E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: “Të bëhet kthesë rrënjësore në qëndrimin zyrtar ndaj librit”

Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar dje gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave

një kthesë rrënjësore në qëndrimin zyrtar ndaj librit. Problemi i librit dhe politikat e qeverisë ndaj bibliotekave ka qenë kryefjala e kësaj mbledhjeje. “Duhet bërë një kthesë rrënjësore në qëndrimin zyrtar ndaj librit. Qëndrimi zyrtar ndaj librit duhet të jetë qëndrimi i mbështetjes, i promovimit të fuqishëm të librit dhe vlerave të tij, si dhe krijimi i të gjitha mundësive që libri të përmbushë si duhet rolin dhe misionin e madh që ka”, - është shprehur Kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së radhës së qeverisë.

Kryeministri e ka vlerësuar tregun aktual të librit, por nga ana tjetër ai ka theksuar edhe një sërë problemesh që i kanosen drejtpërsëdrejti. “Zhvillimet në këtë fushë janë ndër më pozitivet, janë me dhjetëra shtëpi botuese që botojnë me cilësi autorë vendas dhe të huaj, por ajo që ka mbetur ende problematike, është tregu i librit”, - duke shtuar se “gjatë këtyre viteve, libraritë në shumë raste e humbën destinacionin e tyre shumë të rëndësishëm. Në shumë rrethe nuk ka librari të mirëfillta, nuk ka lokale ku të shitet libri dhe rrjeti i librarive të vendit është shumë i cunguar”.

Berisha është fokusuar edhe në faktin që në bibliotekat e shkollave ndihet mungesa e theksuar e librave të autorëve ndër më të njohur të penës shqiptare dhe asaj të huaj. “Nëse shkon në bibliotekat e shkollave, rrezikon që autorët shqiptarë, rilindasit dhe autorë të tjerë që kanë botuar vepra në Shqipëri dhe jashtë saj, që janë të njohur në Shqipëri dhe në botë, si Ismail Kadare etj., të jenë ekzotikë në këto biblioteka. Të mos flasim pastaj për libra të tjerë që mund të mos jenë fare nëpër raftet e tyre dhe që mund të kenë tjetër karakter”, - thotë Kryeministri Sali Berisha. Gjithashtu, ai ka shprehur pakënaqësinë që shkollat shqiptare vuajnë këtë gjendje edhe pse ato mund të jenë të pajisura me pajisje të nevojshme prestigjioze, ku shprehet se “ne po i pajisim shkollat me laboratorë informatike dhe kjo është shumë e domosdoshme, por nuk mund të themi se kemi bërë kujdesin e duhur për të pasur krahas tyre edhe bibliotekë në çdo shkollë”.

Para anëtarëve të kabinetit të qeverisë, Kryeministri i vendit ka shtuar se në të ardhmen ne do të hapim bibliotekat virtuale dhe këto përbëjnë një zhvillim madhor, megjithëse sërish libri mbetet një libër dhe është i pazëvendësueshëm. “Lexuesi gjatë shfletimit të librit prek autorin dhe asgjë nuk mund të zëvendësojë vlerën e të lexuarit”, - thotë Berisha. Ndërkohë që jemi në prag të filmit të vitit të ri shkollor, kreu i shtetit i ka kushtuar një vëmendje të veçantë. “Jemi në fillim të vitit të ri shkollor dhe do të doja që kjo çështje të ishte shumë e rëndësishme për të gjitha shkollat e Shqipërisë”, - shton ai.

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave Berisha ka tërhequr vëmendjen e titullarëve të Ministrisë së Arsimit dhe Bibliotekës Kombëtare. Ai ka kërkuar një bashkëpunim mes këtyre instancave në konsulencë edhe me grupe të veçanta interesi në kuadër të platformës për një qëndrim zyrtar ndaj librit. “Zoti ministër i Arsimit është e domosdoshme që në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare, si dhe duke u konsultuar me grupet e interesit, shkrimtarët, botuesit, të hartohet një platformë me të cilët qeveria të shënojë një kthesë rrënjësore të qëndrimit indiferent zyrtar ndaj librit. Zoti Fatos Beja, ju, së bashku me zotin Aurel Plasari, drejtor i Bibliotekës Kombëtare, duhet të përpunoni një platformë, e cila të sanksionohet në vendim qeverie, por në rast nevoje edhe në ligj, në mënyrë që të ndalohet pluhurosja e mëtejshme dhe e pamerituar e librit. Libri duhet të vendoset në piedestalin në të cilin u ka rezistuar të gjitha kohërave. Qëndrimi zyrtar nuk mund të jetë një qëndrim indiferent, sepse asgjë nuk e zëvendëson librin”, - ka shtuar Kryeministri i Shqipërisë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›