Kryeministri Berisha inauguron rikonstruksionin e rrugës Bërxullë – Domje me vlerë 233 milionë lekë

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e rikonstruksionit të rrugës Bërxullë – Domje, me gjatësi 5.3 kilometër. Rikonstruksioni i kësaj rruge është një investim me vlerë rreth 233 milione lekë, financim i qeverisë shqiptare dhe Bankës së Këshillit të Evropës. Kjo rrugë u vjen në ndihmë 10.000 banorëve të kësaj zone dhe lidh fshatrat Berxullë, Domje dhe Laknas me rrugën nacionale Tiranë - Durrës dhe superstradën e Rinasit.
Gjendja e rrugës përpara investimit ka qenë shumë e keqe, duke u bërë pengesë serioze për transportin normal të njerëzve dhe mallrave. Rruga është e pajisur me të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës, përfshirë, sinjalistikën, kanalizimet e ujërave të bardha dhe te zeza, mure mbajtëse, vepra arti etj. Ky investim shkurton kohën e udhëtimit krahasuar me atë përpara rikonstruksionit të rrugës, duke lehtësuar gjithashtu lidhjen me qendrat administrative të komunës Berxullë dhe bashkisë Kamëz, shërbimet arsimore dhe ato shëndetësore.
Ky investim, se bashku me segmentin Berxulle - Laknas, punimet e te cilit do te fillojnë brenda muajit maj, do të shërbeje si arterie te rëndësishme e gjithë komunitetit te kësaj zone për të lëvizur në rrugë me parametra bashkëkohore drejt superstradës së Rinasit dhe kryeqytetit. Ndërtimi i kësaj rruge do të nxisë zhvillimin social – ekonomik të zonës, duke krijuar mundësi për zhvillimin e bizneseve të vogla lokale dhe familjare.
Pas inaugurimit, Kryeministri Berisha falenderoi dhe përshëndeti banorët e Domjes për mbështetjen që ata i kanë dhënë Partisë Demokratike dhe qeverisë së drejtuar prej saj.
Më pas Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë e tij për inaugurimin e kësaj rruge, e cila do t’ju shërbejë rreth 10 mijë banorëve.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha theksoi faktin se, në këto vite qeveria ka shpallur përparësitë e saj më madhore , si infrastruktura moderne , rrugë, drita kanalizime ujësjellës, shkolla moderne në të gjitha komunat dhe fshatrat e vendit. Kryeministri Berisha shprehu vendosmërinë, që kjo qeveri është e vendosur të bëjmë gjithçka, për tu dhënë komunave e fshatrave infrastrukturën e lagjeve të qyteteve. Duke u ndalur tek investimet e katër viteve që vijnë, Kryeministri Berisha u shpreh se, katër vitet që vijnë do të jenë vitet e finalizimit, e përfundimit të infrastrukturës moderne në të katër anët.
“Unë jam sot për t’ju dhënë fjalën, se mandati ia ardhshëm do të jetë mandati i Shqipërisë me infrastrukturën më moderne në çdo skaj të saj. Mandati i ardhshëm do të jetë mandati i punësimit masiv të shqiptarëve. Vetëm në rrugët e ndërtuar gjatë këtyre viteve, në rrugët rurale dhe rrugët kombëtare janë punësuar mbi 57 mijë qytetarë në ndërtimin e tyre, por rrugët kanë sjellë krijimin e dhjetëra, mijëra bizneseve, kanë nxitur prodhimin, aty ku shkon rruga, aty nis biznesi, aty krijohet puna, aty krijohet fermat”, - u shpreh Kryeministri Berisha.
Më tej, kreu i mazhorancës u shpreh se, alternativa jonë është rrugë të reja, shkolla të reja, kopshte, qendra shëndetësore, ujësjellësa, kanalizime, vende pune, rritje rrogash, rritje pensionesh, ndërsa përballë qëndron alternativa e varfër, e shkretë në ide, e pasur në mashtrime, në trillime të përditshme.
