Kryeministri Berisha: Vendet e NATO-s, pa përjashtim, mbështesin ftesën e Shqipërisë për anëtarësim, në Samitin e Bukureshtit
Kryeministri Berisha u shpreh sot, gjatë mbledhjes së qeverisë, se në të gjitha takimet që zhvilloi me përfaqësues të vendeve anëtare të NATO-s, gjatë qëndrimit në Nju Jork, ata pa përjashtim dhanë mbështetjen për ftesën e Shqipërisë në Samitin e Bukureshtit.
Kryeministri tha se kjo mbështetje do të thotë se Shqipëria duhet të vazhdojë dhe të intensifikojë më tej ritmin e reformave, të plotësojë detyrimet që rrjedhin nga Cikli i 9-të i Planit Kombëtar të Veprimit. Raporti i paraqitur disa ditë më parë në Bruksel, vijoi Kryeministri, ka patur një rezonim plotësisht pozitiv, ndërkohë që do të bëhen edhe raportime të tjera gjatë muajve që vijnë. “E rëndësishme është që të tri vendet tona të shkojnë bashkërisht në Samitin e Bukureshtit për të marrë ftesën për anëtarësim në NATO”, u shpreh Kryeministri.