E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha bashkëbisedon në Berat, me përfaqësues të administratës lokale dhe shoqërisë civile, të angazhuara kundër dhunës në familje

Kryeministri Berisha apeloi sot për angazhimin total të vajzave e grave dhe i të gjithë shoqërisë, për të ngritur një opinion të fuqishëm kundër dhunës në familje. Këtë thirrje drejtuar shoqërisë shqiptare, Kryeministri Berisha e bëri gjatë një bashkëbisedimi në Berat, me përfaqësuese të mekanizmave të administratës lokale dhe shoqërisë civile, të angazhuara kundër dhunës në familje si punonjëse sociale, mjeke dhe infermiere, psikologe, përfaqësuese të pushtetit lokal dhe të shoqatave të ndryshme të fushës.

Sëbashku - tha Kryeministri - duhet të bëjmë gjithçka për një opinion të fuqishëm, por edhe të një seri masash për goditjen e krimit në familje, për mbrojtjen e mbështetjen e grave dhe vajzave, për ngushtimin e diferencës në pagë midis burrit dhe gruas dhe për luftimin e pabarazisë gjinore në përgjithësi.

Bashkëbisedimi i Kryeministrit Berisha me përfaqësues të administratës lokale dhe shoqërisë civile, të angazhuara kundër dhunës në familje.

“Së pari, ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe me shumë mirënjohje ju falënderoj për të gjithë mbështetjen e madhe që i keni dhënë në këto vite Partisë Demokratike, programit të saj të transformimit të Shqipërisë. Roli juaj në të gjitha arritjet e vendit ka qenë kryesor dhe mbetet i tillë. Duke theksuar këtë, sëbashku duhet të njohim një problem madhor që ekziston në shoqërinë tonë, një problem që fatkeqësisht ekziston në çdo shoqëri të lirë dhe që është i lidhur me murin e patriarkisë, murin e ndërtuar në shekuj e mijëvjeçarë, një mur që edhe në kohërat moderne ka gjetur mbështetjen e tij. Mjafton të përmendim një doktrinë që solli një kontribut të madh në shkencë, frojdizmin. Trajtimi që frojdizmi i bën gruas është absolutisht jo shkencor, është një spekulim i mirëfilltë, i cili në mënyrën më të pamerituar thellon ndjeshëm kanionin gjinor. Unë mora vetëm këtë doktrinë, e cila në disa aspekte të tjera i shërben njeriut, për të trajtuar një seri problemesh të spektrit psikik, por, fund e krye, ajo doktrinë reduktonte në mënyrën më të pamerituar rolin e gruas. Ju lexoni dhe do të gjeni lëvizje të fuqishme që promovuan rolin e saj, por do të gjeni edhe regres të vërtetë, të diktuar pikërisht nga këto doktrina. Regres që konsistoi në dekurajimin e gruas të ndjekë karrierën, në dekurajimin e saj për të luajtur atë rol që luajnë burrat, për të bërë atë që thotë Simone De Beauvoir se me punën në shtëpi, ajo ndërton shtëpinë, por burri ka tendencën të mos e lejojë atë, të ndërtojë botën, me punën jashtë shtëpisë.

Ky mur është shumë i fuqishëm dhe jo vetëm ndërpret karriera, por ka edhe aspekt agresiv, dhunën që ushtrohet ndaj gruas në familje. Duhet t’i shohim gjërat ‘drejt e në sy’, në mënyrë që të mund t’i ndryshojmë. A është rritur dhuna në familje? Unë them se është rritur dhe me keqardhjen më të madhe pohoj se edhe disa norma etike që kanë qenë të pathyeshme në moralin e shqiptarit, pavarësisht se ne kemi qenë një shoqëri e dominuar nga popullata rurale, në tërësi patriarkale, por respekti për gruan ka qenë i palëkundur. Në librin “Majat e Shalës”, një prej dy, tre librave për Shqipërinë e një prej shkrimtareve më të shquara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në doktrinën e konservatorizmit dhe neoliberale, ajo përshkruan marrëdhëniet fisnore në Shalë. Libri përkthyer 2-3 herë dhe duhet të gjendet edhe në bibliotekën këtu. Në atë periudhë dominonin tërësisht marrëdhëniet fisnore, pra, çdo gjë përcaktohej nga interesi i fisit, por kur vjen problemi në marrëdhëniet bashkëshortore, thotë autorja, këta janë shok e shoqe më njëri-tjetrin dhe aq sa duket e ashpër kjo lloj marrëdhënieje, ku kreu i fisit dhe këshilli përcaktonte një, dy, tre gjëra, por në marrëdhënie bashkëshortore, ata ishin shokë që respektonin plotësisht njëri-tjetrin.

