E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Buxheti suplementar, dëshmi e suksesit spektakolar të luftës kundër korrupsionit, kontrabandës dhe evazionit

- Disiplinat fiskale të qeverisë rritin buxhetin e parashikuar të 2008 me 500 milion dollare

Sot u zhvillua mbledhja e këshillit të Ministrave , e cila mori në shqyrtim projektligjin për disa ndryshime në ligjin nr. 9836, datë 26.11.2007 “Për buxhetin  e shtetit të vitit 2008.”

Kryeministri Berisha u shpreh se buxheti suplementar i cili do ti dërgohet parlamentit dëshmon për suksesin spektakolar të qeverisë në fushën e financave, e rritjes së shpejtë ekonomike, si dhe e luftës së pandërprerë kundër kontrabandës , evazionit dhe informalitetit. “Kjo mbledhje zhvillohet për një buxhet të ri jashtë radhe, për një buxhet suplementar, dëshmi e një suksesi spektakolar të qeverisë, në fushën e financave të vendit, e performancës, rritjes së shpejtë ekonomike, luftës kundër kontrabandës, evazionit dhe informalitetit, në tërësi luftës kundër korrupsionit.”

Kryeministri theksoi se e gjithë kjo është rezultat i zbatimit të disiplinave të sakta financiare. “Disiplinat financiare që ne kemi vendosur kanë bërë të mundur që ti drejtonim parlamentit sot, pa llogaritur ARMON dhe të ardhura të tjera nga privatizimi , pra ti drejtohemi sot me një buxhet prej rreth 270 milion dollarësh, ndërsa me të ardhurat e ARMO-s dhe privatizimit, buxheti që ne parashikuam në fillim të 2008 rritet edhe me 500 milion dollarë të tjera. “ tha kryeministri.

Kryeministri informoi se krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2005, të ardhurat nga Tvsh-ja në vitin 2008 janë 74 % më të larta. “Krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2005, të ardhurat nga TVSH-ja, niveli i të cilës është identik, si në 2005 dhe në 2008, janë 74 % më të larta.Faktikisht ne raport me GDP-në të ardhurat nga TVSH-ja në Shqipëri janë në nivelet më të lakmueshme dhe më të mira të rajonit, qartësisht mbi mesataren e rajonit.”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri bëri të ditur se po kaq impresionuese janë të ardhurat nga tatim fitimi. “Pas uljes së kësaj takse me 2,5 herë krahasuar me vitin 2005, dikush mund të mendojë se të ardhurat do të binin, por kjo nuk është e vërtetë. Të ardhurat krahasuar me 2005 megjithë uljen nivelit 2.5 herë të kësaj takse janë rritur me 8 %.”

Ndër të tjera, kryeministri, informoi se të ardhurat nga sigurimet shoqërore me gjithë uljen e nivelit të kontributeve prej 31 % janë rritur me 30 % , ndërsa të ardhurat  nga akcizat janë rritur me 90 %.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›