Kryeministri Berisha i ka kujtuar kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, se nga mëngjesi deri në darkë shpërndan vetëm gënjeshtra . “Më lejoni, ti rikujto zotit Rama se gënjeshtra është frika e njeriut nga vetja e tij, se gënjeshtra është dobësia më e tmerrshme e burrit dhe se ti nga mëngjesi deri në darkë shpërndan vetëm gënjeshtra”, - u shpreh Kryeministri Berisha.
Gjatë fjalës së tij Kryeministri Berisha u shpreh:
“ Të dashur banorë të Domjes,
zoti Kryetar i Komunës,
zoti Prefekt,
zotërinj qeveritarë vendorë,
vëllezër dhe motra
Së pari përshëndetjet e mia më vëllazërore, mirënjohjen time më të thellë ndaj jush, për mbështetjen tuaj të fuqishme, që i keni dhënë në çdo kohë Partisë Demokratike, qeverisë së Partisë Demokratike. Së dyti shpreh kënaqësinë që inaugurojmë sot sëbashku këtë rrugë, e cila u shërben rreth 10 mijë banorëve. Një investim ky prej 233 milion lekësh, me trotuar dhe ndriçim në zonat e banuara, por jam këtu për tu dhënë fjalën se do të mbështesim do të financojmë çdo projekt, që kryetari juaj, këshilli i komunës suaj do të bëjë për të ndryshuar jetën tuaj. Së shpejti do të fillojë n punimet e rrugës Bërxullë-Laknas, ndërkohë kryetari ka kërkuar investime të tjera shtesë dhe po merren të gjitha masat, që në komunën tuaj, që këtu në Domje të bëhet gjithçka, për infrastrukturën më moderne, infrastrukturën më të mirë. Cilido që vjen në këtë zonë, konstaton se ju me punën tuaj të shkëlqyer keni ndërtuar këtu vila, aq sa ka patur dikur një ndër qytetet më të mëdha të vendit. Keni ndryshuar dhe transformuar këtë zonë në mënyrë të shkëlqyer.
Zonja dhe zotërinj
Vëllezër dhe motra
Në këto vite ne kemi shpallur përparësinë tonë më madhore, infrastrukturën moderne , rrugë, drita kanalizime ujësjellës, shkolla moderne në të gjitha komunat dhe fshatrat e vendit. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka, për tu dhënë komunave e fshatrave infrastrukturën e lagjeve të qyteteve. Cilido që vë në dyshim këtë, le të vijë këtu në Domje, le të shkoje në një lagje të Tiranës dhe do të konstatojë se rrugët, se dritat, se ujësjellësi, se shkollat, se kopshtet, qendra shëndetësore janë absolutisht të njëjta.
Në këtë përpjekje, në kemi investuar në rrugët e zonave rurale, kemi ndërtuar mbi 8 mijë kilometra rrugë në Shqipërinë rurale, në fshatra dhe komunat e saj. Kemi ndërtuar mbi 10 mijë kilometra rrugë në mbarë vendin. Kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 1300 shkolla, nga të cilat mbi një mijë janë në Shqipërinë rurale. Kemi garantuar të njëjtat standarte, internet, kabinete informatike në shkollat e fshatit, si ato të qytetit. Kemi bërë gjithçka për ujësjellësa dhe kanalizime.
Vëllezër dhe motra
Katër vitet që vijnë do të jenë vitet e finalizimit, e përfundimit të infrastrukturës moderne në të katër anët, por meqenëse shumë këtu nga ju keni ardhur prej shumë vitesh nga Kukësi, unë kam kënaqësinë t’ju them juve shkoni sot në Kukës ,shkoni në Kala të Dodës, për të parë nëse vërtet ne kemi investuar vetëm përreth Tiranës, apo keni investuar kudo në Shqipëri. Unë jam sot për t’ju dhënë fjalën, se mandati ia ardhshëm do të jetë mandati i Shqipërisë me infrastrukturën më moderne në çdo skaj të saj.