Në traditën tonë ka qenë i palëkundur respekti ndaj gruas. Por sot, dhuna në familje është bërë një problem serioz për shoqërinë tonë. Kjo kërkon guxim e kurajë. Statistikat e denoncimit të kësaj dhune janë gjithnjë e më shumë premtuese. Gra e vajza e denoncojnë dhunën, por duhet të bëjmë gjithçka për t’ju garantuar mbrojtjen dhe mbështetjen e duhur. Me dhunë nuk ndërtohet familja, por ndërtohet skllavëria. Dhuna është tipar i marrëdhënieve të skllavit me pronarin, por jo mes bashkëshortëve, vëllait e motrës, babit e vajzës. Ndaj për ne është e një rëndësie të jashtëzakonshme një angazhim total i vajzave dhe grave, për të ngritur një opinion të fuqishëm kundër dhunës. Në rast se kthehemi dhjetë vjet më parë, gjykatat hezitonin të dënonin se e quanin si një gjë brenda mureve të shtëpisë, por krimi në familje është forma më e shëmtuar  e krimit. Ndaj sëbashku do të bëjmë gjithçka për një opinion të fuqishëm, por edhe të një seri masash. Forcimi që i bëmë Kodit Penal ka dhënë rezultate. Është shumëfishuar numri i denoncimeve dhe është rritur numri i dënimeve nga gjykatat. Paketa e dytë është edhe më e fuqishme. Ne do t’i qëndrojmë fuqishëm rreptësimit të ligjeve. Natyrisht, ato japin vetëm një pjesë të përgjigjes. Përgjigjen duhet t’ia japim ne, duke i marrë në mbrojte, duke u garantuar një jetë normale dhe ajo që nuk mund të jetojë brenda, do jetojë jashtë familjes. Nuk është familje, ajo që i torturon dhe i masakron gratë, përkundrazi, është ferr i vërtetë.

Në të gjitha qëndrimet tona, ne përpiqemi të operojmë fuqishëm në drejtim të ngushtimit të diferencës gjinore. Në vitin 2005, diferenca në pagë midis burrit dhe gruas ka qenë 36 përqind. Një diferencë absurde, e cila nuk vinte se ligji përcaktonte se për të njëjtën punë, gruaja paguhej 36 përqind më pak, por problemi ishte se punët e paguara i merrnin burrat dhe punët  e papaguara u rezervoheshin grave. Ne e zbritëm këtë diferencë në 17.7 përqind. Ne bëmë ndërhyrje të fuqishme, duke rritur rrogat në sektorët e administratës që dominohen tërësisht nga gratë e vajzat. Ne bëmë ndërhyrje të fuqishme, duke vendosur sa më shumë gra e vajza  në pozita vendimmarrëse. Edhe sektori privat ndoqi këtë trend. Është rritur disa herë numri i grave biznesmene, është rritur disa herë numri i grave menaxhere, presidente kompanish. Ne jemi përpjekur të pushtetojmë ekonomikisht gratë, nëpërmjet granteve dhe kredive tona dhe do ta vazhdojmë këtë përpjekje në mënyrë të pandërprerë.

