E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës; Festivali Ndërkombëtar i Filmit, një audiencë të lartë

Në mbrëmjen që lamë pas, sipas programit kanë konkurruar filmi norvegjez “Mirush” i regjisorit Marius Holst, që trajton temën e një emigranti shqiptar në Norvegji, si dhe filmi maqedonas “True miracle” (Mrekullia e vërtetë) i regjisorit Lucas Nola. Dje ka qenë dita e katërt e edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar Veror të Filmit në Durrës.

Mbrëmjen e tretë të garës kanë konkurruar për çmimin “Gladiatori i artë”, filmi shqiptar “Mao Ce Dun” i regjisorit Besnik Bisha dhe filmi italo-francez “Life sentence” i regjisorëve Daide Barleti dhe Lorenzo Conte.

Organizatorët e Festivalit Ndërkombëtar Veror të Filmit, edicioni i parë i filmit me metrazh të gjatë në Shqipëri, që po zhvillohet në qytetin bregdetar të Durrësit, janë shprehur entuziastë për audiencën e lartë të spektatorëve që kanë ndjekur filmat e programuar në këtë aktivitet.

Organizatorët Anila Varfi dhe Xhevdet Ferri shprehen të kënaqur për mikpritjen e qytetit të Durrësit, ndjeshmëria e të cilit për artin e kinemasë ndihet veçanërisht në arenën e amfiteatrit antik, ku çdo natë shfaqen dy nga filmat që kanë konkurruar zyrtarisht më parë në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”. Drejtori i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Xhevdet Ferri, shprehet se “tashmë skepticizmi që na brente para fillimit të veprimtarisë, ka kaluar plotësisht. Qyteti i Durrësit ka reaguar si një qytet i vërtetë arti dhe ne ndihemi të entuziazmuar për audiencën e lartë në arenën e amfiteatrit antik”.

“Gjatë shfaqjes së filmit “Koha e kometës” mbi 800 shikues, një pjesë e të cilëve të ulur në kodrinën që rrethon platenë e organizuar, kanë ndjekur premierën botërore të filmit shqiptar të regjisorit Fatmir Koçi, mbështetur mbi veprën e Ismail Kadaresë”, - u shpreh drejtori i QKK-së. Specialistët e kinemasë, kritikët dhe artistët e ftuar janë gjithnjë të pranishëm jo vetëm në projektimet e filmave konkurrues, por edhe në konferencat e shtypit që organizohen çdo paradite në sallën e përgatitur me këtë rast në teatrin “Aleksandër Moisiu”. Anila Varfi, drejtore artistike e këtij festivali, tregon se një staf prej 45 vetësh punon për mbarëvajtjen e Festivalit Ndërkombëtar Veror të Filmit. Një pjesë e tyre janë punonjës të teatrit të Durrësit, ndërsa pjesa tjetër janë punësuar për të gjitha llojet e shërbimeve brenda dhe jashtë mjediseve të festivalit. Sipas Varfit, zgjerimi i numrit dhe gamës së seksioneve për filmat në konkurrim do të jetë një nga pikësynimet e edicionit të dytë. “Organizimi i një seksioni të veçantë për filmin shqiptar, fituesi i të cilit duhet t'i nënshtrohet konkurrimit për të qenë pjesë e garës ndërkombëtare për “Gladiatorin e artë”, do të mundësojë krijimin e hapësirave për një festival me frymëmarrje të gjerë jo vetëm rajonale”, - nënvizoi Varfi.

“Nga dita e parë festivali po vëzhgohet nga organizatorë të festivaleve të tjera si TOFFI në Poloni. Mbërritja e një fituesi të çmimit “Oskar” si Jiri Menzel, apo prezantimi i filmave cilësorë si ai që paraqiti Irani, janë premisa të mira për të ardhmen”, - tha Varfi.

Filmi grek “Correction” i regjisorit Thanos Anastopulos ka mbledhur qindra shikues një natë më parë në arenën e amfiteatrit antik të qytetit. Megjithëse për arsye teknike mungonte përkthimi në gjuhën shqipe, filmi që trajton copëza dramatike nga jeta e emigrantëve shqiptarë në Greqi është ndjekur me interes nga shikuesit, një pjesë e të cilëve pushues në plazhin më të madh të vendit. Të gjithë filmat që janë shfaqur në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”, përveç subtitrimit në gjuhën angleze kanë një subtitrim të dytë në gjuhën shqipe. Deri tani janë projektuar katër filma të huaj, prodhime nga Sllovenia, Serbia, Greqia dhe Italia, që të gjithë të subtitruar në të dyja gjuhët.

Filmat konkurrues të festivalit projektohen në sistemin 35 mm, ndërkohë që projektimi i tyre realizohet nga një firmë e specializuar italiane, e kontraktuar për këtë veprimtari. Të gjitha bobinat e filmit shtrohen në një superbobinë të madhe për të shmangur ndërprerjet e mundshme gjatë transmetimit.

Restaurohen 111 veshje të Adem Jasharit

Në Laboratorin e Konservimit dhe Arkeometrisë në Tiranë ka përfunduar restaurimi etnografik i 111 veshjeve të heroit legjendar të Kosovës, Adem Jashari, përfshirë edhe veshje të familjes së tij, të gjetura pas luftës.

Prof. Frederik Stamati, përgjegjës në këtë laborator, shprehet se “momentalisht po përfundojmë pesë veshje të tjera: pantallona, xhaketë etj., ndërkohë që kanë mbetur edhe shtatë veshje të tjera, të cilat mendohet të përfundojnë restaurimin në muajin shtator”.

Sipas tij, në përfundim të procesit të restaurimit, koleksioni i veshjeve do të dërgohet në Prishtinë, në fondacionin “Adem Jashari”.

Të gjitha rrobat janë sjellë në laborator në muajin qershor të vitit të kaluar, ku pas pastrimit dhe dezinfektimit, është punuar për ngjitjen dhe qepjen e tyre. Në muajin shtator pritet të përfundojë restaurimi i 123 rrobave të Adem Jasharit dhe familjes së tij.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›