E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në Work Shop-in “Shqipëria, Turizmi dhe imazhi”

“ Të nderuar pjesëmarrës,

Dua të përgëzoj këtë nismë shumë të rëndësishme të zotit Alia dhe Institutit për Demokraci dhe Reforma,  të shoqërisë civile, për të trajtuar një problem shumë themelor për vendin, një problem jashtëzakonisht të rëndësishëm, problemin e turizmit.

Tashmë është e qartë se turizmi përbën potencialin më madhor në distancë, krahasuar me të gjithë potencialet e tjera të vendit, përbën potencialin më pak të shfrytëzuar, në të cilin ne duhet të përqendrohemi, për të shënuar një kthesë të madhe në qëndrimin ndaj tij. E them këtë sepse ,duke ju përgëzuar të gjithëve, të gjithë mikpritësit shqiptarë, të gjithë operatorët e turizmit, për bum-in turistik që përjetoi vendi këtë vit, sërish  unë e shoh se ne kemi detyra dhe detyrime shumë të mëdha ndaj turizmit dhe turistëve.  Ne kemi shumë për t’u ofruar turistëve. Kjo që ne përjetuam këtë vit ka qenë thjesht një fillim dhe kaq sa ka marrë këtë vit gjithë Shqipëria nga turizmi, nuk do të jetë e largët dita që ta marrë vetëm Saranda. Të mos harrojmë se jemi vendi më malor i Evropës, me Alpet ndër më të bukurat, që në dimër nuk shkelen asnjë herë, ndërsa verës ka ndonjë shtegtarë që shkon.

Duke njohur realitetet, njeriu duhet t’i ndryshojë ato. Dua të ndalem në dy momente që nxori sezoni turistik i vitit, njëri prej të cilëve ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Kjo është çështja e plehrave. Unë kam marrë letra dhe e-mail-e nga turistë të ndryshëm, të cilët kanë shprehur mahninë e tyre për çfarë kanë vizituar, por kanë shprehur gjithashtu dhimbjen e tyre për situatën që kanë gjetur dhe më keq akoma, shoqërues të rinj të mësuar me të keqen. Një turiste britanike më tregonte, në një letër të saj, se kur i them shoqëruesit tim, një djalë i ri, se si ka mundësi që e lejoni të jetë kjo gjendje me plehra, ai më thotë se aty ku jetohet, aty ka plehra.

Ne po përgatitemi për të marrë një fushatë të gjerë në këtë drejtim, sepse ky bum turistik mund të na kthehet në një bumerang. Kjo fushatë ka një rëndësi jetike për të ardhmen e turizmit në Shqipëri. Ne na duhen turistët, për shkak të eurove që ata shpenzojnë, por mund t’ju them se më shumë se për eurot ata na duhen për imazhin që ne duhet t’u japim atyre këto vite. Pasi më vonë, një Shqipëri e integruar, një Shqipëri e përfshirë në lëvizjen e përgjithshme, është një Shqipëri krejt tjetër.

E kam diskutuar edhe me kryetarët e bashkive dhe komunave të zonave turistike dhe qeveria, shoqëria civile dhe të gjithë duhet të angazhohemi së pari, për të zgjidhur këtë problem. Kjo situatë nuk pret, sepse nëse ajo vazhdon, jehona e  saj ushton botën dhe siç e thashë, nga bum turistik do të kthehet në bumerang. Ministria e Turizmit, së bashku me ministrinë e Mjedisit, këtë çështje duhet ta kenë më kryesoren, duke filluar nga tani dhe deri në fillimin e sezonit të ri turistik. Me shpejtësi duhet të gjejmë të gjitha mënyrat se si të ndryshojmë gjendjen.

Lidhur me ndërtuesit, të cilët janë të pa mëshirshëm në ndotjen e ambientit, Shoqata e Ndërtuesve duhet ta marrë me seriozitetin më absolut këtë. Ajo mund të japë një kontribut shumë të madh, sepse është e vërtetë se ndërtohet kudo në botë, por si këtu tek ne, grumbuj plehrash dhe dherash nuk sheh. Bashkitë dhe komunat duhet të riorientojnë të gjitha fondet për një qytet te pastër, për një Shqipëri të pastër. Kjo është e mundur plotësisht. Gjendja aktuale është shumë e papranueshme dhe është shumë më mirë që ne t’ia themi vetes këtë sesa të largojmë të tjerët.

