E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Sportistët janë ambasadorët më të mirë të vendit tonë në arenën ndërkombëtare

Kryeministri Berisha priti sot pasdite në një takim ekipin kombëtar që do të përfaqësojë Shqipërinë në Lojërat Olimpike të Pekinit.

Kryeministri Berisha i përgëzoi sportistët, stafin udhëheqës të Komitetit Olimpik dhe trajnerët e tyre, të cilët në datën 27 korrik 08 nisen për në Pekin. Kryeministri u shpreh se me shumë kënaqësi ai do të jetë pranë tyre në hapjen e Lojërave Olimpike, për t’i ndjekur e përkrahur nga afër sukseset e sportistëve tanë. Kryeministri theksoi se midis të gjitha garave, Lojërat Olimpike janë ato më fisniket, sepse tashmë janë shndërruar në simbol të paqes dhe harmonisë midis popujve.

Kryeministri Berisha u shpreh i gëzuar që sportistët tanë arritën të kualifikohen për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike, me një delegacion të gjerë. Ai u garantoi atyre mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare dhe shprehu besimin për një garë cilësore dhe suksese të ekipit shqiptar gjatë olimpiadës.

Sportistët e falënderuan Kryeministrin Berisha për mbështetjen tij dhe të qeverisë shqiptare dhe u shprehën se do të bëjnë maksimumin për të dalë me rezultate të larta dhe për t’u kthyer në Shqipëri me medalje, duke qenë të bindur se ata janë një model integrimi për rininë shqiptare.    

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›