Ne kemi ndryshuar Kodin Civil për të njohur të drejtat e gruas, mbi të gjitha ato të drejta që ka burri. Kjo përbën një arritje. Por prapë muri është mijëravjeçar dhe në betejën kundër tij nuk duhet të kënaqemi kurrë apo të pushojmë së luftuari. Ne duhet të bëjmë gjithçka, për të arritur hapa të mëtejshëm. U ndala pak tek karriera si një levë jashtëzakonisht e fuqishme. Sot, 70 përqind e studentëve të mjekësisë janë vajza, 60 përqind në ekonomi janë vajza. E vërteta është se edhe në programet e kualifikimit e të punësimit, 71 përqind e qytetarëve që kanë përfituar janë vajza e gra. Ne përpiqemi e do të përpiqemi të përmirësojmë pozicionin e tyre, por ndjekja e karrierës është jashtëzakonisht e rëndësishme për një vajza e grua. Me këtë dua të them se duhet të bëjmë gjithçka që vajzat e gratë që diplomohen t’i përkushtohen profesionit, pavarësisht se i shoqi mund të ketë një punë a biznes të atillë që i bën të ardhurat e saj të parëndësishme. Problemi nuk qëndron tek të ardhurat, por tek potencialet, kontributi e roli i saj. Sot është faktuar në mënyrë shumë të qartë, supermacia e grave në rrafshin intelektual dhe janë të njëjtat institute që kanë bërë testet e intelektit, gjatë gjithë shekullit. Përse tani, gratë rezultojnë më të avancuara se burrat? Kjo, sepse është rritur shkollimi i grave, sepse ato masivisht janë më të shkolluara se burrat dhe shkolla përbën një bazë e ushqim për intelektin. Ndaj duke bërë gjithçka për të mbështetur karrierën e gruas, duhet të bëjmë gjithçka që vajzat të shkollohen. Trendi në Shqipëri është shumë i mirë. Ato dominojnë në të gjitha universitetet tona dhe jo vetëm si numër, por edhe si ekselenca. Ky është një zhvillim pozitiv.

Natyrisht, ky nuk është problem i thjeshtë, por inkurajuese është fakti që ajo është çështje që mund të ndikohet dhe madje, fuqishëm. Kur kam parë në vitin 2005, diferencën në rroga midis burrave e grave, 36 përqind, ju them të vërtetën më është dukur vetja dy shekuj mbrapa. Përse kjo diferencë dhe si ka mundësi që ky prediktor natyral të përcaktojë vendosjen në punë, në mënyrë të tillë, midis burrave e grave, saqë diferenca në pagë të jetë 36 përqind! Por kjo diferencë u ngushtua, sot e kemi 17.7 përqind dhe do të ngushtohet edhe më shumë. Ne do të rrisim kreditë për vajzat e gratë që duan të hapin biznese. Ne besojmë se me iniciativën e tyre të lirë, ato mund të begatojnë familjen e tyre, njëlloj e ndofta më mirë se burri. Ne duhet t’i orientojmë në tërësi kreditë e grantet, drejt tyre dhe në fakt në fshat po e bëjmë ose po adaptojmë bashkëkryefamiljarin. Tek ato, paratë janë më të sigurta, nuk shkojnë në bixhoz a bingo, por shkojnë në projekte. Është shumë e rëndësishme të kemi zyra, të cilat të këshillojnë e t’u mundësojnë grave të bëjnë plane biznesi, projekte. Shumë të rëndësishme janë zyrat e këshillave juridike për të gjithë shoqërinë, por ku do të përfitojnë vajzat e gratë.

Në këtë proces, ne nuk duhet të udhëhiqemi vetëm nga rrafshi njerëzor, ndonëse edhe ky është i rëndësishëm. Sot, dhunuesi më kryesor i lirive dhe të drejtave të njerëzore në një shoqëri  është pabarazia gjinore, muri i patriarkisë. Natyrisht, çdo njeri i lirë duhet të luftojë për liritë e të drejtat njerëzore. Por ka edhe një aspekt tjetër themelor, ai i potencialeve të mëdha intelektuale. Ka një të vërtetë shumë të madhe dhe po të lexoni do të gjeni shoqëri, të cilat kanë pasuritë më përrallore, trilionë lëndë të para të kushtueshme, por, absolutisht, në tërësinë e tyre janë shoqëri me kohë shumë të ngadalësuar, për të mos thënë të ndaluar, sepse bazohen vetëm në aktivitetin e burrit. Është jashtëzakonisht e vështirë të besosh se një vend e një shoqëri mund të zhvillohet vetëm me punën e veprimtarinë e burrave. Kjo nuk ndodh. Ndaj është kusht vendimtar për ne, shpalosja e angazhimit dhe e përkushtimit të vajzave e grave, e potencialit të tyre intelektual, integritetit të madh në punë, aftësive profesionale në zhvillimin e vendit e të shoqërisë.

Ndaj në këtë fushatë jemi angazhuar intensivisht në një bashkëbisedim me ju, të marrim mendimet, idetë, propozimet tuaja, se çfarë të bëjmë që katër vitet e ardhshme ta ngushtojmë edhe më shumë hendekun që ekziston midis dy gjinive. Kjo është rruga e zhvillimit të vendit. Kjo është rruga e konsolidimit të mëtejshëm të demokracisë shqiptare. Faleminderit.

