E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohet rastësisht portreti i Afërditës, perëndeshës së bukurisë

Arkeologët zbulojnë në qytetin e Amantias një terakotë (kallëp) me figurën e një gruaje.

Gjatë një ekspedite informative për rilevimin topografik të territorit të Parkut Arkeologjik të Amantias në afërsi të fshatit Plloçë të rrethit të Vlorës, një grup i vogël arkeologësh kanë zbuluar rastësisht një terakotë prej balte të pjekur në formë kallëpi me figurën e një gruaje që prej tyre dyshohet se bëhet fjalë për një portret të perëndeshës së bukurisë, Afërditës.

Terakota që përbën formën “negative” të portretit të perëndeshës e cila është gjetur në pozicion të përmbysur, pothuajse në sipërfaqe të pjesës qendrore të bllokut të banesave antike që janë të vendosura sipër kurrizit të kompleksit shkëmbor, ka përmasat 15 cm lartësi dhe 9 cm gjerësi.

Portreti i brendashkruar në një kallëp prej balte paraqet një fytyrë mjaft të bukur të një gruaje, flokët e saj në të dy anët e fytyrës, një kurorë të vendosur sipër flokëve, pjesën e sipërme të krahut të majtë, pjesën e përparme të trupit dhe gjoksin e mbuluar me një hiton transparent që mund të konsiderohet si e ngjashme me disa portrete të tjera të Afërditës, perëndeshë e bukurisë dhe njëkohësisht nëna e Erosit, perëndisë së dashurisë.

Sipas arkeologut prof. Dhimitër Çondi, që së bashku me kujdestarin e parkut, një nga banorët e “kalasë” i quajtur Agim, i cili ishte i pari që e preku objektin e rrallë antik, “bëhet fjalë për një pjesë kallëpi me baltë të pjekur që duket fare qartë se është përdorur nga mjeshtrit poçarë të prodhimeve të artizanatit apo artistët e njohur amantë, për të prodhuar në seri skulptura të vogla balte apo bronzi me të cilat zbukuronin mjediset e banesave të tyre familjare ose i shisnin tek banorët e qyteteve përreth si, Olimpia (Mavrovë), Orikum, Bylis, Treport etj”.

Arsyet që i bëjnë arkeologët të dyshojnë se bëhet fjalë për një portret të perëndisë së bukurisë janë të shumta: vendi i gjetjes, mënyra e veshjes transparente, gjoksi i zhvilluar, hiret e fytyrës, kurora mbi flokë dhe mbi të gjitha, prania në Amantia e tempullit të Afërditës. Përtej njërës prej shtatë hyrjeve të evidentuara deri tani në muret fortifikuese të qytetit, në pjesën jugperëndimore lartësohej tempulli i Afërditës.

Një nga arkeologët e njohur shqiptarë që ka marrë pjesë në disa ekspedita arkeologjike në Amantia, prof. Neritan Ceka, në librin e tij “Udhëtim në kështjellat ilire” (Migjeni, 2006) shkruan: “Udhëtari mund të vinte re menjëherë se Amantia ishte qytet i artit. Nëpër rrugë të zinte syri skulptura të vendosura për zbukurim. Te tempulli i Afërditës mund të gjeje një numër të madh figurash balte të punuara nga poçarët e qytetit, që paraqisnin perëndeshën”. Ndërsa arkeologu i parë që e ka vizituar dhe përshkruar Amantian, profesori austriak Karl Paç, sipas prof. Cekës, në librin e tij për kërkimet arkeologjike në Shqipëri botuar në vitin 1904, për Plloçën fshatin e vendosur sipër rrënojave të qytetit antik shkruante: “Fshati i vendosur në shpatin perëndimor të kodrës është plot me mbetje antike, të cilat janë nxjerrë nga grumbuj gurësh. Secila nga të 28 shtëpitë ka në mure apo në oborr një koleksion të vogël antikash”. Rreth 50 vjet pas austriakut Karl Paç, në rrënojat e Amantias nisën ekspeditat e para arkeologët shqiptarë Skënder Anamali, Hasan Ceka dhe Frano Prendi, e disa dekada më pas edhe nxënësit e tyre, Neritan Ceka e Vasil Bereti.

Survejimi arkeologjik zbulon rastësisht objektin e rrallë

Në fakt, projekti arkeologjik i nisur nga Instituti i Arkeologjisë, Universiteti i Sinsinatit dhe zyra e Parkut Arkeologjik të Amantia-Orikumit, sipas drejtorit të kësaj zyre, Gëzim Llojdia, nuk ka lidhje me gërmimet arkeologjike, por vetëm me marrjen e informacionit në terren për përgatitjen e një harte të saktë dixhitale për këtë qytet antik e mjaft të rëndësishëm të Ilirisë së Jugut që prej dy vjetësh administrohet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si një nga 7 parqet arkeologjike të Shqipërisë.

Në grupin e arkeologëve të kësaj ekspedite survejuese-informative, që është pararendëse e ekspeditës që parashikon gërmime të mirëfillta arkeologjike gjatë vitit 2009, bëjnë pjesë arkeologë vendas dhe të huaj, si arkeologu sarandjot as. prof. Dhimitër Çondi, arkeologu amerikan prof. dr. Devid Hernandes i Universitetit Sinsinati në SHBA, arkeologia angleze mast. Emili Glass dhe dy studentë shqiptarë Mirgen Shametaj dhe Mentor Osmani. Ecuria e punimeve të kësaj ekspedite informative është ndjekur nga afër edhe nga drejtorja e Institutit të Arkeologjisë të Tiranës prof. Shpresa Gjongecaj dhe arkeologu i njohur i këtij instituti prof. Ilir Gjipali.

