Kryeministri Berisha: Viti 2007, viti më i mirë për lirinë e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik të vendit
Kryeministri Berisha dha sot një pritje për ministrat, zëvendësministrat dhe anëtarët e kabinetit me rastin e festës së Vitit të Ri 2008.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri falënderoi të gjithë të pranishmit për bashkëpunimin e frytshëm dhe përkushtimin që dëshmuan gjatë vitit 2007, duke e shndërruar këtë vit në vitin më të mirë që vendi ka pasur ndonjëherë në aspektin e lirisë e sigurisë së qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik të vendit.
“Asnjëherë Shqipëria në këto 15 vite nuk ka pasur këto tregues dhe këto rezultate që ka shënuar në vitin 2007. Ky vit ka qenë viti i reformave të thella e të gjithanshme, por edhe viti i fryteve reale të këtyre reformave”, vlerësoi Kryeministri Berisha.
Kryeministri shprehu bindjen se pavarësisht nga barra me të cilën përballet vendi, çdo punonjës i administratës, çdo mjek dhe infermier i shërbimeve shëndetësore ndihet në kushte shumë më komode se dy vjet më parë.
Kam bindjen, vijoi më tej Kryeministri se çdo pensionist shqiptar, të cilët janë mbi gjysëm milioni, e ndjen veten më të përfillur dhe më të mirëtrajtuar me rezultatet e vitit 2007 se sa ç`ishte një apo dy vite më parë.
“Kam bindjen se të rinjtë shqiptarë kanë patur këtë vit një mundësi më të madhe për shkollimin. Për vendin dyfishimi i numrit të studentëve në një kohë rekord të shkurtër është një ogur i bardhë”, u shpreh Kryeministri.
Gjithashtu Kryeministri Berisha e vuri theksin në përmirësimin e shpejtë të infrastrukturës, pavarësisht problemeve që ka ky sektor, por vlerësoi se ndryshime rrënjësore janë shënuar edhe në sektorin e biznesit.
Kryeministri vlerësoi se, falë reformave ekonomike të ndërmarra gjatë vitit 2007, Shqipëria u rendit ndër vendet më tërheqëse për investimet e huaja dhe vendase.
“Motorët e investimeve të mëdha janë ndezur. Shqipëria është sot një nga vendet realisht tërheqëse për investitorët vendas dhe të huaj dhe kjo është meritë e reformave të gjithanshme. Shqipëria është sot vendi me barrën fiskale më të ulët dhe kjo nuk do të ishte kurrë e mundur pa performancën fiskale të autoritetit doganore dhe tatimore të këtij vendi të cilat kanë një meritë të madhe megjithë problematikën duke lënë pas një të shkuar shumë të hidhur. Shqipëria sot është vend jashtë klientelës dhe kjo i bën nder të madh tregut të këtij vendi. Shqipëria sot është vendi me koston e prodhimit ndër më të ultën në Europë dhe kjo është meritë e reformave”, nënvizoi Kryeministri Berisha.
Më tej Kryeministri theksoi se ky vit ka përgatitur bazën për zhvillime shumë më të fuqishme në vitin 2008, të cilat kërkojnë përkushtim dhe angazhim më të madh për rritjen e mëtejshme të mirëqenies së qytetarëve, në mënyrë që shërbimet ndaj tyre të jenë sa më të lira që të jetë e mundur, dhe vendi të ecë drejt projekteve të mëdha.
Viti 2007, vlerësoi më tej Kryeministri, ishte vit në të cilin shqiptarët u respektuan më shumë se ndonjëherë në historinë e tyre. “Ata mikpritën këtë vit Presidentin e ShBA-së në një vizitë historike për Shqipërinë dhe shqiptarët që solli mesazhin e madh të pavarësisë së Kosovës”, tha Kryeministri Berisha.
Në mënyrë të veçantë Kryeministri u ndal edhe në ecurinë e vendit tonë në rrugën e integrimit euroatlantik.
“Shqipëria u konsolidua si kandidat për të marrë ftesën në Samitin e Bukureshtit për anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Hapa shumë të mëdha janë bërë në drejtim të ratifikimit përfundimtar të MSA-së”, u shpreh Kryeministri.
Në përfundim të fjalës së tij Kryeministri u përcolli urimet më të përzemërta ministrave, zëvendësministrave dhe këshilltarëve të tij me rastin e festës së Vitit të Ri.