E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Buxheti suplementar mundëson uljen e ndjeshme te deficitit buxhetor

Kryeministri Berisha në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave bëri transparente mënyrën e përdorimit të parave të buxhetit suplementar dhe sektorët e shfrytëzimit të tyre. “Është normale që çdo qytetar shqiptar të shtrojë pyetjen. Çfarë bëhet me paratë tona. Dua të informoj qytetarët se me këto para shtesë 12 miliard do ti japim infrastrukturës,  kryesisht rrugëve në mbarë vendin. 2 miliard do ti jepen qeverisë vendore dhe restoja do të përdoret për pakësimin e deficitit buxhetor.

Kryeministri informoi se buxheti suplementar bën të mundur që deficiti buxhetor i  brendshëm të ulet nga 2.3 % e prodhimit të brendshëm në 1.6 % e prodhimit të brendshëm, duke shënuar uljen e tij historike më maksimale.

“Bën të mundur uljen e deficitit të përgjithshëm nga 7.9 % në 5, 2 të prodhimit të brendshëm,në normën e kërkuar nga FMN. Në këtë buxhet investimet kapitale rriten 2, 5 herë krahasuar me vitin 2007.”

Kryeministri theksoi se qeveria që ai kryeson ka ulur 32 % në terma reale shpenzimet operative krahasuar me 2005.

“Qeveria shkon në parlament me këtë buxhet dhe del para qytetarëve shqiptarë e qetë sepse ajo ka ulur 32 % në terma reale shpenzimet operative të saj krahasuar me 2005. Kjo përbën një meritë të veçantë, të qenit modest dhe i përkorë dhe jo abuziv. Ky është një detyrim moral dhe ligjor për të gjithë zyrtarët.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›