Kryeministri Berisha: Lufta kundër korrupsionit, zotim i mbajtur dhe perparësi numër një e qeverisë
Në mbledhjen e sotme të këshillit të Ministrave e cila miratoi buxhetin suplementar, Kryeministri theksoi se rritja e të ardhurave si ajo e TVSH-së prej 74 %, sigurimeve shoqërore prej 30 %, e tatim fitimit prej 8 %, apo e akcizave prej 90 %, është dëshmi spektakolare e luftës së pandërprerë që po zhvillon qeveria kundër korrupsionit. Kryeministri u shpreh se tashmë këto të ardhura nuk përfundojnë në xhepin e evazorëve dhe kontrabandistëve, por në arkën e publikut. “Është bërë tashmë publikisht e njohur, e pranuar edhe nga kundërshtarët tanë se kjo qeveri i mbledh të ardhurat dhe nuk i vjedh ato.”
Kryeministri theksoi se angazhimi parësor i qeverisë që ai kryeson do të mbetet lufta kundër korrupsionit, e cila tashmë do të vijojë më eficente se kurrë.
Duke shprehur vlerësimin tim më të madh dhe falënderimin për të gjithë punonjësit e financave të Shqipërisë, që ja dolën të konsolidojnë në këtë vend një disiplinë fiskale për të cilën Shqipëria kishte më shumë nevojë se për çdo gjë tjetër sërish zotohem para shqiptarëve se lufta kundër korrupsionit do të jetë përparësia numër 1, e kësaj qeverie”, tha Kryeministri.
Kryeministri informoi se buxheti i shtetit, i cili është dhe arka e dytë e shqiptarëve ka inkasuar 44 miliard lekë, rreth 600 milion dollarë më shumë se në gjashtemujorin e parë të vitit 2005.