Përshëndetje zoti Kryeministër. Unë jam vajza e një ish të burgosuri politik. Dhuna në familje është një problem shumë akut për shoqërinë shqiptare, por nepotizmi zoti kryeministër, klanet që kanë mbërthyer degën e Partisë Demokratike të Beratit janë më të rrezikshme së dhuna në familje. Motra ime ka kaq kohë që përpiqet të marrë një post drejtues në arsimin në Berat dhe drejtoria Arsimore e këtij rrethi nuk e bën të mundur këtë?

Kryeministri Berisha: Unë ju falenderoj shumë për çështjen që ngritët. Ju siguroj se duke mos marrë përsipër analizën e rastit konkret, sepse do të doja të dëgjoja të dy palët, por si fenomen është absolutisht ekzistues. Edhe sikur qëndrimet ndaj motrës suaj të jenë plotësisht të bazuara, ajo që shtroni ju qëndron në mënyrë të padiskutueshme. Pse? Qëndron, sepse përpunimi i kritereve të bazuara në meritë është njëra anë, por bazimi tek këto kritere është ana tjetër. Cila është zgjidhja? Zgjidhja është luftë dhe përpjekje e vazhdueshme  për të rritur transparencën në emërime, një luftë dhe përpjekje e vazhdueshme për të bërë që në vendet  në të cilat konkurrohet, të jenë të hapura dhe vlerësimi të jetë sa më transparent. Një nga aktet e para, një nga ligjet e para që bëmë në vitin 2005 ishte ai kundër nepotizmit, për fat të keq gjykata e rrëzoi. E rrëzoi gjykata me arsyen se nuk mund të privohet tjetri për shkak të lidhjeve të gjakut. Unë këtë e dija, sepse njoh edhe praktikat e vendeve të tjera, por gjykoja se për ne, për një periudhë kohe të caktuar  ai ligj ishte shumë i dobishëm. Natyrisht, zgjidhja më e mirë është transparenca e konkurseve dhe unë ju garantoj ju se do të bëj gjithçka për rritjen e saj, por duhet që bashkërisht ta bëjmë këtë betejë të gjithë sëbashku.

-Unë dua të ndaj me ju një gjë shumë të këndshme në Berat. Unë jam përfaqësuese e shoqërisë civile dhe këtu shoqëria elitare e grave të beratit funksionon shumë mirë. Unë do t’ju pyesja për cilësinë e grave në politikë. Ju keni menduar që me politikat tuaja 30 përqind e deputeteve duhet të jenë femra. Në qoftë se ju e arrini këtë kuotë, kjo do të jetë mbi bazën e meritës apo  do të jenë vetëm në listën e përfaqësimit. Nga kjo pyetje më lind dhe një pyetje tjetër. Në qoftë se femrat në politikë do të jenë cilësore, kjo do të bëjë që të zbresim shkallë-shkallë deri në bazë që përfaqësimi të jetë cilësor, a do të ketë ndonjë shembull nga gratë e politikës të japin shembull për bashkëpunim duke e kaluar këtë edhe në strukturat e tjera?

