E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në heshtje përvjetori i nobelistes shqiptare, Nënë Tereza

Në kujtesën e të gjithëve ajo është e ruajtur si një grua shtatvogël, veshur me mantelin e bardhë me dorën e zgjatur drejt njerëzve në nevojë ku në fytyrën e saj rrezatonte mirësia. Kjo është figura e Nënë Terezës, e cila dje kishte përvjetorin e 98-të të lindjes së saj. Ndërkohë që në ditën e djeshme institucionet përkatëse duhet të kishin organizuar aktivitete në nder të humanistes shqiptare, gjithçka ka kaluar në heshtje të plotë. Përvjetori i shenjtores shqiptare u kujtua nga shqiptarët e Maqedonisë dhe të Kosovës, të cilët vlerësuan në këto takime veprat e bamirëses, ndërkohë që ky përvjetor nuk shënoi asgjë në Shqipëri.

Nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve mësohet se nobelistes shqiptare i kanë dhënë një rëndësi të veçantë gjatë viteve të fundit me një mori aktivitetesh të larmishme, por në ditën e djeshme, sipas burimeve pranë kësaj instance, sa i përket përvjetorit të lindjes së shenjtores, zakonisht institucionet shtetërore i japin rëndësi më shumë përvjetorëve të rrumbullakët. Që do të thotë se rëndësia është më e madhe në ato raste kur bëhet fjalë për dhjetëvjetore apo në rastin konkret, nëse do të ishte njëqindvjetori i saj. Për Nënë Terezën e Kalkutës ka pasur një buxhet shumë të madh. Janë kryer aktivitete në Shkodër, sidomos në kryeqytet, dhe në vende të tjera. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve është e hapur për çdo individ që të sjellë një projekt të caktuar lidhur me Nënë Terezën edhe në atë rast kur nuk bëhet fjalë për përvjetorin e saj në çdo kohë. Gjithashtu, kohët e fundit aktivitetet kushtuar Nënë Terezës së Kalkutës kanë qenë të shumtë si në pikturë, poezi, skulpturë, letërsi, histori e krijimtari të tjera si këto.

Aktivitete përkujtimore janë zhvilluar dje në Maqedoni me rastin e 98-vjetorit të lindjes së bamirëses shqiptare Nënë Tereza. Programi ka filluar me homazhet pranë memorialit të saj në Shkup. Ndërkohë që pasdite është zhvilluar një përkujtimore në Parlamentin e Maqedonisë, ku janë ndarë edhe çmime të ndryshme shtetërore “Nënë Tereza”. Në kuadër të këtij aktiviteti, është realizuar edhe promovimi i librit “Nëna ime Nëna Terezë” e autores Kadrije Zejnullahu, ndërsa i pranishëm ka qenë edhe dr. Dom Lush Gjergji, kreu i Ipeshkëvisë Shkup-Prizren.

Aktivitete përkujtimore për humanisten shqiptare Nënë Tereza priten të zhvillohen përgjatë gjithë muajit shtator. Më datë pesë shtator do të përkujtohet përvjetori i amshimit të nobelistes shqiptare, ndërsa më 26 shtator do të kujtohet 80-vjetori i largimit të saj nga Shkupi, një datë përkujtimore që për herë të parë shënohet në Maqedoni.

Shqiptarja shkupjane, Anjeza Gonxhe Bojaxhi, në moshën 18-vjeçare vendosi të bëhej misionare katolike duke braktisur qytetin e saj të lindjes, për t’ia përkushtuar jetën të sëmurëve dhe të varfërve në Indi. Në vitin 1950 ajo e themeloi organizatën “Misionarët e Mëshirës”, e cila i zgjeroi aktivitetet e saj nëpër botë. Më 1979 Nënë Terezës iu dha çmimi Nobel për paqe. Në tetor të vitit 2003 Papa Gjon Pali i Dytë e shpalli atë shenjtore.

Edhe murgeshat e misionit bamirës “Nënë Tereza” në Kalkuta të Indisë kanë zhvilluar një lutje speciale me rastin e 98-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, themelueses së urdhrit të Kalkutës në Indi.

Gonxhe Bojaxhiu u lind më 26 gusht të vitit 1910. Në Shkup mbaroi shkollën fillore, gjimnazin dhe mësimin fetar në kishën “Zemra e Jezusit”, vendin ku është sot përmendorja e saj dhe ku ajo është pagëzuar. Nënë Tereza e Kalkutës, e njohur si “Shenjti i të varfërve”, vdiq nga një atak zemre në shtator të vitit 1997, në moshën 87-vjeçare.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›