Kryeministri Berisha pret z.Franko Sidi, President i Federatës Kombëtare të Shtypit Italian
Sot paradite, Kryeministri Berisha priti në një takim z. Franko Sidi, Presidenti Federatës Kombëtare të Shtypit Italian dhe një mik i vendit tonë. Z. Sidi e falënderoi Kryeministrin për mikpritjen. Ai e njohu Kryeministrin me funksionimin e organizatës së përfaqësuar prej tij, rolin, misionin dhe ndihmën që ajo jep për pavarësinë e gazetarisë italiane.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha i njohu bashkëbiseduesit me reformat e qeverisë shqiptare në drejtim të lirisë së medias dhe shtypit. Kryeministri përmendi me këtë rast nismat e rëndësishme të qeverisë, si Urdhri i Kryeministrit, që në krijimin e qeverisë, për mosdenoncimin nga ana e zyrtarëve të shtetit të gazetarëve për artikuj të ndryshëm, por vetëm përgënjeshtrimi i tyre, pasi kjo i shërben motos: asnjë gazetar në gjyq. Gjithashtu z. Berisha i njohu miqtë me përpjekjet e qeverisë për zhdukjen e fenomenit të informalitetit në vend. Ai bëri një ekspoze të ndryshime më të fundit ligjore për demikriminalizimin e shpifjes si vepër penale, një hap shumë i rëndësishëm për zgjerimin e hapësirave të lirisë së medias.
Z. Sidi i shprehu Kryeministrit Berisha respektin e tij për punën e madhe të qeverisë në drejtim të reformave, si dhe shprehu besimin e tij për suksesin e tyre.
Bashkëbiseduesit ndanë pikëpamje të njëjta lidhur me zhvillimin e medias dhe gazetarisë shqiptare, si dhe për nevojën e saj për pavarësi dhe profesionalizëm.
Në fund të takimit, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje, z. Sidi, në emër të Federatës Kombëtare të Shtypit Italian i bëri kryeministrit Berisha një dhuratë simbolike.