Kryeministri Berisha pret drejtues të kompanisë “Sagem Securite”
Kryeministri Berisha priti sot delegacionin e kompanisë “Sagem Securite”, e cila një ditë më parë lidhi me Ministrinë e Brendshme kontratën për prodhimin e kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike, të kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm Jean Paul Jainsky. Në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, Ministri i Brendshëm Bujar Nishani dhe ambasadorja e Francës në Tiranë Maryse Daviet.
Zoti Jainsky, pasi shprehu falënderimet për punën e bërë për përfundimin e kontratës me transparencë dhe profesionalizëm, e njoftoi Kryeministrin Berisha se kompania e tij kishte zhvilluar mbledhjen e parë, duke filluar në këtë mënyrë punën për zbatimin e kontratës.
Pasi i falënderoi për punën e filluar dhe planin e biznesit të paraqitur, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që procesi transparent i tenderit përzgjodhi kompaninë “Sagem Securite” si kompaninë me ofertën më të mirë dhe me emër të madh në këtë fushë. Projekti i kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike, theksoi Kryeministri, ka rëndësi të veçantë kombëtare, sepse, së pari, ai përbën bazën e strukturave të reja, të procesit zgjedhor transparent; së dyti, përbën një bazë të rëndësishme për sigurinë dhe sigurimin e qytetarëve shqiptarë dhe së treti, u jep identitet të sigurt e të vërtetë atyre. Gjithashtu ky projekt ka rëndësi ndërkombëtare, pasi jo vetëm i prezanton denjësisht shtetasit shqiptarë, por përbën edhe një kusht thelbësor për realizimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe marrjen e statusit të plotë të vendit kandidat për në Bashkimin Europian.
Kryeministri Berisha i siguroi drejtuesit e “Sagem Securite” për mbështetjen e plotë të strukturave të qeverisë së tij, për të realizuar këtë projekt kaq të rëndësishëm. Kryeministri u bëri të ditur se në muajin shtator fillon funksionimin regjistri elektronik i gjendjes civile, që do të shërbejë si një bazë në punën e tyre.
Zoti Jainsky premtoi se kompania e tij, në bashkëpunim me partnerin e saj Fondin Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve dhe strukturat e Ministrisë së Brendshme, do të bëjnë të pamundurën për të fituar kohën e humbur dhe realizimin me sukses të këtij projekti. Zoti Jainsky tha dhe se ky projekt me Shqipërinë është cilësuar i rëndësishëm edhe nga qeveria e tij.