Mandati i ardhshëm do të jetë mandati i punësimit masiv të shqiptarëve. Vetëm në rrugët e ndërtuar gjatë këtyre viteve, në rrugët rurale dhe rrugët kombëtare janë punësuar mbi 57 mijë qytetarë në ndërtimin e tyre, por rrugët kanë sjellë krijimin e dhjetëra, mijëra bizneseve, kanë nxitur prodhimin. Aty ku shkon rruga, aty nis biznesi, aty krijohet puna, aty krijohen fermat.
Cila është alternativa jonë? Është rrugë të reja, shkolla të reja, kopshte, qendra shëndetësore, ujësjellësa, kanalizime, vende pune, rritje rrogash, rritje pensionesh. Po alternativa tjetër cila është? E varfër, e shkrete në ide, e pasur në mashtrime, në trillime të përditshme.
Në çdo rast më lejoni edhe njëherë, ti rikujto zotit Rama se gënjeshtra është frika e njeriut nga vetja e tij, se gënjeshtra është dobësia më e tmerrshme e burrit dhe se ti nga mëngjesi deri në darkë shpërndan vetëm gënjeshtra.
Vëllezër. Ai shkoi në Shkodër dhe ju tha shqiptarëve se kjo qeveri ka ndërtuar gjithsej 600 kilometra rrugë, sot nxori dordolecin e tij dhe u tha shqiptarëve, se kjo qeveri ka ndërtuar gjithsej 1800 kilometra rrugë. Po zotëri, po shokë, Shqipëri në të cilën endeni ju, aq kilometra rrugë ka, kurse Shqipëria, në të cilën shëtisim ne, ka 18 mijë kilometra rrugë.
Meqë jemi tek rrugët dhe meqë zoti Rama mban kudo që shkon me vete gënjeshtrat për ti paraqitur ato, po ju kujtoj se e keni dëgjuar kohët e fundi të thotë se nuk kam qenë kurrë kundër Rrugës së Kombit. Le ti themi pak këtu para jush se nuk ka më keq, kush i nisi deputetët tuaj këtu si çetnik për të bllokuar tunelin, të cilët i përzunë mirditorët brenda pesë minutave. A nuk i nise ti bashke me çadrat e grevës për në hyrje të tunelit, për të bllokuar ndërtimin e tunelit!? A nuk je ti me partinë tënde që e shpalle Rrugën e Kombit, rrugën e asgjësë!? Pra, le ta lëmë atë në gënjeshtrat e tij, le ta lëmë atë në të shkuarën e tij, le ta lëmë atë në disfatën e tij, por një gjë dua t’ju them dhe të jem i sinqertë me ju. Nuk ka burrë në Shqipëri, nuk ka burrë në Ballkan si ai, arkitekt më të zotin, për humbje njëra pas tjetrës. Nga humbja në humbje, njeriut që nuk i rri shpirti në vend, po nuk regjistroi humbjen e radhës.
Ndaj dhe 23 qershori po vjen, të ndahemi përfundimisht me këtë grup njerëzish, të cilët në një akt të shëmtuar, anti-shqiptar, në një akt të shëmtuar kundër interesave të çdo fëmije, të riu, të çdo burri dhe çdo gruaje, bllokoi statusin e vendit kandidat edhe kur nga e gjithë bota miqtë i thonë, se e bllokove për qëllime personale pushteti, jo thotë s’kemi bllokuar kurrë, pra kalon nga mashtrimi në mashtrim.
Edhe njëherë ju përshëndes shumë përzemërsisht, ju ftoj, ta shndërrojmë këtë fushatë elektorale, në fushatën më të bukur, më të qytetëruar, me pjesëmarrjen më masive, për të arritur fitoren e madhe, fitoren e shkëlqyer. Ne sëbashku këto vite ndryshuam Shqipërinë më shumë se të gjithë shekujt më parë. Ne sëbashku po ndërtojmë Shqipërinë moderne, ne sëbashku anëtarësuam Shqipërinë në NATO, ne sëbashku hoqëm vizat dhe lëvizim të lirë në mbarë Europën, ne sëbashku mbrojtëm Shqipërinë nga kriza, dyfishuam rroga dhe pensione.
Së bashku për një fitore të shkëlqyer, fitoren më të madhe që kemi shënuar ndonjëherë këto 20 vite.
Fitore!”
26/04/2013