Kryeministri Berisha priti anëtarët e Shoqatës së Kryetarëve të Komunave të Kosovës
- Kryeministri Berisha ndërsa e cilësoi historik takimin e sotëm të Presidentit Sejdiu dhe Kryeministrit Thaçi me Presidentin Bush, u shpreh se Kosova po njeh gjithnjë e më shumë përkrahje nga ndërkombëtarët
Kryeministri Berisha mirëpriti sot në një takim anëtarët e Shoqatës së Kryetarëve të Komunave të Kosovës. Kryetari i Shoqatës së Kryetarëve të Komunave të Kosovës, zoti Bajram Rexhepi falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen, ndërsa i shprehu atij mirënjohjen për kontributin dhe vendosmërinë e tij në mbrojtje të pavarësisë, integrimit dhe modernizimit të Kosovës.
Kryeministri Berisha i uroi miqve kosovarë mirëseardhjen dhe i siguroi se ai do të mbështesë shkrirjen e barrierave ekzistuese në mjaft procese duke i sinkronizuar ato, ndërsa u shpreh se shqiptarët duhet të ndjehen njëjtë si në Kosovë dhe në Shqipëri dhe se ky është interesi i përbashkët i shqiptarëve.
Më tej, Kryeministri u shpreh se sheh me admirim përpjekjet e qeverisë qendrore dhe vendore të Kosovës për konsolidimin e pavarësisë së Kosovës dhe se ishte një sukses Konferenca e Donatorëve, dëshmi se në pesë muaj pavarësi institucionet e Kosovës po punojnë në drejtimin e duhur.
Takimi i sotëm i liderëve të Kosovës me Presidentin e SHBA-së, George W. Bush është një takim historik, vijoi më tej Kryeministri Berisha, duke shtuar se shteti i pavarur i Kosovës po njeh gjithnjë e më shumë përkrahjen ndërkombëtar.
Gjatë bisedës u theksua rëndësia e projekteve të përbashkëta në të gjitha fushat e zhvillimit, veçanërisht në infrastrukturë, në linjat e interkojeksionit për energjinë, në burime të reja të prodhimit të energjisë në investime të përbashkëta Kosovë-Shqipëri, në arsim etj.
Anëtarët e Shoqatës së Kryetarëve të Komunave të Kosovës u shprehën se në punën e tyre është prioritar zhvillimi i arsimit dhe ndërtimi i infrastrukturës në arsim, tërheqja e investimeve të huaja, por edhe të atyre të diasporës kosovare, e cila ka shprehur interes të madh, si dhe në rimëkëmbjen e infrastrukturës dhe ndërtimin e rrugësve të reja.