Kryeministri Berisha takon Ambasadorin Rus në Tiranë, zotin Aleksandër Prishepov
Kryeministri Berisha priti, sot, ne takim Ambasadorin e jashtëzakonshëm e fuqiplotë të Rusisë, ne Tiranë, z. Aleksandër Prishepov. Pasi shprehu mirënjohjen e tij për pritjen, Ambasadori rus Prishepov i përcolli Kryeministrit Berisha, përshëndetjet dhe urimet më të mira nga Kryeministri Vladimir Putin dhe Presidenti Dmitry Medvedev.
Me tej, Ambasadori e informoi Kryeministrin Berisha mbi situatën në rajonin e Kaukazit dhe qëndrimin e Rusisë mbi konfliktin ne rajonet e Osetisë dhe Abkhazisë si dhe në qëndrimin rus persa i përket këtyre territoreve. Sipas Ambasadorit Prishepov e natën e 7-8 gushtit, Kryeqyteti Osetian u godit nga artileria gjeorgjiane. Si rezultat i sulmit, u vranë shumë qytetarë të pafajshëm. Në orët e mëngjesit të datës 8 gusht, tanket gjeorgjiane goditën edhe shtabin e paqeruajtësve rusë në këtë rajon. Si pasoje u vranë dhe plagosen shume ushtare paqeruajtës rusë.
Ky agresion i Gjeorgjisë, vijoi Ambasadori, shkaktoi përgjigjen e mëpasme të Rusisë, e cila ndërhyri ushtarakisht për te mbrojtur paqeruajtësit rus dhe qytetaret rus ne Oseti. Pas luftimeve, trupat gjeorgjiane u tërhoqën por lanë pas një problem te madh humanitar. Pasi marrëveshja e nënshkruar nga Presidentet Mikheil Saakashvili dhe Dmitry Medvedev nuk u zbatua dhe shtetet perëndimore penguan vendimmarrjen e Këshillit te Sigurimit te OKB-së, parlamentet e Osetisë dhe Abkhazise i kërkuan Rusisë te njohe pavarësinë e tyre te cilën Presidenti Medvedev e dekretoi pas miratimit nga ana e Dumes përfundoi Ambasadori Prishepov.
Kryeministri Berisha, pasi i kërkoi t’i përcjellë përshëndetjet e tij Presidentit Medvev dhe Kryeministrit Putin, i theksoi Ambasadorit Prishepov, se qeveria shqiptare është shume e shqetësuar për zhvillimet në rajonin e Kaukazit, të cilat i konsideron si shume te rrezikshme për të ardhmen e paqes dhe stabilitetit, jo vetëm në këtë rajon por edhe më gjerë.
Kryeministri Berisha theksoi se prania e trupave ruse në rajonin e Osetisë dhe Abkhazisë e bazuar ne marrëveshjen ndërkombëtare të nënshkruar në fillim te viteve 1990 është ne përputhje me te drejtën ndërkombëtar, ndërsa lidhur me konfliktin që filloi më 7-8 gusht, ka interpretime të ndryshme për sa i përket përgjegjësisë dhe karakterit të tij.
Shpalosja e trupave ruse jashtë territorit të Osetisë dhe Abkhazisë përbën një agresion të qartë ndaj Gjeorgjisë, u shpreh Kryeministri Berisha. Qeveria shqiptare përshëndet projektin e Presidentit Sarkozi, dhe projekt-marrëveshjen që u nënshkrua nga presidentët Sakashvili dhe Medvedev me kontributin e Sekretares amerikane te Shtetit Rice.
Por moszbatimi i kësaj marrëveshje nga qeveria ruse e detyroi Presidentin Sarkozi t’i dërgojë një letër te dyte Presidentit Medvedev, ku të kërkojë zbatimin e saj. Ndërkohë qe nuk ekziston asnjë dëshmi për thyerje të kësaj marrëveshjeje apo për një sulm te ri të forcave gjeorgjiane, qe nga momenti që u nënshkrua ky pakt. Në të kundërt, trupat ruse kanë pushtuar porte dhe territore të gjera te Gjeorgjisë, duke përshkallëzuar edhe me tej konfliktin, sipas një skenari te parapërgatitur me synim shpalljen e pavarësisë se këtyre dy rajoneve dhe njohjen e saj nga ana e Rusisë. Kjo krijon përshtypjen e një hapi te pare drejt aneksimit te këtyre rajoneve nga ana e Rusisë, vijoi me tej Berisha, pasi asgjë nuk e pengon Dumen ruse ta ndërmarrë një vendim te dyte ku te kërkoje aneksimin e tyre te plote nga ana e Rusisë.
Argumentit te Ambasadorit rus se marrëveshja nuk bën fjale për integritetin territorial te Gjeorgjisë, Kryeministri Berisha ju përgjigj se gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit ka disa rezoluta të OKB-së, përmes së cilave Osetia dhe Abkhazia janë njohur si pjesë integrale e territorit të Gjeorgjisë. Pavarësisht se Rusia zotëron të drejtën e vetos, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ajo i ka votuar këto rezoluta, duke njohur kështu tërësinë territoriale të Gjeorgjisë, dhe sovranitetin e saj mbi Osetinë e jugut dhe Abkhazine.
Duke u kthyer te ngjarjet e 7-8 gushtit, Kryeministri Berisha, theksoi se qeveria shqiptare e përshëndet nismën e Presidentit Sakashvilli, per një hetim ndërkombëtar mbi këto ngjarje. Zhvillimet e mëvonshme pas kësaj date të krijojnë përshtypjen e një plani të parapërgatitur, theksoi Berisha. Shpallja e pavarësisë se Osetisë dhe Abkhazise ne mënyrën qe u krye, krijon përshtypjen se ky është hapi i parë i një plani për aneksim të plotë të këtyre territoreve nga Rusia. Kjo për faktin, qe megjithëse në Abkhazi nuk kishte pasur konflikt, përsëri u implementua i njëjti skenar si ne Oseti, cka të krijon bindjen se jemi para e një plani të parapërgatitur aneksimi nga ana e Rusisë, i cili përbën pushtim te një vendi nga një vend tjetër. Këto veprime krijojnë përshtypjen se e shkuara perandorake po përdoret si platforme për te ardhmen.
Qeveria shqiptare beson se zbatimi i planit Sarkozi sipas ligjeve ndërkombëtarë te votuar edhe nga Rusia është jashtëzakonisht i domosdoshëm për një zgjidhje të drejtë të këtij konflikti. Pavarësia dhe integriteti territorial i Gjeorgjisë duhet të jenë të garantuara sikundër te garantohen te drejtat e njeriut për te gjithë qytetaret e këtyre rajoneve. Kryeministri Berisha përfundoi duke theksuar se qeveria shqiptare konsideron, se marrëveshja e firmosur nga presidentet Sakashvili dhe Medvedev duhet të zbatohet, si një bazë solide për rivendosjen e një procesi i cili do te sjelle paqe dhe stabilitet te qëndrueshëm ne rajon.