E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron fillimin e punimeve për ndërtimin e shkollës 9-vjeçare të Farkës

Kryeministri Berisha  inaguroi sot dhe  fillimin e punimeve për ndërtimin e shkollës 9-vjeçare të Farkës, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 49 milionë lekë. 
Kryeministri theksoi se arsimi është përparësi absolute e kësaj qeverie, dhe se janë  ndërtuar 149 shkolla,  janë konstruktuar 450 të tjera dhe se po vazhdon me shpejtësi ndërtimi i shkollave të reja dhe rikonstruktimi i atyre ekzistuese në të gjithë vendin.
Gjatë fjalës së tij në inaugurimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e shkollës së Farkës,  Kryeministri Berisha u shpreh:
Së pari dua t`ju përgëzoj për shkollën e re që do keni, të përgëzoj kryetarin e Komunës, i cili taksat tuaj, djersën tuaj, djersën e qytetarëve shqiptarë vendosi ta shndërrojë në shkollë moderne për fëmijët tuaj, për ata që ju keni më të dashur. Shqipëria është vendi i 1001 halleve. Hallet e saj janë hallet tuaja, të jetës së tuaj të përditshme, por qeveria ime është e vendosur të luftojë dhe të punojë çdo ditë për zgjidhjen dhe lehtësimin e tyre.

Në këtë kontekst ne kemi zgjedhur shkollën , arsimin, si një nga fushat dhe objektivat më kryesore. E kemi bërë këtë se nuk duam që fëmijët tanë të përjetojnë hallet që përjetuam ne, sepse duam që fëmijët tanë të shkollohen në shkolla moderne, duam që fëmijët tanë të kenë një të ardhme të shkëlqyer. Këto që them nuk janë fjalë, por janë vepra konkrete. Sot mësuesit e fëmijëve tuaj paguhen me një rrogë mujore 75 % më shumë se 3 vjet më parë dhe i meritojnë plotësisht sepse përndryshe asnjeri nuk punonte në arsim në një kohë kur ne tradicionalisht kemi nderuar mësuesen dhe mësuesin njëlloj si njerëzit më të afërt dhe më të respektuar të familjes. Arsimi është përparësia absolute e kësaj qeverie. Janë ndërtuar 149 shkolla janë konstruktuar 450 të tjera, po vazhdon me shpejtësi ndërtimi i shkollave të reja dhe rikonstruktimi i atyre ekzistuese në të gjithë vendin.
Dua ta përgëzoj kryetarin e Komunës, së bashku me këshilltarët që ju keni votuar që këtë politikë të qeverisë e ka shndërruar në politikë të Komunës së Farkës dhe ndërton një shkollë me fondet e veta.  18 milionë euro kredi i ka dhënë qeveria për të ndërtuar 12 shkolla.
E ftoj kryetarin e Bashkisë së Tiranës të frymëzohet nga ky qëndrim. Akoma po presim ta shohim duke prerë shirita dhe ta përgëzojmë , por problemi është se nuk ua gjen dot terrenin për ndërtim dhe shtesat po ua bën në oborret e tyre.
Ne kemi arsimin përparësi të madhe. E kemi ndryshuar dhe do ta ndryshojmë atë akoma më shumë. Pasi ndryshuam rrogat e arsimtarëve, ne po çojmë kompjutera dhe laboratore informatike në çdo shkollë të vendit, në Farkë dhe kudo.  Kompjuteri u zhvillon mendjen fëmijëve tuaj më shumë se çdo gjë tjetër. Ju siguroj se këta fëmijë do të jenë mësuesit tuaj për kompjuterin. Nuk do të njohë moshë dhe limit përdorimi i tij në Shqipëri.

Arsimi është përparësia jonë. Në tre vjet ne dyfishuam numrin e studentëve në shkollat tona, nga 52 mijë arritëm në mbi 100 mijë, kurse këtë vit do të jenë mbi 150 mijë. Arsimi është dhe do të mbetet objektiv madhor.  Në të gjitha shkollat do të ngrihet një rrejet bibliotekash nga më modernet. Krahas biblkiotekës virtuale do të ekzistojnë dhe do të pasurohen gjithnjë e më shumë biblioteka reeale me libra. Arsimi do të marrë investimet më të mëdha dhe do të shndërrohet në sektorin më parësor të këtij vendi.

Në këtë mënyrë ne ecim në përputhje me telat e shpirtit tuaj, me dëshirat tuaja. Është e ngulitur shumë thellë në  shpirtin e çdo prindëri shqiptar shkollimi i vajzës apo djalit. Ndaj dhe ne ju garantojmë se taksat që ju paguani do t’jua shndërrojmë në shkollat më moderne në rrugët më të mira në ujësjellësat më të mirë.

Do të urbanizojmë Farkën, këtë bukuri mahnistëse të natyrës shqiptare që në fakt gjënë më të bukur që ka, ka banorët e saj, punëtorë e të ndershëm. Edhe njëherë do të vijmë në inaugurimin e kësaj shkolle dhe marr përsipër se do ta pajisim me mjetet më moderne, siç e meritojnë fëmijët tuaj.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›