Kryeministri Berisha: Buxheti suplementar, dëshmi e qartë e luftës kundër korrupsionit
Kryeministri Berisha tha sot në mbledhjen e Grupit parlamentar të Partisë Demokratike se paraqitja e buxhetit suplementar gjatë seancës së pasdites në Kuvend, përbën për të tretin vit me radhë sintezën më të arrirë, dëshminë më madhore dhe rezultanten më të qartë të suksesit të reformave të ndërmarra nga qeveria.
Kryeministri theksoi se buxheti suplementar i cili përbën një rast unik në historinë e qeverisjeve në kontinentin europian, është tërësisht rezultat i luftës me efikasitet të lartë kundër korrupsionit, i cili qëndron në bazën e tre fenomeneve kryesore; kontrabandës, evazionit fiskal dhe informalitetit.
“Lufta ndaj këtyre tre fenomene të cilat gllabëronin më parë sipas raporteve serioze të Bankës Botërore 1.4 miliardë dollarë para të taksapaguesve shqiptarë, bëri të mundur buxhetin suplementar, buxhet që në një vlerë kumulative është mbi 1 miliardë euro, kurse i këtij viti kap vlerën 280 milionë dollarë”, tha Kryeministri.
Buxheti, vijoi më tej Kryeministri Berisha, përbën një mbështetje të fuqishme të strategjisë së qeverisë për shërbimet dhe shërbesat. “Nga ky buxhet përfundon në portofolat dhe në xhepat e 800 mijë familjeve shqiptare punonjës buxhetorë dhe pensionistë rritja më e madhe e pagave dhe pensioneve që ka ndodhur ndonjëherë”, tha Kryeministri.
Më tej Kryeministri nënvizoi se jashtë këtij buxheti rritja e pagave dhe pensioneve do të ishte simbolike siç kanë qenë rritjet e dikurshme, por ky buxhet bëri të mundur të kompensohen dhe tejkalohet së paku 3 deri në 5 herë indeksimi i çmimeve në rritjen e rrogave dhe pensioneve.
Buxheti, vijoi Kryeministri, mbështet projektet e mëdha ambicioze të kësaj qeverie nga Konispoli në Valbonë dhe Vermosh për të përtërirë infrastrukturën në tërësi dhe me shpejtësi.“Buxheti suplementar i ka krijuar mundësinë qeverisë që normën e deficitit buxhetor të brendshëm ta ulë nga 3.2 të Prodhimit të Brendshëm Bruto në 1.6 % dhe deficitin e përgjithshëm nga 7.9 në 5.2 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto, aq sa është nënshkruar me Fondin Monetar Ndërkombëtar”, u shpreh Kryeministri.
Me këtë buxhet tha më tej Kryeministri, investimet arrijnë në vlera që s`kanë ekzistuar kurrë më parë 32 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe inflacioni ndonëse siç dihet i importuar dhe i imponuar për shkak të çmimeve të rritura të naftës dhe të grurit për shkak të vendimit për të rritur çmimin e energjisë mbi 300 kv/orë megjithatë ai do të mbahet falë këtij buxheti dhe këtij buxhetimi nga 2-4 %.
Kryeministri theksoi se buxheti suplementar u bë i mundur për shkak të tejkalimit të ndjeshëm që administrata qendrore fiskale i ka bërë planit.
“Duhet të theksojmë se 6 mujori që shkoi kjo administratë ka mbledhur 19 % më shumë të ardhura se periudha e vitit të kaluar ndërkohë që taksat janë ulur. Pra kjo administratë ka patur këtë 6 mujor taksën e Tatim Fitimit jo 25 por 10 %. Edhe të ardhurat doganore janë tejkaluar dhe janë 13 % më shumë se plani për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, theksoi Kryeministri Berisha.
TVSH-ja, tha Kryeministri, ka një tregues më kokëfortë mbi suksesin e administratës fiskale dhe konsolidimit të disiplinës fiskale. “ Ta ardhurat nga TVSH-ja janë rritur me 74.3 % në krahasim me 6 mujorin e parë të vitit 2005. E dëgjoja një ditë zëdhënësin financiar të PS-së, i cili bënte matematikën e Llakatundit dhe jo matematikën e Harvardit. U thoshte qytetarëve se të ardhurat nga TVSH-ja kanë ardhur nga rritja e çmimeve. Në tre vjet çmimet janë rritur 8-9 %, ndërsa të ardhurat nga TVSH-ja janë rritur 74.3 %. Por opozita nuk mund të rrijë pa bërë matematikë përmbys”, tha Kryeministri. Lidhur me këtë çështje Kryeministri shpjegoi se rritja e çmimeve nuk është kurrë e favorshme për vjeljen e taksave pasi ka shumë mënyra të tjera frenuese në këtë drejtim.
Kryeministri tha se të ardhurat nga tatim-fitimi në 6 mujorin e parë të vitit 2008 janë 8 % më të larta se në 6 mujorin e parë të vitit 2005, kohë kur kjo taksë ishte 25%.
Në këtë kontekst Kryeministri tha se i njëjti fenomen përsëritet në dogana dhe me TVSH-në ku paratë vilen dhe nuk vidhen. “Është rritur akciza me 90 %, por shqiptarë nuk pinë më 1500 ton kafe por pinë 5 mijë tonë kafe”, tha Kryeministri duke e vënë theksin në luftën kundër kontrabandës.
Kryeministri tha se ky buxhet përbën një arritje madhore ndërsa shprehu falënderimet për të gjithë ata që me përkushtimin dhe profesionalizimin e tyre bënë të mundur që t`u ngrohet xhepi 800 mijë familjeve shqiptare, që të mbahet nën kontroll inflacioni dhe që të garantohet rritja më e madhe e rrogave dhe pensioneve se kurrë ndonjëherë që nga viti `95 deri më sot dhe që të realizohen objektivat.
“Unë besoj se do t`i jepet një mbështetje e madhe këtij buxheti në parlament, sepse në fshat pensionet janë rritur 15 %, në qytet janë rritur 10 %. Rrogat kanë pësuar rritjen më thelbësore se asnjëherë tjetër, prandaj ju ftoj që të shprehni mendimet tuaja, ftoj opozitën me objektivitet të angazhohet në miratimin e tij në parlament, sepse është parlamenti që e shndërron atë në buxhet real për 800 mijë familje shqiptare, sepse nga ky buxhet u bë e mundur që edhe 2 miliardë lekë të tjera t`u kalojnë qeverive vendore për ujësjellës e kanalizime për të cilët ata kanë shumë nevojë”, tha Kryeministri Berisha.