Kryeministri Berisha: Duke qenë i vetëdijshme se gratë nuk kanë  ende vendin që meritojnë në politikë, do të bëjmë gjithçka për promovimin e tyre. Në zgjedhjet e fundit lokale është rritur me dhjetë herë numri i këshilltareve. Në qeveri vërtet është një, por poste ekuivalente me ministren janë disa. Është kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, është Kryetarja e Autoritetit të Mbikëqyrjes të Tregjeve Financiare jo Bankare, është Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, është komisionerja për pakicat , pra janë një seri, janë rreth 8 ambasadore. Ju siguroj se në të gjithë përpjekjen tonë kjo është një çështje  që ne i kushtojmë shumë vëmendje. Në kuota të tjera do të bëjmë gjithçka për ti respektuar. Le të ndalemi pak. Cili është mjedisi që gjejnë në parlament gratë dhe vajzat? Ju jap një shembull  juve. Unë jam kryeministër dhe ky është viti i tetë si kryeministër. Opozita ka bërë gjithçka që të përmbysë qeverinë dhe kryeministrin, edhe në formë jo të ligjshme, por nuk ka përdorur njëherë mocionin që është forma kushtetuese. Ka një rrugë kushtetuese për të larguar një kryeministër, rruga kushtetuese është mocioni i mosbesimit. Mocionin e mosbesimit, opozita e ndërmerr edhe nëse sheh që kryeministri nuk mund të rrëzohet, por e ndërmerr për tu thënë shqiptarëve se ky akt për të cilin ne po kërkojmë largimin e kryeministri është kushtetues, ky është një akt i rëndë dhe ky akt ka dëmtuar interesat publike. Nuk e kanë ndërmarrë qoftë edhe njëherë të vetme dhe jua kam thënë publikisht, ndërmerreni provojeni. Kanë ndërmarrë mocion mos besimi dy herë në një akt të pashembullt  ndaj Kryetares së Parlamentit. E drejta për të shkarkuar një funksionar ekziston gjithmonë, ka shembuj dhe në Europë. Kryetari i Parlamentit nuk është ai që përcakton politikat. Politikat i përcakton shefi i ekzekutivit.  E thash këtë, për të treguar se çfarë mjedisi ju krijohet në parlament zonjave dhe zonjushave. Edhe aty ka nevojë për një qëndrim të ri ndaj tyre dhe ky qëndrim i ri, jam i sigurt se pavarësisht nga përkatësia partiake do tu japë atyre mundësinë të lozin rolin që ju thoni. Unë ju përgëzoj juve, me punën që bëni me studentët, në konceptin tim, puna e mësuesit dhe puna e pedagogut me studentët është e një rëndësie të jashtëzakonshme. Një rëndësi, e cila është një nga kontributet që transmetohet nga gjenerata në gjeneratë. Ato çka një mësues, ato çka një pedagog arrin t’ia ngulitë, arrin ti bëjë pjesë të rëndësishme të dijes, por edhe të qëndrimeve një studenti, një fëmije, ai ato me vendosmërinë më të madhe jua përcjell fëmijëve të tyre kur të rritet. Ndërkohë në rrafshin intelektual, bashkëpunimi me studentët angazhimi i tyre në rrethe të caktuara, në kërkime shkencore, në veprimtarinë e pedagogut është jashtëzakonisht e rëndësishme  për formimin e tyre. Ndaj ju falenderoj ju për rrethin që keni. Në ato vite kur unë kam dhënë mësim në fakultet dhe unë kam pasur një rreth shkencor, në të cilin raporti vajza-djem ishte të paktën 3 me 1, në favor të vajzave.

Jam përfaqësuese e shoqatës “Gruaja për arsim”. Dua të di politikat që keni ju  si qeveri për të mbështetur projektet për gratë e dhunuara dhe politika për rritjen e cilësisë në arsim, si dhe masat që po merren për mbështetjen e këtyre grave të dhunuara për kreditë e buta?

