E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndeti punimet e Konferencës me temë “Shkenca në shërbim të shoqërisë shqiptare”

- Kryeministri Berisha u shpreh se arsimi dhe shkenca kanë qenë dhe mbeten përparësitë më madhore të qeverisë

Kryeministri Berisha përshëndeti sot punimet e Konferencës shkencore  me temë “Shkenca në shërbim të shoqërisë shqiptare”, e cila organizohet nën kujdesin e Institutit Alb-Shkenca, në ambientet e Hotel Tirana International.

Në fjalën e tij, Kryeministri Sali Berisha u shpreh se arsimi dhe shkenca kanë qenë dhe mbeten përparësitë më madhore të qeverisë, dhe në këtë drejtim janë ndërmarrë një seri reformash të rëndësishme. Kryeministri theksoi se reforma në arsimin e lartë u shoqërua dhe me reformën në Akademinë e Shkencave, dhe nëpërmjet këtyre reformave u arrit të vendosen standardet perëndimore të modeleve të suksesit, si dhe u arrit shkëputja nga modeli i dështimit. Duke folur për reformat, Kryeministri nënvizoi se në këto tre vjet qeveria ka 4-fishuar investimet për arsimin e lartë.

Më tej, Kryeministri u ndal dhe në programin Brain Gain ku u shpreh se qeveria me një vendim të veçantë ka autorizuar shtimin e 400 punonjësve, shkencëtarëve të rinj dhe kërkuesve pranë fakulteteve të vendit.  "Kjo shifër mund të trefishohet ndërkohë që universitetet dhe administrata janë të autorizuar të pranojnë menjëherë çdo të doktoruar shqiptar jashtë vendit", u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Berisha theksoi se po punohet edhe për perspektivën e formimit të studiuesve shqiptarë dhe akademikëve të rinj dhe në këtë drejtim është krijuar Fondi i Ekselencës, fond i cili nuk njeh kufij shtetëror.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh;

“Së pari, dua t’ju falënderoj shumë për ftesën që më bëtë, për t’ju përshëndetur ju, për të përshëndetur Institutin e Alb-Shkencës dhe për të përshëndetur këtë iniciativë të shkëlqyer, të domosdoshme dhe jashtëzakonisht të rëndësishme për kombin dhe vendin tonë. Tubime të tilla janë të një rëndësie shumë të madhe për Shqipërinë, për Kosovën dhe për shqiptarët në tërësi.

Kombi ynë është i fundit që arriti në horizontin e lirisë në këtë kontinent, ç’ka do të thotë që është edhe kombi më kohë humbur se çdo komb tjetër i këtij kontinenti. Regjimet jo demokratike dhe jo të lira, në sensin filozofik, janë vendime të ngadalësimit ose të ndalimit të kohës. Në këtë kontekst, nuk ka asgjë më të rëndësishme për ne sesa politikat e drejta dhe mbështetja intensive për arsimin dhe shkencën.

Është kjo mbështetje që do të përcaktojë zhvillimin dhe konsolidimin e sistemit demokratik në Shqipëri, në Kosovë, etj.. Pra është një mbështetje që do t’i bëjë shqiptarët më të lirë, më të sigurt në liritë e tyre dhe do t’u japë mundësi të shfrytëzojnë pasuritë dhe normat e lirisë. Është kjo mbështetje dhe këto politika që do të përcaktojnë aftësitë e shqiptarëve për të arritur standardet e kombeve me të cilat duhet të bashkohen, me të cilat kanë një distancë të qartë dhe të pamohueshme. Kjo mbështetje përbën një kusht sine quanon (të domosdoshëm), që ora globale e shqiptarëve të funksionojë me ritmin e orës globale. Ndaj dua t’ju siguroj se për mua dhe qeverinë time arsimi dhe shkenca kanë qenë dhe mbeten një përparësi madhore ose me saktë përparësia më madhore.

Në këtë kontekst ne kemi ndërmarrë një seri reformash. Ne kemi qenë në një distancë katër herë larg vendeve të zhvilluara të Bashkimit Evropian për sa i përket numrit të të diplomuarve në universitetet e Shqipërisë. Për ta zgjidhur këtë nuk kishte asnjë rrugë tjetër përveç liberalizimit. Unë e di që ju mund të keni studiuar ose punoni në universitete që pranojnë jo më shumë se 10 apo 15 % të aplikantëve. Ky standard e lë Shqipërinë shumë mbrapa, ndaj dhe ne aplikuam liberalizimin e universiteteve. Dhe në një hark të shkurtër kohor, kjo ka patur si rezultat shtimin e numrit të studenteve në shkollat e larta nga 52 mijë në vitin 2005, në 110 mijë që do të jenë në këtë vit. Por ne do të bëjmë sërish përpjekje që çdo maturant të ketë mundësi të pranohet në universitet. Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet që çdo nxënës që mbaron klasën e 9-të të mund të vazhdojë shkollën e mesme. Këto ritme janë të domosdoshme për të kapur kohën e humbur.

