe minutë në punën si ministër i Jashtëm i Shqipërisë, pasi nuk ka mundur të ndalë dot vërshimin në Shqipëri të armiqve realë të Kosovës, ndërsa vetë paska ideale të mëdha për unifikim tregjesh, dalje të Kosovës në det, rritje të rëndësisë së porteve tona e të tjera ëndrra të mëdha patriotike. Dikush e paska marrë peng dhe e paska vënë ministër të Jashtëm ta turpërojë dhe t’ia nxijë faqen e tij patriotike. Dhe i vetmi shpëtim në këtë rast është që të ikë për arsye patriotike. Të ikë nga kjo qeveri dhe të shpëtojë faqen e tij si patriot, nacionalist dhe njeri i sakrifikuar për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën. Të ikë dhe të provojë se Dushan Mugosha, nëse e ka të qartë kush ishte Dushan Mugosha, nuk është Damir Fazlliçi, që dikton se kush duhet të ngrihet dhe kush duhet të bjerë nga pushteti në PD.
I akuzuari kryesor nga drejtësia për abuzime ligjore dhe financiare në rrugën Rrëshen- Kalimash, në të vërtetë nuk është as patriot, as tradhtar, as diplomat, as burrë shteti. Është thjesht një manekin. Nuk ka asnjë faj realisht për çfarë batërdie ligjore ka bërë në atë prokurim, dhe për çfarë abuzimesh financiare janë bërë. Është i pafajshëm si çdo njeri i marrë peng. Pafuqia e tij rrezatohet hapur çdo orë, çdo minutë. Ende nuk bën dot asgjë vetë. As një deklaratë për shtyp. Lexojeni atë që ka lexuar dje para kamerave. Është nga fillimi në fund fjalim patetik i Sali Berishës. Lulzim Basha nuk bën dot më shumë se kaq. Nuk ka bërë më shumë se kaq as kur ka firmosur me papërgjegjësi çdo letër që i kanë vënë përpara për rrugën Rrëshen- Kalimash. Tashmë atij nuk i ngelet asnjë argument për t’u mbrojtur veçse të vetëshpallet patriot. Mos e pengoni në këtë rrugë. Shqipëria ka më shumë nevojë për “patriotë” sesa për ministra të Jashtëm kukull. Lëreni Lulzim Bashën të ecë në këtë rrugë që është nisur nga halli. Për gjithkënd që kërkon gjurmët e horrave në histori, kjo është rruga e duhur që na çon në strofkën e tyre.