Zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu përshëndet qeverinë amerikane për mbështetjen e projekteve të qeverisë shqiptare kundër korrupsionit.

Qeveria amerikane mbështet sërish qeverinë shqiptare në luftën e saj kundër korrupsionit.
Bordi i Sfidës së Mijëvjeçarit, në kuadër të programit të Pragut të Sfidave të Mijëvjeçarit, ka miratuar mbështetjen financiare prej 16.4 milionë dollarësh për 5 projekte të reja antikorrupsion.
Kjo mbështetje vjen pas përmbushjes me sukses të katër projekteve të fazës së parë: hapja e Qendrës së Biznesit “One Stop Shop”, Prokurimi Elektronik, Institucioni i Avokatit të Prokurimeve dhe projekti i Taksës Elektronike, për të cilat qeveria amerikane financoi 13.8 milionë dollarë, në vitet 2006- 2008.
Fondi i ri, tashmë prej më shumë se 16 milionë dollarësh, i dhënë për fazën e dytë, për zbatim gjatë viteve 2008- 2010, do të mbështesë pesë projekte të reja, të paraqitura nga qeveria shqiptare.
Këto projekte kanë në fokus parandalimin e korrupsionit, rritjen e forcës zbuluese dhe hetuese të të gjitha institucioneve të forcimit të ligjit.
- Projekti i parë është krijimi i Gjykatës Administrative, e cila do të garantojë drejtësi efiçente, me gjykim të shpejtë dhe profesional , për të gjithë qytetarët apo bizneset që kanë ankesa ndaj administratës.
- Përvoja e suksesshme e Qendrës “One Stop Shop”, për regjistrimin e bizneseve, do të plotësohet në këtë fazë të dytë, me krijimin e një qendre të vetme për të gjitha llojet e liçensave.
Pas reduktimit me 2/ 3-tat, të numrit të liçencave, me këtë projekt thjeshtohet procedura e dhënies së tyre duke përfshirë këtu dhe futjen e parimit “Heshtja është miratim”.
-Regjistri i Planifikimit të Territorit, është një tjetër projekt madhor që synon shndërrimin e praktikës së sotme të lejeve të ndërtimit në një praktikë tërësisht trasparente dhe moderne.
- Projekti i katërt është në mbështetje të implementimit të ligjit të ri të procedurave tatimore, i cili transformon rrënjësisht marrëdhënien e taksa- paguesve me administratën tatimore.
Ky projekt vjen si vijim i përvojës së suksesshme të Taksës Elektronike, që sot konfirmohet nga fakti se vetëm pas gjashtë muajve të instalimit të këtij sistemi janë 2000 mijë biznese të mëdha që deklarojnë takstat on line dhe rreth 45 mijë të tjerë që i shkarkojnë formularët e deklarimit nga interneti.
Suksesi i Njësisë së Përbashkët Hetimore Antikorrupsion, prej punës së të cilës është bërë i mundur zbulimi dhe vënia para drejtësisë e mbi 100 individëve të korruptuar, ka qene garancia për të siguruar mbështetjen që ky model bashkëpunimi midis prokurorisë dhe ekzekutivit, deri tani vetëm në Tiranë, të shtrihet edhe në gjashtë qytete të tjera, Shkodër, Fier, Vlorë, Durrës, Gjirokastër dhe Korçë.
Qeveria shqiptare e garanton qeverinë amerikane se ashtu si në fazën e parë edhe në këtë fazë të dytë, çdo dollar i taksapaguesve amerikanë do të respektohet nëpërmjet zbatimit me sukses të këtyre projekteve,
për zbatimin e të cilave do të kontribuojë me investimet e nevojshme infrastrukturore, burimet njerezore dhe përshtatjen në kohë të legjislacionit.
Qeveria shqiptare falenderon qeverinë amerikane për mbështetjen që jep duke shprehur kështu besimin në seriozitetin e përpjekjeve të qeverisë shqiptare për të luftuar me zero tolerancë korrupsionin.