E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri islandez vlerëson trashëgiminë kulturore të Durrësit

Kryeministri i Islandës, Geir H. Haarde ka vizituar dje Muzeun Arkeologjik të qytetit antik të Durrësit. Pas shumë takimesh në vendin tonë, në axhendën e tij ishte e përfshirë edhe një vizitë në këtë institucionin të vlerave kulturore. Gjatë kësaj vizite Kryeministri është shoqëruar edhe nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Ylli Pango, si dhe nga kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.

Kështu, gjatë ditës së djeshme Kryeministri islandez në Muzeun Arkeologjik të qytetit bregdetar dhe amfiteatrin antik, është njohur me vlerat e trashëgimisë dhe me një historik të shkurtër të po këtij qyteti dhe më gjerë.

Gjatë kësaj vizite në amfiteatër, i cili është edhe një monument unik i llojit të vet në Shqipëri, ministri i Kulturës, Ylli Pango, i ka prezantuar Kryeministrit Geir H. Haarde të gjithë punën e kryer gjatë kohëve të fundit. Gjithashtu, atë e ka njohur edhe me vizionin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për hapjen e tij, si dhe gërmime të mëtejshme në zonën përreth, duke bërë kështu të mundur një prezantimin sa më të mirë të tij. Veç kësaj, ministri Pango nuk e ka anashkaluar punën e bërë nga qeveria shqiptare për zhvillimin e turizmit dhe njohjen e trashëgimisë sonë kulturore në rajon dhe më gjerë, për t’ia prezantuar më tej Kryeministrit të Islandës, z.Haarde.

Ministri i Kulturës, ndër të tjera e ka vlerësuar vizitën e kreut të qeverisë islandeze si dhe bashkëpunimin e mëtejshëm mes dy vendeve tona në fusha me interes të përbashkët. Ndërkohë që z.Haarde po vizitonte Muzeun Arkeologjik, ka theksuar se Durrësi është një qytet me vlera të mëdha të trashëgimisë kulturore.

Këtë vit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar numri i vizitorëve në zonën historike dhe kulturore të qytetit antik të Durrësit është trefishuar, çka nënkupton se interesi i turistëve vendas dhe të huaj ka ardhur duke u rritur.

Amfiteatri i Durrësit është i vetmi në Shqipëri. Sipas përllogaritjeve, ai mund të mbante nga 15 000 deri me 20 000 spektatorë. Aksi i madh është 120 m dhe i shkurtri 101 m. Aktualisht, vetëm gjysma e amfiteatrit është zbuluar. Nga çfarë ka mbijetuar mund të shihet qartësisht shkallarja, pjesë të mureve rrethuese të arenës, e cila është 61 me 92 metra, galeritë nën shkallaren, dhe dy menianume të mbuluara me pllaka guri. Amfiteatri është ngritur në fund të shek. I - fillimin e shek. II e.s., në një strukturë me mure tullash dhe guri. Sipas një mbishkrimi të zbuluar, në kohën e mbretërimit të Perandorit Adrian (97-117 e.s.) për përurimin e bibliotekës së qytetit 12 çifte gladiatorësh u ndeshën në amfiteatër. Në shek. IV e.s., pas braktisjes, pllakat e gurta të mbulesës u hoqën. Në një nga galeritë e amfiteatrit, në shek. VII u ndërtua një kapele me mozaik mural dhe arena u shndërrua në varrezë. Pjesa më e madhe e monumenteve kryesore të Durrësit të cilat janë më të vizituara, janë kështjella antike dhe mesjetare, amfiteatri, Termat Rokame, Ujësjellësi Romak, dhe monumente te tjera pagane dhe kristiane. Në disa nga këto monumente janë zbuluar edhe mozaike.

Muzeu Arkeologjik ka një koleksion të pasur prej 20 000 objektesh si qeramikë, enë qelqi, skulptura arkitektonike dekorative, skulpturë e rrumbullakët, reliev, gurë varresh, stela, objekte të argjendarisë, monedha etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›