Kryeministri Berisha: Së pari, sot fibra më e fuqishme e shoqërisë civile janë OJQ e drejtuara nga gratë. Fatmirësisht këto dominojnë shoqërinë civile në fushën sociale dhe japin një ndihmesë të jashtëzakonshme në të gjitha çështjet, duke filluar nga trafiqet dhe të trafikuarat tek gratë  e dhunuara, tek gratë kryefamiljare dhe në tërësi këto janë sot një faktor shumë i rëndësishëm i amortizimit i zbutjes së pasojave të këtyre dukurive. Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë. Vlerësojmë shumë këto rrjete, në të gjitha aspektet dhe ju garantoj, që kjo linjë do të vijë gjithnjë e më shumë duke u forcuar. Po marr një aspekt që duhet zhvilluar. Po marr punësimin. Ne do të bëjmë një transformim të agjencive të punësimit, në mënyrë që çdo punonjës do të ketë një numër të caktuar të papunësh, me të cilët ai do të merret me sistemimin e tyre në punë, sot ata janë shumë, por kjo do të ndryshojë, ai nuk do të ketë më shumë se 150 persona që kërkojnë punë. Ai do të ketë edhe një stimul për punësimin e tyre. Ai do të bëjë edhe një klasifikim të tyre. Por a mund ta përballojnë këtë agjencitë tona të  punësimit.  Absolutisht jo. Këtë do të mund ta përballojnë vetëm në rast se do të vendosim një partneritet të fuqishëm në agjencitë private dhe një nga dimensionet që duhet të nxisim katër vitet që vijnë është nxitja dhe inkurajimi i krijimit të këtyre agjencive private.  Universitetet po angazhohen gjithnjë e më shumë në zyrat e karrierës. Beteja jonë më kryesore duhet të jetë beteja për punësimin. Ne duhet të bëjmë gjithçka për të punësuar vajzat, gratë, të rinjtë, për të punësuar shqiptarët.  Po ju them një gjë, njerëzit kanë shumë të drejtë kur ankohen për mungesën e punës, kanë shumë të drejtë kur ankohen për rrogën e vogël, kanë shumë të drejtë kur ankohet për vështirësitë e përditshme ekonomike, por një gjë dua t’ju them, nëse ka pasur një arritje të madhe personale për çdo qytetar shqiptarë ka qenë mbrojtja që reformat tona ekonomike i bënë ekonomisë shqiptare nga kriza. Po ju them juve, ju dëgjoni çdo ditë opozita thotë një milion të papunë, por e tërë forca punëtore e Shqipërisë është një milion e 80 mijë vetë. Sipas opozitës në Shqipëri punojnë gjithsej 80 mijë vetë, ndërkohë që arsimi, shëndetësia, dhe dy sektorë të tjerë publik i afrohen 80 mijë të punësuarve. Ato që thotë opozita janë statistika mashtrimi, por prapë papunësia ekziston dhe papunësia është 13.3 përqind. Mirëpo, çfarë thotë raporti më i fundit i Komisionit Europian?  Raporti më i fundit i Komisionit Europian, i cili analizon çdo tre muaj  ekonominë e çdo vendi në Europë. Ju duhet ta dini se asgjë nuk analizohet me lupë,  sesa ekonomia e një vendi, sepse në këtë shoqëri të sotme Europiane, është  e vërtetë se kancelarja Gjermane, apo kryeministri anglez, apo presidenti francez preokupimin më kryesor e kanë për shtetasit e tyre, por është e vërtetë që ata ndiejnë edhe përgjegjësitë për problematikën e vendeve të tjera dhe analiza bëhet me lupë. Bëhet me lupë, me qëllimin e vetëm, se politikat e gabuara të mos dëmtojnë interesat e qytetarëve të atij vendi , sesi të mund të parandalohen përkeqësimet ekonomike kudo. Bashkimi Evropian, i cili është edhe donator kryesor, analizon çdo tre muaj ekonominë shqiptare, e analizon atë me të gjithë treguesit. Çfarë thotë raporti i fundit ? Raporti i fundit thotë se Shqipëria, Islanda, Turqia, patën rritje ekonomike, të ngadaltë, por patën rritje, pra nuk ranë në recension. Çfarë thotë raporti? Ai thotë se Shqipëria pati ulje të papunësisë me 0.5 përqind. Mendoni për një moment, nëse Shqipëria do të ishte në recension, sa dhjetëra, mijëra vende pune do të ishin shkatërruar. Siç ka ndodhur me  Serbinë e ka 23 përqind papunësinë, siç ka ndodhur me Maqedoninë e ka 32 përqind papunësinë, siç po ndodh me Kroacinë e vendet për rreth. Pse? Sepse recensioni do të thotë minus vende pune, do të thotë mbyllje fabrikash, mbyllje sipërmarrje, mbyllje vende pune , pra në këtë kontekst këto reforma jo vetëm ia dolën të krijojnë vende pune, 0.5 përqind vende të reja pune, por këto reforma mbrojtën dhjetëra, mijëra vende pune nga shkatërrimi. Papunësia nuk do ishte 13, por mund të ishte 18, 20 siç shkoi në vende të tjera. Në këtë kontekst ne vazhdojmë përpjekjen  tonë të madhe për të nxitur iniciativën e lirë. Kemi krijuar një sistem fiskal që fton investitorët. Taksa 10 përqind  është një arritje e jashtëzakonshme. Po të pyesni pse nuk u rrit papunësia këtu, sepse janë rritur investimet, në këto katër vite ne kemi marrë tre herë investime të huaja më shumë, sesa katër vite para këtyre. Ne kemi marrë 4.2 miliard dollarë investime, kundrejt 300 milion që merrnim para këtyre. Po pse i morë ne këto? Sepse u anëtarësuam në NATO, sepse vendosëm taksën e sheshtë. Çfarë do të bëjmë tani? Mikrokredia dhe kredia do të jenë një nga linjat më kryesore të mbështetjes së biznesit. Mikrokredinë do ta shtrijmë detyrimisht në shtresat e varfra, përndryshe ato mbeten shtresa të dënuara. Ato nuk mund të paraqiten në dyert e bankave, pasi bankat u kërkojnë kolateralin, që ato nuk e kanë. Atëherë do të ecet me mikrokreditë, në mirëbesim, me gratë , me të rinjtë, sipas të gjitha rregullave. Ne do të bëjmë gjithçka edhe për mikrokredinë, edhe për kredinë, si dhe do të bëjmë gjithçka, për trajtimin me përparësi të grave dhe vajzave. Një të dhënë do t’ju kërkoja që të mos e nxirrni nga mëndja. Ju folët këtu shumë bukur për pasionin e shqiptarëve për arsimin dhe kjo është e vërtetë dhe kjo funksionon në mënyrë të jashtëzakonshme për ne. Një miku im i huaj më thotë një herë;-  Sali ju jo e doni, por jeni të sëmurë pas arsimit, sepse është gjë shumë e madhe kjo që bëni ju për të arsimuar fëmijët. Por nuk është vetëm arsimi. Asnjë popull dhe ju duhet të shikoni në të gjitha statistikat që janë të hapura në internet, asnjë vend në 21 vite nuk ka 11 fushuar prodhimin e brendshëm sesa shqiptarë dhe këtë e thotë çdo statistikë e botës. Këto janë lumenjtë e djersës të një kombi që u zgjua nga diktatura në varfërinë me ekstreme dhe që rendi me të gjithë fuqinë e tij për të dalë sa më shpejt nga ai mjerim. Janë reforma të drejta, të cilat u bazuan ose u besuan në liritë e individit, besuan në iniciativën e lirë të qytetarit. Sot ne jemi një nga dhjetë administrata më të vogla të botës. Po pse e bëmë ne këtë, sepse ne mund ta dyfishojmë trefishojmë atë. Por në qoftë se ne bëjmë këtë, kjo është një barrë e rëndë mbi supe e sektorit privat. Neve ju ngushtojmë lirinë atyre. Një nga shkaqet që ky sektor përballoi krizën është barra e lehtë që rëndoi mbi të.