Në këto tre vjet qeveria ka 4-fishuar investimet për arsimin e lartë. Arsimi i lartë i’u nënshtrua një reforme të thellë, e cila mund të ishte dhe më e thellë, por siç e dini ne pedagogët në natyrën tonë nuk ndahemi kurrë nga aspekti i konservatorizmit. Sidoqoftë, është bërë një hap shumë i madh përpara me reformën që bëmë në arsimin e lartë dhe mbi të gjitha kjo u shoqërua me reformën  në Akademinë e Shkencave. Mendoj se ia dolëm të vendosim modelin perëndimor, modelin e suksesit dhe të shkëputemi nga modeli i dështimit, nga modeli sovjetik, dhe ti sjellim ato prej katedrave dhe universiteteve, si shtretër dhe gjetje të mendimit intelektual dhe shkencor.

Unë kam bindjen se kjo masë dhe këto vendime do të kenë një impakt shumë pozitiv për kërkimin shkencor sot dhe në të ardhmen. Një reforme të thellë iu nënshtruan të gjitha institucionet e Akademisë së Shkencave, të cilët koha i kishte nxjerrë jashtë orbitës së saj. Ato u rivendosën në një orbitë të re, në një orbitë ku mund të rivitalizohen dhe të japin kontributin e tyre për zhvillimin e gjithanshëm të shkencës në veçanti, por dhe të zhvillimit të vendit në tërësi. Qeveria është shumë e interesuar për një program të cilin e kemi emërtuar “Brain Gain”, për t’ia kundërvënë asaj që unë e quaj “brain drain”. Këtu është e domosdoshme të jemi fleksibël, të jemi dinamik dhe konsistues sepse ora globale është orë globale.

Në këtë moshë, natyrisht që secili ka të drejtë të pozicionohet aty ku mendon se mund të kontribuojë më shumë, por ekzistojnë forma dhe metoda eficente ku secili nga shqiptarët që punon në qendra kërkimore shkencore apo universitete prestigjioze të botës, të mund të kontribuojë për kombin e tij siç kontribuoni ju. Ky takim që keni organizuar është me të vërtetë një kontribut i madh.

Në kuadër të këtij projekti, qeveria me një vendim të veçantë ka autorizuar universitetet tona të shtojmë me 400 punonjës, shkencëtarë të rinj dhe kërkues shkencorë, në departamentet dhe fakultetet e tyre. Unë i garantoj se kjo shifër mund të 2-3 fishohet, por është shumë e rëndësishme që drejtuesit e universiteteve ta shndërrojnë këtë në një mundësi reale për të sjellë në departamentet e tyre, në njësitë kërkimore shkencore, studiues shqiptarë nga mbarë bota, kudo që ata ndodhen. Duhet të qëndroni të hapur ndaj tyre.

Qeveria ka dhe një program për tërheqjen e tyre, si dhe ka marrë disa masa modeste për aktualitetin dhe mbështetjen e kthimit të tyre të butë në universitete apo në administratën shtetërore. Universitetet dhe administrata janë të autorizuara të pranojnë menjëherë çdo të doktoruar shqiptar kudo që ndodhet. Krahas kësaj, ne përpiqemi të punojmë për perspektivën dhe formimin e studiuesve dhe akademikëve të rinj duke krijuar Fondin e Ekselencës. Ky fond u jepet të gjithë studiuesve të rinj, bashkëpunëtoreve tuaj që duan të mbrojnë doktoratën apo masterin në një nga universitetet më të mira të Evropës dhe të botës, kundrejt një kontrate që ata duhet të vijnë dhe të punojnë për të paktën 5 vjet në vendin e tyre. Ky fond nuk njeh kufij shtetëror, për këtë mund të aplikojnë shqiptarët kudo që ndodhen, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani, Itali, etj..

Ne jemi të gatshëm ti mbështesim ata. Në këtë fond ne përfshimë që këtë vit edhe studentët. Ne do të mbështesim me bursë të gjithë shqiptarët që aplikojnë dhe fitojnë të drejtën të studiojnë në dhjetë universitet më të mira të botës. Dhe kjo nuk njeh kufij shtetërore, por do të jetë e baras vlefshme për shqiptarët kudo që ndodhen, kundrejt një kontrate që të kthehen dhe të punojnë në vendin e tyre, në fushën që ata studiojnë për shtatë vjet. Këto ne i zotojmë, por në fakt mundësitë janë shumë më të mëdha dhe këto mundësi nuk janë në dorë të qeverisë. Qeveria mund të ndërmarrë dhe do të ndërmarr reforma, do të përcaktojnë fonde dhe financime, por mundësitë më të mëdha të nderuar rektorë, dekanë, profesorë janë tek ju, tek qëndrimet tuaja, tek shpirti juaj i hapur dhe bashkëpunues. Sot, ekzistojnë mundësi të mëdha. Po përjetojmë moshën digjitale dhe për këtë po punojmë shumë edhe në Shqipëri. Në vitin 2005 ne e kishim vetëm 4.8 % penetrimit të IT në shoqëri, ndërsa vjet kemi patur rritjen më të lartë në Evropë të penetrimit në IT. Ne sërish jemi në nivel ulët, por do të ecim me shpejtësi drejt kësaj moshe. Qeveria është shumë e vendosur për ta bërë këtë.
Edhe njëherë dua t’ju falënderoj për këtë iniciative të shkëlqyer dhe t’ju siguroj se qeveria do të mbështesë fuqishëm të gjitha përpjekjet dhe iniciativat për të ruajtur në orbitën e kombit softin e tij”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›