Kryeministri Berisha takon Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s , zotin Martin Erdman
Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Martin Erdman, Ndihmës Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s për çështjet politike dhe të sigurisë.
Kryeministri Berisha, pasi i uroi Z.Erdman mirëseardhjen, e falënderoi dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe inkurajimin e vazhdueshëm që NATO tregon për Shqipërinë.
Kryeministri Berisha u shpreh se integrimi në NATO dhe BE janë dy projektet madhore për shqiptarët. Qeveria shqiptare, theksoi Kryeministri, është tërësisht e vendosur dhe po bën çdo përpjekje për të merituar ftesën për në NATO dhe për integrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në BE.
Nga ana e tij, Ndihmës Sekretari I Përgjithshëm i NATO-s për çështjet politike dhe të sigurisë, z.Martin Erdman falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe e quajti vizitën e tij si një vizitë në një vend aspirant i rëndësishëm për integrimin në NATO dhe partner i rëndësishëm i saj.
Kryeministri bëri një ekspoze të gjithanshme të reformave në kuadër të integrimit në NATO dhe BE, por edhe të reformave të tjera për zhvillimin e vendit, reformën zgjedhore, reformën në drejtësi, reformën në sistemin e taksave etj.
Shqipëria është një demokraci funksionale, u shpreh Kryeministri Berisha, me një ekonomi dinamike që po shënon progres. Ai vuri në dukje se ekonomia shqiptare po zhvillohet me ritme të shpejta dhe qeveria ka krijuar një klime të favorshme për investimet vendase e të huaja, të cilat kanë shënuar rritje.
Më pas, Kryeministri u ndal gjerësisht në luftën e pandalshme të ndërmarrë nga qeveria kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Vendi është i qetë dhe i sigurt, ndërkohë që indikatorët e krimit janë në nivelet më të ulëta, të ngjashme me ato të vendeve të tjera evropiane, theksoi Kryeministri Berisha.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha u ndal në reformën në Forcat e Armatosura, e cila synon krijimin e një ushtrie të vogël dhe tërësisht profesionale në vitin 2010. Qeveria po e mbështet këtë reformë financiarisht me një buxhet në nivelin mbi 2 për qind të GDP-së, tha Kryeministri. Shqipëria, vijoi Kryeministri, do të vazhdojë të japë kontributin e saj në misionet e paqes së NATO-s dhe në luftën globale kundër terrorizmit.
Ne shohim me shumë vëmendje zhvillimet në rajon, vijoi më tej Kryeministri, bashkëpunojmë ngushtë me vendet e Adriatik 3, Kroacinë dhe Maqedoninë dhe mbështesim fuqimisht stabilitetin rajonal.
Ndihmës Sekretari I NATO-s për politikën dhe sigurinë, z.Martin Erdman I shprehu Kryeministrit Berisha se NATO vlerëson lart rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon, në ndihmë të paqes dhe stabilitetit.
Gjithashtu, z.Erdman vlerësoi në mënyrë të veçantë faktin që 94 % e shqiptarëve dhe të tëra forcat politike, përkrahin anëtarësimin e vendit në NATO. Në vazhdim, zoti Erdman u shpreh se Shqipëria është një vend shembull në rajon në respektimin e të drejtave të njeriut në vend.
Ndër të tjera zoti Erdman u shpreh se qeveria shqiptare ka bërë hapa tejet pozitive në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke arritur progrese të admirueshme.
Gjithashtu Zoti Erdman përgëzoi Kryeministrin Berisha edhe për arritjet e qeverisë ne zhvillimin e ekonomisë dhe thithjen në rritje të investimeve të huaja.
Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s përgëzoi Kryeministrin Berisha për arritjet në forcimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura si dhe u shpreh se e shihte pozitivisht rritjen e buxhetit për Forcat e Armatosura nga ana e qeverisë. Zoti Erdman vlerësoi kontributin e Forcave tona të armatosura me misionet e tyre përkrah NATO-s si dhe peshën e rëndësishme që ato mbajnë.
Zoti Erdman theksoi në të njëjtën kohë se institucionet e qeverisë shqiptare, në këto pak muaj që na ndajnë nga Samiti i Bukureshtit, duhet të fokusohen në reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore, në ndihmë të procesit të integrimit në NATO.
Gjatë takimit Kryeministri Berisha dhe Zoti Martin Erdman diskutuan për çështjen e statusit të Kosovës, duke theksuar se zgjidhja e statusit të Kosovës është në interes të paqes dhe stabilitetit në rajon.