Argita Malltezi: Padi në gjykatë për akuzat e Edi Ramës

Deklarata e vajzës së kryeministrit: “Edi Rama, i zënë në panik nga dalja në dritë e fakteve shokuese - të bëjë transparencën e 100 milionëve të bashkëshortes”
Argita Berisha Malltezi ka depozituar një padi në gjykatë lidhur me akuzat e ardhura përgjatë dy javëve të fundit në adresë të saj nga ana e Partisë Socialiste. Në reagimin e saj, vajza e kryeministrit deklaron se “i ngërthyer nga paniku i daljes në dritë të fakteve shokuese, të cilat flasin nëpërmjet firmës së të shoqes, Linda Ramës, në deklaratën e saj në ILDKP, lideri i opozitës, lëshon akuza qesharake të përditshme, të cilat i rrotullon në të gjithë trajtat gjuhësore, veçse për të dëshmuar moton e tij ‘shpif, shpif se diçka mbetet’”.
Edhe një herë tjetër, znj. Malltezi sqaron se të ardhurat e saj janë nga burime transparente, të ligjshme dhe nga veprimtaria profesionale, ndërsa Edi Ramës i kërkon të bëjë transparente 100 milionë lekët e huas së bashkëshortes së tij, të deklaruar në ILDKP pa lëvizje në llogari bankare, për të cilën Rama s’ka dhënë asnjë përgjigje, në përpjekje për të artikuluar gënjeshtrën e madhe.
“Z. Rama, si shpifës profesionist prej dy javësh, çdo ditë ke trilluar për të ardhurat e mia të realizuara të gjitha nga burime transparente, të ligjshme, nga veprimtaria profesionale, mësimdhënie në universitete publike e private, botime dhe kërkime shkencore, qira dhe trashëgimi familjare, të deklaruara të gjitha në tatime, ILDKP dhe të verifikuara prej tyre. Zinxhirit të gënjeshtrave iu shtuan tani spekulimet e dy ditëve të fundit, për të cilat, ju njoftoj, se sot kam depozituar padi në gjykatë. Të kujtoj z.Rama se tarifat e subjekteve private, vetëm në diktatura i caktojnë qeveritë; në vende të lira ato i nënshtrohen tregut të lirë. Dje ti bëre akuzën qesharake për pengesë të investimeve private, sot çirresh për tarifat e një aktiviteti privat, njëlloj si 7 vjet më parë bërtisje për rrogën time nga organizata e OKB. Të kujtoj gjithashtu se shqiptarët e dinë mirë se as rroga në OKB dhe as tarifat private, nuk janë hua 100 milionëshe pa interes dhe as pallate në Tiranë. Përsëri shqiptarët presin z.Rama që të bësh transparencën e 100 milionëve të huas pa interes të gruas tende, që bashkëshortja jote Linda Basha, i ka deklaruar në ILDKP pa lëvizje në llogari bankare. Por mesa duket, përgjigja dashka shumë kohë për tu gatuar!”, thuhet në reagimin zyrtar të Argita Berisha Malltezi.