E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Integrimi në NATO, i pamundur pa përkushtimin e profesionalizmin e organeve të policisë dhe organeve të tjera të zbatimit të ligjit

-  “Jam i bindur se edhe në këto zgjedhje, me profesionalizëm dhe përkushtim, jashtë çdo lloj tendence politike, ju do të përmbushni detyrimet tuaja në interesin më të mirë të vendit.”

Kryeministri Berisha tha sot, gjatë ceremoninë  e përurimit të godinës së re të komisariatit të policisë në Kamzë, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 104 milion lekë, se rezultatet në luftën kundër krimit janë impresionuese, por në asnjë moment nuk duhet ulur vëmendja ndaj tij.

“Krimin duhet ta luftojmë me vendosmëri të madhe. Rezultatet janë impresionuese, por çdo sekondë e minutë duhet të mbajmë vëmendjen dhe të jemi shumë të vendosur për të qëndruar ndaj tij. Nuk mund të mendohet se ai do të zhduket, por është e rëndësishme që krimi të jetë nën një presion të vazhdueshëm dhe konstant se do të marrë përgjigje ligjore.”

Kryeministri Berisha, duke e konsideruar të rëndësishme ngritjen  e një infrastrukture moderne në punën e policisë, u shpreh se Policia e Shtetit me rezultatet e saj shumë të mëdha në luftën kundër krimit u bë një kontributor i rëndësishëm në procesin e arritjes së objektivit kombëtar, integrimit në NATO.

“Në qoftë se sot shkojmë drejt NATO-s, ju garantoj se kjo do të ishte tërësisht e pamundur pa përkushtimin e profesionalizmin e organeve të policisë dhe organeve të tjera të zbatimit të ligjit, të cilat me një kurajë të jashtëzakonshme shembën murin e krimit, që pengonte dhe pothuajse kishte mbyllur dyert e integrimit. Sot, jemi bërë një vend i sigurt, i krahasueshëm plotësisht me treguesit e kriminalitetit me vendet e zhvilluara,” u shpreh Kryeministri.

Kryeministri tha se Shqipëria ka treguesin e kriminalitetit nën mesataren e vendeve të Bashkimit Europian, por duhet të përcaktohen objektiva edhe më ambicioze, duke arritur treguesit e kriminalitetit në nivelin e ulët të vendeve të BE-së.

“Unë kam shumë besim tek policia  e vendit, e cila e ka rritur shumë profesionalizmin, aftësinë dhe kurajën goditëse ndaj krimit. Raportet e para që dëshmojnë se Shqipëria nuk është më rrugë kryesore droge janë raportet ndër më të rëndësishmet për vendit dhe unë jam i sigurt se në këtë drejtim do të shkohet edhe më tej, sikundër do të shkohet më tej edhe në luftën kundër trafiqeve njerëzore dhe të të gjitha formave të trafiqeve kriminale dhe vendin do ta bëjmë edhe më të sigurt. Ne kemi tregues kriminaliteti nën mesataren e vendeve të BE-së, por ne duhet të kemi tregues kriminaliteti në nivelin e ulët të vendeve anëtare të BE-së. Ne duhet të përcaktojmë një objektiv edhe më ambicioz dhe mund ta realizojmë plotësisht këtë. Ju përgëzoj dhe ju siguroj se qeveria do ta mbështesë fuqishëm Policinë e Shtetit në përmbushjen e të gjitha detyrimeve. Kemi një ligj të ri shumë të mirë, të cilin ju po e zbatoni dhe kjo është një fitore për ju dhe për të gjithë Shqipërinë,” u shpreh Kryeministri.

Në takimin me efektivat e policisë së këtij komisariati, Kryeministri Berisha u ndal edhe në zgjedhjet e 28 qershorit dhe shprehu bindjen se Policia e Shtetit do të përmbushë me profesionalizëm dhe përkushtim të gjitha detyrimet e saj.

“Ju keni krijuar një traditë të shkëlqyer të qëndrimit ligjor në procesin zgjedhor, procesi më i rëndësishëm që vendi ka çdo 4 vjet. Unë jam i bindur se ju do t’i qëndroni traditës suaj shumë të mirë. Forcat politike bëjnë garën, ju bëni ligjin dhe vetëm ligjin. Kjo është kërkesa e kësaj qeverie. Në zgjedhjet e fundit keni kryer një detyrë shumë delikate, por e keni kryer me përgjegjësinë më të lartë dhe është meritë e organeve të rendit, ndaj të cilave nuk ka pasur asnjë ankesë nga asnjë forcë politike. Ju keni bërë me përgjegjësi të madhe transportin dhe të gjitha detyrat tuaja. Jam i bindur se edhe në këto zgjedhje, me profesionalizëm dhe përkushtim, jashtë çdo lloj tendence politike, ju do të përmbushni detyrimet tuaja në interesin më të mirë të vendit. Në këto zgjedhje, prozhektorët e të gjithë botës së qytetëruar janë drejtuar tek ne, sepse ne bëhemi vend anëtar i NATO-s dhe kemi një detyrim e përgjegjësi shumë më të madhe si ndaj zgjedhësve tanë, ashtu edhe ndaj aleatëve, ndaj atyre që na dhanë një besim të paprecedent në historinë e kombit tonë për anëtarësimin në NATO. Unë jam shumë i bindur për përkushtimin e organeve të policisë që do të japin të gjithë kontributin e tyre për një fushatë zgjedhore pa konflikte, për një fushatë zgjedhore në të gjitha rregullat ligjore dhe ditën e zgjedhjeve, sikundër e theksoj edhe një herë kemi krijuar një traditë jashtëzakonisht pozitive, kjo traditë do të konsolidohet më tej. Në polici ne kërkojmë ndershmëri dhe profesionalizëm. Në këtë sektor dhe sektorë të tjerë, ne duam që të jenë tërësisht në kuadrin e ligjit, profesionalizmit dhe përkushtimit dhe ky është kontributi më i madh që ata japin për vendin, për forcat politike dhe për të gjithë.”


31/03/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›