E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moratinos: Në samitin e ardhshëm - Kosova dhe Serbia

Në samitin e ardhshëm të liderëve të Bashkimit Europian dhe të Ballkanit do të marrin pjesë si Kosova, ashtu edhe Serbia, tha Miguel Angel Moratinos, ministër i Jashtëm i Spanjës, që aktualisht e kryeson presidencën e radhës së Bashkimit Europian.

“Mendoj se ne do të kemi sukses që çdokush të marrë pjesë, duke e respektuar çdo ndjeshmëri dhe legalitet ndërkombëtar”, tha mbrëmë ministri Moratinos, në Bruksel.

Këto komente u bënë pak ditë pasi Serbia e bojkotoi samitin rajonal në Slloveni, për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës.

Moratinos nuk dha detaje se si ai planifikon t’i kapërcejë vështirësitë organizative, që dalin nga mospajtimet ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Me gjasë, ai nuk do ta ketë lehtë në bisedimet me përfaqësuesit e Kosovës, pasi Spanja është njëra nga pesë vendet e BE-së, që nuk e ka njohur Kosovën.

Presidenca spanjolle e BE-së planifikon mbajtjen e një takimi të nivelit të lartë me liderët ballkanikë në Sarajevë, në fund të muajit maj ose në fillim të qershorit. /rel/

Bildt: Beogradi të bashkëpunojë me BE-në për çështjen e Kosovës

Ministri i Jashtëm i Suedisë Carl Bildt, ka thënë se Bashkimi Evropian (BE) duhet të sigurojë prezencën e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në konferencën e Sarajevës, ndërsa ky takim duhet të miratojë edhe rezultate konkrete.

Në një intervistë për "Deutsche Wellen", Bildt ka deklaruar se nga Beogradi nevojitet një bashkëpunim praktik me BE-në për çështje të caktuara.

"Kur bëhet fjalë për pavarësinë e Kosovës, përgjigjja është se për momentin, të gjithë nuk pajtohemi rreth kësaj”, ka thënë kryediplomati suedez.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›