Duhet gjithashtu që të ketë një sistem anketimi të vazhdueshëm për turistët. Ata janë vlerësuesit më të shkëlqyer për sezonin tjetër. Ne duhet të flasim shumë hapur me qytetarët. Saranda, dy vjet më shumë mbante çmime shumë të larta. Ndërsa sivjet Saranda ka marrë rreth çerek milionë turistë, sepse çmimet kanë zbritur në nivele të arsyeshme. Koncepti se brenda një muaji, me çmime të shtrenjta, duhet të fitohen të gjitha ato që janë investuar dhe ato që i duhen një investitori gjatë viteve, është shumë primitiv. Saranda është qyteti që ka të paktën potencial turistik 9 mujor, ndoshta edhe më shumë dhe ajo po bën progres të madh.

Turizmi është proces edukimi. Ne kemi një mikpritje me të cilën nuk krahasohet askush, por ajo duhet përpunuar, duhet të përshtatet. A duhet te ketë qytet që të të lerë kamerieri të presësh gjysmë ore? Turisti  nuk vjen për të pritur kaq gjatë në tavolinë. Është evidentuar që turistët kanë pasur probleme me shërbimin, me plogështinë, me vonesat. Por kjo nuk ka pse të ndodhë. Ne kemi shkolla për turizmin, kemi kurse. Punëmarrësi duhet të shtojë numrin punonjësve, ose duhet të edukojë ata që ka dhe duhet të paguajë më shumë rroga. Standardi është shumë i rëndësishëm. Sepse vërtetë mund të jesh pronar i një lokali, por përmes këtij lokali ti përfaqëson diçka, përfaqëson më shumë se veten tënde. Gjithsesi, ka përmirësim të ndjeshëm lidhur me shërbimin, por sërish nuk është aty ku duhet në ndonjë qytet. Në këtë drejtim, duhet të bëjë përpjekje të mëdha dhe sektori i shërbimit ndaj turistëve.

Spoti në CNN është jashtëzakonisht i dobishëm. Por një turist që vjen nga Atlanta në Himarë, nuk gjen një autobus për të zbritur në Lukovë, sepse nuk ka transport. Ndaj duhet të ngremë, qoftë edhe me mjete publike, linja transporti për zonën turistike. Ju bëj thirrje Agjencive turistike që të përpiqen të organizojnë udhëtime brenda vendit. Në një lokal – hotel në Berat, djali i një pronari më tregon në kompjuter se si ai i merrte të rinjtë nga Tirana, në grupe, dhe i çonte 53 km tek kanionet e Skraparit. Këtë e bënte për të mbajtur klientelë aty. Por turisti që vjen në Durrës me çfarë mjeti duhet të shkojë në Berat kur nuk ka një linjë, me çfarë mund të shkojë në Apolloni, në Bylis, etj.   

Ne duhet të bëjmë një diskutim shumë më kompleks dhe më vjen mirë që keni organizuar sot këtë seminar,

tamam në kohë. Qeveri është shumë e interesuar që të bashkëpunojë me të gjithë ju, në mënyrë që të krijojmë

kushte sa më të përshtatshme për turistët.

Është e domosdoshme të  shqyrtojmë mundësitë e kreditimit të zonave turistike, në mënyrë që të rritet kapaciteti pritës i tyre. Është e domosdoshme të planifikojmë dhe parashikojmë programe të veçanta të bashkive të Vlorës, Durrësit, Sarandës, Velipojës, gjatë gjithë sezonit. Është e vërtetë që kemi pasur një bum turistik por duhet të qëndrojmë në lartësitë e bumit. Kjo nuk është e thjeshtë, por është plotësisht e mundur.

Vendosa të flas hapur me ju sepse është jashtëzakonisht e rëndësishme t’i shohësh gjërat në sy. Së bashku duhet ta ndryshojmë këtë realitet në këtë fushë. Ministria e Turizmit, ministria e Mjedisit, Shoqëria Civile, bashkitë, komunat, duhet të angazhojnë të gjitha potencialet.  Duhet të bëjmë për vete qytetarët në këtë çështje, duhet të flasim hapur me ta dhe duhet të dalim me një platformë.

Edhe një herë dua t’ju përgëzoj për ketë nismë shumë të mire që keni marrë dhe dua t’ju siguroj se qeveria është thellësisht e interesuar të bashkëpunojë me ju, me agjencitë turistike, me të gjithë  elementët e Shoqërisë Civile, të bashkëpunojë  me bashkitë dhe komunat, në mënyrë që sezoni i ardhshëm turistik të na gjejë shumë më mirë, më të organizuar, pasi ne kemi potencialin mikpritës më të madh se çdo vend tjetër”      

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›