E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha: Çdo vendim i njëanshëm, i pa bashkërenduar me faktorin ndërkombëtar për pavarësinë e Kosovës, do të jetë jo produktiv për shqiptarët

Kryeministri Berisha, gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, informoi ministrat për punimet e Sesionit të 62-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe pjesëmarrjen e delegacionit shqiptar në këto punime. Kryeministri tha se qëllimet më kryesore të delegacionit shqiptare në të gjitha takimet ishin; mbështetja për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, çështja e pavarësisë së Kosovës dhe zgjidhja e statusit final të saj në përputhje me vullnetin e shprehur të qytetarëve të saj, si dhe marrëdhëniet e gjithanshme dypalëshe me vendet mike.

Kryeministri vlerësoi se sesioni i 62-të i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ishte një nga sesionet që pati vëmendjen më të madhe mediatike dhe jo mediatike.

Ghithashtu ai nënvizoi se në sallën e punimeve të asamblesë, por veçanërisht jashtë saj, një nga çështjet më kryesore ishte çështja e Kosovës. Jo rastësisht, në të njëtën periudhë ishte parashikuar edhe takimi i dy përfaqësive kryesore, përfaqësuesve të Kosovës dhe përfaqësuesve të Serbisë, në Nju Jork.  Kryeministri bëri të ditur se çështjen e Kosovës pati rastin ta diskutonte me shumicën e politikanëve pjesëmarrës në këtë sesion, me Presidentin Bush, i cili u shpreh qartë se ai dhe vendi i tij mbajnë premtimin, me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, zotin Ban Ki Mun, me Presidentin Barroso, me Kryeministrin e Portugalisë, vend që kryeson Bashkimin Europian, me Kryeministrin e Italisë, si dhe me përfaqësues të vendeve të tjera të BE-së.

“Mendoj se çdo vendim i njëanshëm, i pa bashkërenduar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet të cilat janë qartësisht të vendosura për pavarësinë e Kosovës,  si zgjidhje e vetme, do të jetë jo produktiv për shqiptarët”, tha Kryemministri.
 
Ndër të tjera, në fjalën e tij, për çështjen e Kosovës, Kryeministri u shpreh:

“Sipas perceptimit tim, shancet për një rezolutë në Këshillin e Sigurimit janë, por janë shumë minimale. Është fakt që Serbia ka ngurtësuar qëndrimet e saj, për shkak të qëndrimit të Rusisë, por kësaj radhe jo vetëm të Rusisë, por edhe të ndonjë vendi tjetër europian, i cili nuk është në favor të zgjidhjes së vetme të mundshme për Kosovën që është pavarësia. Sidoqoftë, në tërësi qëndrimi i vendeve të rajonit dhe i fqinjëve të Kosovës është qëndrim shumë pozitiv dhe janë të rralla vendet të cilat shohin  zgjidhje tjetër përveç pavarësië.

Por mesa duket, Rusia mund të përdorë veton dhe në këtë mënyrë mbetet që pavarësia të konkretizohet nëpërmjet njohjeve vend pas vendi. Mendoj se kjo do të jetë rruga, në rast se nuk ka ndonjë realizëm nga ana e Serbisë, çka duket shumë larg.

Është shumë e  rëndësishme që, ashtu si deri më sot, Grupi i Unitetit të mbetet i  bashkuar. Unë pata një takim të shkurtër me përfaqësuesit e Grupit të Unitetit, para kthimit tim në Shqipëri. Mendoj se ka shumë rëndësi që frymën e konstruktivitetit që kanë dëshmuar deri më sot, ata ta ruajnë deri në fund, sepse deri më sot ata kanë dëshmuar një luajalitet të madh ndaj interesave jetike të qytetarëve të Kosovës dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Pra, me sa duket kjo çështje do të zgjidhet nëpërmjet vendimeve vend pas vendi, por këto vendime duhet të bashkërendohen. Unë mendoj se çdo vendim i njëanshëm, i pa bashkërenduar  me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet të cilat janë qartësisht të vendosura për pavarësinë e Kosovës,  si zgjidhje e vetme, do të jetë jo produktive për shqiptarët.

Përsa i përket çështjes se a e njeh Shqipëria pavarësinë e Kosovës, mund të them se problemi i pavarësisë së Kosovës nuk është problem mes Shqipërisë dhe Kosovës. Gjatë bisedimeve në Nju Jork më pyetën se çfarë do të bëjë Shqipëria. Shqipëria, e ka njohur, e njeh dhe do ta njohë atë, por nuk është ky problemi parësor por zgjidhja e  çështjes. Është shumë e rëndësishme të kuptohet se pavarësia arrihet kur atë e njohin ata të cilët kanë peshën kryesore në politikën botërore, në rendin botëror. Shqipëria nuk ka hezituar kurrë dhe nuk heziton për pavarësinë e Kosovës. Ka shumë  rëndësi që pavarësinë e Kosovës ta njohin edhe fqinjët dhe Shqipëria po punon intensivisht në këtë drejtim. Por veprime të njëëanshme, të pa bashkërenduara, për gjykimin tim, janë kundërproduktive.

Në Kosovë tani janë zgjedhjet. Me siguri do të ketë një fushatë elektorale ashtu siç kanë qenë edhe të tjerat, e denjë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kosova ka krijuar një traditë shumë të mirë në këtë drejtim, sigurisht me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, ka realizuar gjithnjë me sukses zgjedhje të lira dhe të ndershme. Edhe këto zgjedhje uroj dhe shpresoj të jenë të tilla”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›