Kryeministri Berisha pret kryetarin e Kuvendit të Kosovës z.Kolë Berisha dhe përfaqësues parlamentarë të partive kosovare
Kryeministri Sali Berisha ka pritur të shtunën paradite kryetarin e Kuvendit të Kosovës z.Kolë Berisha dhe përfaqësues parlamentarë të partive kosovare, me të cilët ka zhvilluar një takim miqësor rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë dhe bashkëpunimit dypalësh.
Kryeministri Berisha ka shprehur edhe një herë mbështetjen e qeverisë shqiptare për një Kosovë të pavarur, demokratike, të zhvilluar, respektuese të të drejtave dhe lirive të serbëve dhe pakicave të tjera, si dhe një vend të qytetarëve të barabartë përpara ligjit duke theksuar gjithashtu se pavarësia e Kosovës do të jetë një kontribut i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin e rajonit.
Kryeministri i Shqipërisë theksoi gjithashtu nevojën e thellimit real të bashkëpunimit mes dy vendeve duke nënvizuar angazhimin e të gjithë kabinetit qeveritar për ta konkretizuar këtë bashkëpunim sidomos në fushat e ekonomisë, turizmit dhe arsimit.
Duke shprehur vendosmërinë e qeverisë për të ndërtuar rrugën Durrës-Morinë, kryeministri nënvizoi edhe nevojën për shfrytëzimin e ndërsjelltë të potencialeve të mëdha turistike të Kosovës dhe Shqipërisë.
Duke përgëzuar përfaqësuesit e Kuvendit të Kosovës për angazhimin e politikës kosovare në procesin e negociatave, kryeministri theksoi edhe rëndësinë e procesit të decentralizimit për Kosovën.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, z.Kolë Berisha bëri një ekspoze të zhvillimeve të fundit në Kosovë duke shprehur edhe vendosmërinë për të zhvilluar frymën e dialogut në procesin e negociatave, duke vlerësuar edhe rolin e bashkësisë ndërkombëtare në këtë proces. Z.Kolë Berisha shtoi se prania ushtarake në Kosovë do të jetë e nevojshme edhe pas përfundimit të procesit të statusit si një garanci jo vetëm për Kosovën, por edhe për paqen dhe stabilitetin në rajon, ndërsa prania civile është gjithashtu e nevojshme, por me një status të ndryshëm nga ai i tanishmi.
Përfaqësuesit e delegacionit kosovar përgëzuan gjithashtu kryeministrin për rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar si shumë të rëndësishme për përmirësimin e imazhit të shqiptarëve në botë.