Puna e grupit të përfshirë në këtë projekt ka nisur 10 ditë më parë duke filluar me survejimin topografik dixhital të stadiumit sportiv të Amantias, një objekt madhështor në formë patkoi në shkallët e të cilit mund të uleshin rreth 3 mijë spektatorë, i cili, si vetë qyteti, daton në shekullin IV-II p. K. dhe që është një nga tre të tillët që janë zbuluar deri tani në krejt territorin e Ballkanit. Më tej është vazhduar me objektet e tjera monumentale si muret rrethuese fortifikuese rreth 2 mijë metra të gjatë dhe të vendosur si vazhdim i prerjeve shkëmbore përreth qytetit, shtatë portat hyrëse, tempullin e Afërditës, nekropoli, agoraja, komplekset e banesave, akropolin e vendosur në pikën më të lartë të qytetit nga ku në një ditë me ajër të pastër mund të dallosh qartë dy qytetet e tjera të së njëjtës periudhë, Bylisin dhe Olimpian.

Pikërisht, në momentin kur arkeologu Dh. Çondi dhe kujdestari i parkut, i quajtur Agim, pas verifikimeve të bëra mbi një planimetri të ndërtuar vite më parë nga arkeologu Neritan Ceka, tek zbrisnin përmes bllokut të banesave ndërtuar mbi masivin shkëmbor, para tyre, pothuajse në një sipërfaqe të zbuluar nga reshjet, u shfaq pjesa e pasme e një pllake të kuqërremtë balte të pjekur. “Forma e saj e ndryshme nga mijëra tjegulla, tulla dhe mbetje të tjera prej qeramike dhe balte, tërhoqi vëmendjen tonë dhe pasi e morëm në dorë, pamë se në pjesën e mbuluar gjendej gjurma e qartë e “negativit” të një portreti të pastër femre.

Pavarësisht se pamja e brendashkruar në terakotën lexohej lehtësisht, për arkeologët e entuziazmuar së tepërmi nga gjetja, ishte e vështirë të dalloheshin tiparet e portretit. Për të krijuar një ide më të afërt për përkatësinë dhe përngjashmërinë e figurës me portretet më të njohura të lashtësisë, ata iu drejtuan skulptorit gjirokastrit Stefan Papamihali (Skulptor i merituar). Në bashkëpunim me artistin gjirokastrit, ata mundën të realizojnë një kopje prej balte të portretit që pas kësaj u duk se ishte e ngjashme me disa portrete të njohura të perëndeshës së bukurisë Afërditës, të zbuluara më parë nga arkeologë të ndryshëm. Megjithatë, pas marrjes në dorë dhe studimit më të hollësishëm të portretit të nxjerrë nga kallëpi prej skulptorit gjirokastrit, specialistët e arkeologjisë që e gjetën atë, nuk përjashtuan mundësinë që portreti i gjetur, për shkak të kurorës, t’i përkiste motrës së Zeusit, Demetrës, perëndeshës së pllenimit, bujqësisë, familjes dhe martesës. Sidoqoftë, terakota e zbuluar krejt rastësisht, sipas prof. Shpresa Gjongecaj, do t’u nënshtrohet studimeve më të hollësishme.

Objekte të tjera të gjetura në Amantia

Qysh nga fillimi i shekullit të kaluar, plot 100 vjet më parë, kur në rrënojat e qytetit të artistëve, tregtarëve, sportistëve, vrapuesve, mundësve dhe boksierëve u shfaq silueta e arkeologut austriak Karl Paç, e deri në ditët e fundit të zbulimit të portretit të rrallë të Afërditës, nga nëntoka e Amantias janë zbuluar dhjetëra dhe qindra koleksione objektesh antike. Sipas shkrimeve të tij, në këtë fshat që atëherë numëronte rreth 28 shtëpi, brenda rrënojave kishte plot mbetje antike të nxjerra nga rrënojat dhe se “secila nga të 28 shtëpitë ka në mure apo në oborr një koleksion të vogël antikash”. Mandej Paçi u bind se kishte zbuluar Amantian, vetëm kur mes koleksioneve me monedha bronzi të ofruara nga fshatarët, ai dalloi qartë monedhat me emrin e qytetit. Tradita e koleksionimit të antikave ka vazhduar dhe vazhdon. Një nga banorët e shtëpive që gjenden brenda parkut kishte grumbulluar një koleksion me të paktën 50 monedha të ndryshme të cilat sikurse shprehet vetë, kërkon që t’ia shesë institucioneve të shtetit pasi pjesën më të madhe e ka të trashëguar nga të parët e fisit të tij. Edhe prof. N. Ceka në shkrimet dhe studimet e tij e konsideron Amantian si një nga qytetet me profil dhe traditë artistike. Në Amantia dhe përreth saj janë zbuluar dhjetëra monedha të qytetit ku është stampuar vetë Zeusi me rrufenë e tij, skulptura dhe relieve artistike që paraqesin hyjninë e pyjeve, Panin, perëndinë e verës dhe teatrit Dionisin, perëndinë e shëndetit, Asklepin etj.

Sipas Neritan Cekës, objektet më të hershme të gjetura në Amantia i përkasin shek. V para Krishtit kur u ndërtua kështjella. Por, muret fortifikuse, kullat dhe portat e shumta të hyrjes në qytet të habisin edhe sot me pamjen e tyre madhështore të ndërtuar me blloqe guri drejtkëndor, trapezoidak dhe poligonal, me stadiumin e rrallë, me tempullin e Afërditës, agoranë apo nekropolin me varre monumentalë. Nëse infrastruktura rrugore që të çon në këtë perlë të vërtetë të antikitetit do të ishte më e favorshme për lëvizjen e vizitorëve dhe turistëve, Amantia do të sfidonte me siguri edhe shumë site me emër brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›