***

Kryeministri Berisha : Duke ju falenderuar do të jem shumë i hapur. Çështjen e luftës dhe dhunës kundër grave dhe vajzave do të mund ta fitojmë vetëm kur ju do të mund ta bëni atë çështje tuajën. Kjo luftë nuk fitohet duke e bërë atë çështje të burrave. Jo. Unë nuk them se ata nuk duhet të japin të gjithë kontributin e tyre, por të gjitha çështjet  e mëdha në historinë e zhvillimit dhe të qytetërimit, gratë i kanë zgjidhur vetë. Po të lexoni ju lëvizjet e mëdha të lëvizjet për karrierë ka bërë që jo të kapë vende në çdo post nga më të vështirët në politikë, në shkencë, në teknologji dhe kudo. Ato nuk kanë ardhur si dhuratë  e burrave , nuk kanë ardhur as  si përkushtim i tyre ndaj grave, kanë ardhur para së gjithash si një luftë dhe përpjekje e madhe e grave për të ngushtuar pabarazinë gjinore. Duke theksuar këtë ju garantoj se do të bëj gjithçka për ngushtimin e kësaj pabarazie. Se do të miratojmë çdo ligj dhe do të marrim çdo vendim për ngushtimin e saj, për të ecur të vendosur drejt barazisë gjinore, por përsëri asgjë më përcaktuese nuk ka sesa vendosmëria juaj për ta ngushtuar këtë hendek, për të kapur të drejtat, pozicionet vendet vendimmarrëse. Le ta shndërrojmë  ne këtë katër vjeçar që vjen, në një katër vjeçar, në të cilin të arrijmë në rezultate konkrete ngushtimin më të madh të hendekut gjinor, të hendekut që ndan nënën nga babai, vëllain nga motra, burrin nga gruaja, vajzën nga djali dhe të bëjmë shoqërinë tonë shumë më fisnike më të drejtë më të barabartë. Faleminderit!”


30/04/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›