E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Zgjerimi i hapësirave të sektorit privat në arsim e shëndetësi, i domosdoshëm

Kryeministri Berisha u shpreh sot, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, për domosdoshmërinë e zgjerimit të hapësirave të sektorit privat në arsim dhe shëndetësi.

“Sektori privat në shërbime nuk mund të konsiderohet sektor jetim, përndryshe nuk e ka shumë të thjeshtë zhvillimin. Sektori privat në arsim dhe shëndetësi kërkon edhe mbështetje,” u shpreh Kryeministri.

Kryeministri theksoi se potenciali i sektorit privat në sistemin arsimor dhe në atë shëndetësor është shumë herë më i madh, sesa kontributi i tij i deritanishëm.

Duke vlerësuar progresin e bërë në arsim, me funksionimin i një sërë shkollash private,   Kryeministri theksoi se pesha e sektorit privat mund të jetë shumë herë më e madhe, prandaj është e domosdoshme të gjenden stimujt dhe mënyrat e inkurajimit të tyre.

“Ne kemi arritur në 4 për qind të PPB-së në buxhetin për arsimin dhe, në rast se marrim në konsideratë edhe sektorin privat, jemi diçka më shumë, por është e domosdoshme ta nxisim më tej këtë. Ne nuk duhet të frenohemi absolutisht nga epitet dhe nga skepticizmi i individëve apo grupeve të caktuara, por ndaj sektorit privat ne duhet të kemi vetëm standardin,” u shpreh Kryeministri.

Duke vlerësuar të rëndësishme mospërdorimin e dy standarde në vlerësimin e universiteteve, Kryeministri tha se është e domosdoshme të kontraktohet sa më shpejt kompania e rating-ut për universitetet, për të klasifikuar si universitetet private dhe ato publike.

“Edhe vende të BE-së, - u shpreh Kryeministri, - rating-un e bëjnë me kompani ndërkombëtare më të profilizuara në procesin e vlerësimit dhe pikësimit të universiteteve. Nga ky proces, disa universitete vlerësohen shkëlqyer, disa mirë dhe të tjerë hyjnë në listën e zezë dhe ky rezultat i bëhet i ditur publikut. Ky është qëndrimi korrekt dhe i drejtë  që duhet të mbajmë, pasi për të vënë etiketa është shumë e thjeshtë.”

Angazhimi më i madh i sektorit privat në arsim, vijoi Kryeministri, bëhet edhe më i domosdoshëm tani kur po ecet me shpejtësi drejt rritjes së madhe të numrit të studentëve.

“Universitetet nuk janë pa defekte, por aty ka grupe intelektualësh dhe ekspertësh të mirëshkolluar e diplomuar në universitetet perëndimore, të cilët bëjnë një shërbim shumë të dobishëm. Ka një shpirt akademik shumë më të hapur. Por, natyrisht, ne duhet të kërkojmë dhe të vendosim standardet dhe nuk është normale të bëjmë përgjegjës ato, për përgjegjësitë që duhet të mbajmë ne vetë.”

Duke nënvizuar nevojën e zhvillimit të arsimit profesional, Kryeministri kërkoi nga Ministria e Arsimit të inkurajojmë hapjen e shkollave të mesme profesionale.

“Me rënien e kooperativave dhe fermave bujqësore, pati një kolapsi pothuaj të plotë të sistemit profesional, i cili ishte i bazuar kryesisht në shkollat bujqësore. Ne mund të përcaktojmë stimuj për hapjen e shkollave profesionale. Kthesa e shpejtë dhe rregullimi raportit shkollë e përgjithshme- shkollë profesionale është i rëndësishëm për vendin,” tha Kryeministri.

Në shëndetësi, Kryeministri theksoi se mbështetja ndaj sektorit privat duhet të jetë edhe më të madhe, sepse ai e ka të vështirë të përballet më një sektor publik që ka garanci financiare të plotë dhe të gjithanshme. “Një pjesë e këtyre garancive financiare, - tha Kryeministri, - në të gjitha vendet pa përjashtim shtrihen edhe drejt sektori privat.”  

Duke përshëndetur si një zhvillim shumë pozitiv realizimin e transplantim të parë të veshkave nga sektori privat, Kryeministri theksoi se së shpejti kjo do të realizohet edhe në sektorin publik.

“Ne nuk duhet të kemi asnjë kompleks, në rast se në sektorin privat ka aparatura diagnostikuese, që nuk i ka sektori publik dhe kjo ka qenë e vërtetë në të gjithë botën. Ne nuk i privojmë të sëmurët tanë nga ky shërbim, por e përdorim atë si kontraktor. Hapat në këtë drejtim janë bërë dhe ne duhet të përpiqemi t’i nxisim e të përcaktojmë stimuj. Në këtë mënyrë ndryshojmë cilësinë  e shërbimit,” u shpreh Kryeministri.

Duke vlerësuar se sektori privat është në pararojë në shumë aspekte, në krahasim me atë publik, Kryeministri tha se lëvizjet e deritanishme në këtë drejtim duhet të shumëfishohen, pasi arsimi dhe shëndetësia janë sektorë shumë të rëndësishëm.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›