E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha vijon në Farkë turin “Shqipëria po ndryshon”

-Kryeministri theksoi se qeveria shqiptare nuk po investon vetëm në akset e mëdha kombëtare në të cilat janë 800 km autostrada dhe rrugë, por dhe në  të gjitha komunat dhe bashkitë e vendit për urbanizimin dhe asfaltimin e sistemimin e rrugëve
Kryeministri Berisha në vijim të turit “Shqipëria po ndryshon”, ishte sot në komunën e Farkës të rrethit të Tiranës, ku inauguroi disa vepra publike.
Kryeministri përurori fillimisht përfundimin e punimeve për rikonstruksionin e rrugës Uzina e Traktorëve-Farkë e Madhe, investim ky i buxhetit të shtetit dhe komunës me vlerë 64. 7 milionë lekë.
Pasi ka përgëzuar Ministrinë e Brendshme për fondin e akorduar, kryeministri ka uruar banorët e Farkës për këtë rrugë të re dhe i ka siguruar ata se qeveria është e vendosur të investojë për urbanizimin e plotë të kësaj zone, e cila është është një nga bukuritë më mahnitëse të Shqipërisë.

Gjithashtu Kryeministri inaguroi përfundimin e punimeve të rrugës me gjatësi 1.2 km e me vlerë 23 milionë lekë, nga reparti i tankeve-në lagjen Musabal. “I shtohet sot kësaj zone rruga e dytë e përfunduar e asfaltuar, e cila ka përfunduar brenda një kohe të shkurtër në zonën e Farkës. Siç e shihni nuk po investojmë vetëm në akset e mëdha kombëtare në të cilat janë 800 km autostrada dhe rrugë, por po investojmë në të gjitha komunat dhe bashkitë e vendit për urbanizimin dhe asfaltimin e sistemimin e rrugëve”, u shpreh Kryeministri.  

Në përfundim Kryeministri inspektoi punimet në rrugën nga depoja e ujit-në fshatin Cellak , investim me vlerë 27 milionë lekë, 2/3 e së cilës i përket Bashkisë së Tiranës, ndërsa 1/3 Komunës Farkë.
“Erdha këtu se kjo rrugë që shtrohet e tëra nga komuna e Farkës 1/3  e ka në territorin e Komunës ndërsa 2/3 i ka në territorin e Bashkisë së Tiranës, pasi kryetari me korrespoondencë i qendrës së Tiranës kujdeset vetëm për qendrën dhe bojatisjen e saj. Për të nuk ekziton periferia e Tiranës. Ai detyron komunat përreth të investojnë dhe të asfaltojnë dhe sistemojnë rrugët e qytetit, që duhet të ishte e kundërta. Qyteti duhet të rrezatonte urbanistikë, rrugë, drita ujësjellës. Këtu ndodh e kundërta sepse  ai është kryetar me korrespondencë dhe i përqëndruar në qendër”, theksoi Kryeministri.

Kryeministri ka përgëzuar kryetarin e Komunës së Farkës, për dhuratën që ka vendosur t`i bëjë Tiranës për të shtrirë deri në Njësinë nr.2 rrugën e asfaltuar.  
“Dhuratat nuk vlerësohen nga çmimi. Mirësia i mbetet atij që e bën. Ky është një shërbim ndaj qytetarëve. Kryetari i Bashkisë së Tiranës është vetëm kryetar i qendrës nga selia tek Bashkia dhe anasjelltas, aq më tepër që tani as në Bashki nuk hyn më sepse ia ka deleguar nënkryetarit”, tha Kryeministri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›