E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inspekton punimet në segmentin rrugor Vuno-Himarë

Kryeministri Berisha inspektoi sot punimet në segmentin rrugor Vuno-Himarë, pjesë e aksit të jugut deri në Sarandë.

Kryeministri Berisha përgëzoi kompaninë ndërtuese “Gjikuria”, e cila ka përfunduar brenda një kohe të shkurtër 80 % të punimeve të saj. Përfaqësuesit e kompanisë premtuan se do ta përfundojnë pjesën tjetër të rrugës në një kohë shumë të shpejtë.

“Me përfundimin e kësaj rruge ne i japim bregdetit një infrastrukturë moderne europiane, në 60 kilometra te saj. Rruga ka përfunduar në shumicën e fazave të saj dhe tani ka mbetur vetëm asfaltimi”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha tha se vendimi i marre dy vjet më parë nga qeveria lidhur me rregullin që nuk lejonte kompanitë të merrnin kredi, përveçse në  shuma të vogla, tregoi se ishte një vendim i drejtë. “Tashmë në pjesën më të madhe të punimeve në infrastrukturë punojnë kompani shqiptare,veç pjesëve të vështira, dhe keto kompani po bëjnë punime cilësore”, tha më tej Kryeministri.

Gjithashtu, Kryeministri u kërkoi drejtuesve të pushtetit vendor të hartojnë projektet për zhvillimin infrastrukturor, duke garantuar se qeveria është e gatshme t`i mbështesë dhe t`i financojë ato. Kryeministri Berisha premtoi se qeveria do të miratojë edhe projektin per impiantin e pastrimit të ujërave të zeza të Bashkisë së Himarës.

Hartimi me shpejtësi i projektit për segmentin rrugor nga Vunio në fshatin Ilias, tha më tej Kryeministri, është i domosdoshëm për të kompletuar të gjitha aksin e jugut.   

“Qeveria do të mbështesë me financime edhe projekte të tjera infrastrukturore, si ujësjellësa dhe impiante për pastrimin e ujërave për të ruajtur pastërtinë e ujërave të bregut”, u shpreh Kryeministri.          

Në përfundim të turit të tij të inaugurimeve në fshatrat bregdetare të jugut, Kryeministri Berisha tha se këto inaugurime ishin vetëm stacioni i radhës, pasi do të vazhdohet me përurime të tjera, të cilat janë të gjitha premtime të mbajtura.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›